Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Akademia, lehtësia e papërballueshme e Ramës

bushati ne news 24

Nga Andi BUSHATI
Nëse ka një fabul ilustruese që mund të nxjerrë më së miri në pah, sa amatorizmin, po aq dhe prirjen prej showman-i të Edi Ramës, ajo është sjellja e tij me Akademinë e Shkencave. Pikërisht në ditën që “tempulli i dijes” së shqiptarëve do të zhvillonte zgjedhjen e organeve drejtuese, kryeministri lëshoi një paralajmërim në Facebook që nëse kjo farsë vazhdonte, ai do t’i ndërpriste financimin dhe do t’i nxirrte jashtë nga godina.

Natyrisht, akademikët që kishin planifikuar me kohë atë që do të bënin, as nuk pyetën për këtë kërcënim. Ata vazhduan punën e tyre, votuan kryetarin dhe zëvendësin dhe kjo moskokëçarje e yshti edhe më shumë kryeministrin të bënte një postim të dytë, ku paralajmëronte se akademikët zgjodhën farsën dhe se kjo gjë do t’a detyronte qeverinë që fondet e kërkimit shkencor t’i kalonte për universitetet publike.

Kjo fabul qesharake, ndoshta e vetmja e një kryeministri që komunikon me institucionet të cilave u kontrollon fondet, jo në kanale shtetërore, por përmes mediave sociale, ashtu sikurse dihet, ka një histori të shkurtër. Në mesjavën e shkuar, njëri prej akademikëve, profesori i nderuar dhe një prej intelektualëve më të zëshëm publikë, Artan Fuga, i drejtori një letër Ramës me të gjitha mëkatet e Akademisë së Shkencave.

Aty numëroheshin manipulimet shkencore, manovrat për të ruajtur monopolin e baballarëve të shkencës pa dhënë asnjë produkt, vihej alarmi për ndikimin e papërfillshëm të akademisë në jetën sociale dhe ekonomike të vendit dhe në fund kërkohej anullimi i zgjedhjeve farsë që ishin planifikuar për këtë të hënë.

Nuk ka diskutim reagimet e Ramës u nxitën nga nga letra e hapur publike e Fugës. Ajo ishte “dhurata” që i shkonte më për shtat dhe që i duhej në këtë moment kryeministrit.

Së pari ai tregonte se kishte aftësinë të vihej në lëvizje edhe pas vërejtjeve të një kritiku të deklaruar me qëndrimet e tij si Fuga. Ai demonstronte se e kishte të plotë kapacitetin për të dëgjuar shqetësimet konstuktive të një zëri tejet të ashpër për reformën në arsim, që madje pati mbështetur fuqimisht edhe kauzën e çadrës së opozitës. Duke i dhënë të drejtë alarmit të akademikut, Rama dëshmonte se nuk e ka humbur sensin e realitetit dhe largpamësinë për të gjykuar i zhveshur nga mëritë e rëndomta që konfliktin e ideve e shndërrojnë në problem personal.

Përqafimi i tezave që ngrinte Fuga i shkonte për shtat kryeminitrit edhe për një arsye tjetër. Ai përkonte me fushatën lejfeniste për të goditur abuzimet, të paftët, përfituesit që kapin qoshe të ngrohta pa dhënë asnjë kontribut për publikun.

Prandaj ai e pa letrën e hapur të botuar në mbarë mediat tona si një “dhuratë” për të nxjerrë në pah vetitë e udhëheqësit të rreptë dhe të drejtë, që ashtu siç merrte dikur sopatën për të prerë shtyllat e elektrikut, tani mund të shkatërronte “tepsinë” e Akademisë së Shkencave.

Por e gjitha kjo fabul rreth të cilës u zhvillua ky spektakël, ngre disa pikpëyetje?

A nuk e dinte Kryeministri i vendit gjendjen e këtij institucioni për të cilin lëvron fonde prej së paku katër vitesh?

Le të besojmë një moment që nuk e dinte, po a i mjaftuan vetëm pak ditë (që nga e enjtja kur letra e Artan Fugës u bë publike) për të vërtetuar se akuzat e artikuluara qëndronin?

Le të vazhdojmë edhe më tej. Po sikur pretendimet që ngrinte profesori i nderuar të mos ishin të sakta, sikur të qenë të ndikuara nga inatet e brendëshme, ambicjet profesionale, gabimet njerzore në gjykim, a mund të përbënin ato një premisë për një vendim shtetëror?

Natyrisht, pa e njohur hollësisht gjendjen, unë personalisht, i besoj pohimeve të Artan Fugës. Kostantja e qëndimeve të tij, integriteti personal, roli i intelektualit të angazhuar dhe të pa kompromis, i japin një kredibilitet prtjej të zakonshmes qëndrimeve të tij.

Por, në të gjitha rastet ky mbetet një opinion vetjak. Dhe kur bëhet fjalë për vendime shtetërore, askush nuk e ka luksin të bazohet në të tilla përjetime, sado i bindur të jetë për to.

Rama e bëri. Në mënyrë spontane dhe instiktive. Pa pyetur njeri dhe pa u konsultuar me kërkënd.

Por çuditë e tij nuk përfundojnë këtu. Spektakli vazhdon.

Ai nuk e bëri në mënyrë legale, por duke shkruar në Facebook. Ai e shpalli fermanin e tij vetëm dy orë përpara se zgjedhjet e paralajmëruara shumë kohë më parë të zhvilloheshin. Pra në një moment kur ato edhe praktikisht nuk mund të pezulloheshin. Dhe sikur ky amatorizëm të mos qe i mjaftueshëm, ai bëri të ditur edhe vendimin e dytë: tani që akademikët nuk e dëgjuan dhe vazhduan me zgjedhje farsë, ai fondet për kërkimin shkencor do t’ia kalonte universitetve publikë.

Eshtë e kotë të ngresh pyetjet, se me ç‘këshilltarë u konslultua, se ç‘raport apo grup pune ia sugjeroi këtë transferim, se cili do të qe në të ardhmen efikasiteti i tij.

Përgjigjet e këtyre dihen.

Por, ama një gjë nuk mund të lihet pa u thënë. Nëse shkaku zyrtar i këtij vendimi drastik për transferim fondesh ishin zgjedhjet farsë, a ka kuptim që ato t’i kalohen universiteteve. Pra të njëjtave universiteve që janë shndërruar në qesharake me zgjedhjet e tyre farsë. Të njëjtave që njësoj si akademia që bën rrokadë mes kryetarit dhe zëvendësit, e kanë shndërruar në praktikë katapultimin nga rektori në dekan dhe anasjelltas, vetëm që të njëjtët shefa të ruajnë postet drejtuese.

Do të mjaftonte vetëm ky argument për të kuptuar se përpjekja e Ramës për të thyer tepsinë e Akademisë është një shfaqe banale. Pavarësisht nga imazhi që kërkon të krijojë, ajo nuk ka si qëllim as përmirësimin e shkencës shqiptare përmes rrufeve të Facebokut dhe as reflektimin për problemet reale.

Ajo është thjeshtë një hallkë më shumë në zinxhirin e një show permanent, personal, spontan dhe instiktiv. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët me shkencën dhe me njerëzit e saj. Këta të fundit mund të jenë vërtet të zhgënjyer nga kupola e tyre drejtuese. Ata mund të mos e durojnë dot hierarkinë që kanë mbi kokë. Ndoshta si shumë shqiptarë edhe ata mund të jenë të turpëruar nga Akademia e tyre e Shkencave. Por të gjithë ne duhet të jemi dyfish më të turpëruar, kur shpresat për zgjidhje i na vijnë përmes politikash tilla spektakli që më shumë sesa të ndihmojnë shkencën kanë si qëllim të rekrutojnë Fugën.





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.