TIRANE- Ministri i Financave Arben Ahmetaj dënoi protestën e mbajtur sot të thirrur nga Partia Demokratike. Deklarata e ministrit Ahmetaj u bë pas mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, ku u miratua ulja e TVSH-së për njësitë akomoduese në sektorin e turizmit.

Ai deklaroi se bllokimi i rrugëve dëmton imazhin e vendit. “Basha po dëmton veten dhe Shqipërinë. Kriza që deklarohet nga opozita është te çadra dhe jo te ekonomia e vendit apo qeveria”, deklaroi ministri.

Ministri Ahmetaj komentoi edhe raportin më të fundit të Agjencisë së vlerësimit të kreditit, Moody`s, për Shqipërinë, ku vlerësimi i borxhit sovran mbetet i pandryshuar, në B1 të qëndrueshëm.

Moody’s parashikon se borxhi i Shqipërisë do të vazhdojë të ulet gjatë viteve në vijim falë rritjes më të lartë ekonomike dhe politikës fiskale të qeverisë. “Ne presim që Prodhimi Kombëtar të rritet me 3-4% për periudhën 2017-2018 nga 2% që ka qenë rritja mesatare në 5 vitet e fundit”, thuhet në raport.

Vlerësimi i Shqipërisë mund të përmirësohet, thuhet në raportin e Moody’s, nëse vendi do të vazhdojë progresin me konsolidimin fiskal, uljen e borxhit dhe forcimin e institucioneve përfshirë gjyqësorin.

Kreu i Financave publike njoftoi po ashtu se brenda kësaj jave do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave vendimi për rritjen e pagës minimale nga 22 mijë lekë në 24 mijë lekë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb