TIRANË- Aleanca Kuq e Zi ka shpallur sot platformën për dekriminalizmin. Kreu i AK, Kreshnik Spahiu deklaroi se Shqipëria po mbytet nga kriminelët, duke drejtuar kritika ndaj ambasadorëve. Spahiu tha se ambasadorët deri dje i kanë mbështetur kriminelët dhe se kanë pozuar me ta dhe u ka kërkuar të mos zbatojnë dy standarde.

“Anija me emrin Shqipëri po mbytet nga këta kriminelë. Të nderuar ambasadorë në qershor 2013 ju duhet të luftonit kriminalizimin dhe jo patriotizmin. Ky ishte shqetësimi i marrjes peng të Shqipërisë. Të nderuar ambasadorë ju i njihnit shumë mirë se ata në vendet tuaja kishin bërë burg. Të nderuar ambasadorë ju i njihnit shumë mirë këta kriminelë, me të cilit pozonit, darkonit dhe u dhatë mbështetje. Ata përdorën emrin tuaj për të realizuar rotacionin politik dhe për të marrë peng shtetin shqiptar. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk duhet të ketë dy standarde, duhet të ketë barazi. Nuk mund të rri në burg një fshatar se vjedh një lopë dhe të drejtojnë shtetin ata të cilët pastrojnë para pa fund. Kritikat tuaja me shumë vonesë dhe ato përsëri duan një standard jo dy. Mos godisni vetëm peshqit e vegjël, Armando Prenga apo Ndoka. Kush i futi në politikë ata?”, tha Spahiu.

Më tej kreu i AK theksoi se shqiptarët janë bërë pjesë e trafikimi të këtyre politikanëve.

“Ka ardhur koha të nderuar ambasadorë të ruajmë një standard dhe t’u themi shqiptarëve të vërtetën. Frika ka pushuar vendin, ka marrë peng shoqërinë shqiptare. Shqiptarët janë bërë pjesë e trafikimit të këtyre politikanëve të cilët ju i mbështetët, që sot kanë thyer barrierat kufitare dhe po përzënë popullin e vet. Ka ardhur koha ti themi gjërat siç janë. Shqetësimi në Tiranë, Shkup, Podgoricë, Beograd e kudo, nuk ka qenë kurrë patriotizmi, ajo që ju keni ngritur por krimi, mafia politike. Sot miliarderë të cilët deri dje ishin askush në shoqëri janë kthyer në miliarder. Në Shkup si Gruevski, në Tiranë si Edi Rama, në Prishtinë si Thaçi dhe kompani. Sot kanë kapur peng shtetet e tyre. Kemi kurajën të themi, izoloni mafien politike. Izoloni axhendën e qeveritarëve dhe hapni dyert e qytetarëve. Vetëm izolimi dhe heqja e vizave për politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin”, apeloi Spahiu.

Sipas tij, shqiptarët nuk i kanë zgjedhur për të vjedhur këta deputetë, ndaj ai kërkoi mbështetje nga ana e diplomatëve për elitat politike dhe ringritjen e një opozite që nuk ekziston.

“Sot thonë i kanë zgjedhur shqiptarët. Jo shqiptarët nuk i kanë zgjedhur për të vjedhur.

Duhet të mbështesni elitat politike. Duhet ë mbështesni ringritjen e një opozite që nuk ekziston. Sepse opozita sot thotë që do bëjmë protesta dhe nga ana tjetër ulet me Armando Prengën dhe Arben Ndokën. Nuk ka shpëtim pa zgjedhje të parakohshme. Këtë duhet ta kuptojnë 90 deputetët e parlamentit shqiptar që duhet të grisin mandatin e tyre. Ata duhet të bëjnë kolegët e tyre në Itali e kudo, që nuk kanë frikë nga zgjedhjet e parakohshme. Ka ardhur koha që shqiptarët të përfaqësohen nga një elitë e re politike”, deklaroi kreu i AK-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: