TIRANË- Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka zhvilluar një takim me sipërmarrjen austriake në vend, ku i ka ftuar biznesmenët të investojnë në Shqipëri. Ahmetaj tha se interesi ekonomik i Austrisë është rritur. Sipas tij stoku i investimeve të huaja direkte nga Austria është rritur nga 365 milionë euro në 401 milionë euro.

“Faleminderit gjithkujt prej jush që ka ardhur sot nga Austria, apo që është tashmë këtu në Shqipëri duke punuar me ne. Është një kënaqësi e madhe të shikosh që interesi ekonomik i Austrisë është rritur. Kam sjellë një shifër modeste, por një shifër që ka ndryshuar në dy vitet e fundit. Stoku i investimeve të huaja direkte nga Austria është rritur nga 365 milionë euro në 401 milionë euro. Është modeste, por definitivisht është rritje organike vit pas viti dhe jam i sigurt se prezenca e kompanive sot këtu, siç e përmendët dhe ju, kompani të reja, definitivisht do të sjellin investimeve të huaja direkte të reja nga Austria.
Interesi për ekonominë shqiptare është rritur. Po ju sfidoj juve Piter dhe z. Ambasador: dje ne patëm një delegacion italian shumë të madh, 220 kompani, 17 miliardë euro xhiro. Ju lutem sillni në Shqipëri 221 kompani austriake dhe 17 miliardë e 1 euro, për të mundur italianët”, tha Ahmetaj.

Ai u shpreh më tej se vendi prej disa vitesh tashmë ka ndërmarrë reforma serioze, që nga financa e deri te energjia, pensionet, reforma administrative territoriale, dhe sigurisht reforma e reformave, reforma në drejtësi, e cila është duke ndryshuar vendin. “Nuk po e ndryshon vendin në një ditë, do të duhen ditë, do të duhen javë, do të duhen vite, por ne jemi përpara një hapi shumë të rëndësishëm: hapja e negociatave. Dhe, unë falënderoj shumë qeverinë austriake dhe të gjithëve ju që na mbështesni për gjatë gjithë rrugës”, tha ministri.

Ahmetaj theksoi se Shqipëria krahasuar me rajonin, është duke performuar shumë mirë nga pikëpamja ekonomike. “Ne u rritëm vitin e kaluar 3.9%. Dëgjova zv.ministrin italian dje që tha “më në fund po shkëlqejmë, po rritemi 1.4%”. Kur ne përmendim 3.8-3.9%, njerëzit thonë, epo është akoma pak. Sigurisht, është më pak se 10, por është më shumë se një.

Në fund, do të thosha se siç e përmenda, kjo është një stinë shumë e rëndësishme për ne. Ne po presim hapjen e negociatave. Ne jemi të përgatitur për sfidat. Kemi nevojë për shumë suport dhe për shumë ndihmë. Ne nuk jemi të përsosur, por ne jemi europianë dhe jemi duke përmirësuar çdo ditë. Faleminderit shumë që jeni këtu dhe ju uroj një ditë të mbarë”, deklaroi Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb