Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Agjencia e Kthimit dhe  Kompensimit të Pronave do të ndajë 37.5 milionë lekë për 40 pronarë që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. AKKP-ja ka përfunduar shqyrtimin e dosjes dhe ka vendosur kompensimin në masën 57% të totalit të vlerës së truallit.

Përfituesit e këtij fondi janë nga Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani e Vlora. Përmes një njoftimi, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën të ditur se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Fondi
Në përfundim të procesit të shqyrtimit të dosjeve, AKKP-ja ka vendosur të ndajë këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, 57% të vlerës së shumës për 40 kërkesa, të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në shumën e përgjithshme prej 37 513 821 lekë. Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfituese jepen në listë.

“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara, se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim”, thuhet në njoftim.

Shqyrtimi i kërkesave
Shqyrtimi i kërkesave për kompensimin e tokave të zëna nga ndërtimet pa leje nis pas depozitimit të kërkesës së pronarit të tokës, i cili përfiton nga fondi që ALUIZNI depoziton në AKKP. Sipas ligjit në fuqi, procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, ligjin nr.10239, datë 25.02.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”.

AKKP-ja përcakton procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, dhe përfituesit miratohen me vendime të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: