Një supertakim i cili ka dhuruar 8 gola ka qenë ai mes Torinos dhe Peskarës i luajtur sot në Seria A. Protagonist kryesor i kësaj ndeshje rezultoi të ishte mbrojtësi i Torinos dhe kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, i cili shënoi një gol dhe një superautogol në fitoren 5-3 ndaj Peskarës së Ledian Memushajt. Kapiteni i Peskarës u kthye të luante për 90 minuta të plota pas tragjedisë së ndodhur në familjen e tij teksa bashkëshortja humbi binjakët të cilët priste t’i sillte në jetë.

I aktivizuar për të dytën herë radhazi si titullar, Ajeti e filloi shumë mirë takimin teksa në minutën e 9 gjeti rrjetën për Torinon. Ky gol dyfishoi avantazhin e siguruar që në minutën e 2-të nga Falke. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 3-0 të Torinos pasi në minutën e 15 rrugën e rrjetës e gjeti edhe Beloti.

Në pjesën e dytë Ljajiç në të 53-tën dhe sërish Beloti në të 61-tën e çuan epërsinë e Torinos në 5 gola, por për të kthyer Peskarën në lojë mendoi pikërisht Ajeti, i cili në minutën e 75-të realizoi një autogol duke goditur topin në mënyrë mjeshtërore me finte. Dy minuta më vonë Benali shënoi golin e dytë për Peskarën dhe në minutën e 83-të ishte sërish Benali që pas një hutimi të Ajetit në zonë shënoi golin e tij të dytë dhe të tretin për skuadrën.

Pas këtij takimi, Torino ngjitet në kuotën e 35 pikëve duke mbajtur vendin e 9 në renditje, ndërsa Peskara mbyll tabelën e klasifikimit me vetëm 9 pikë të grumbulluara pas 24 javësh.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb