NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Pajisja me tapi e tokës ish-kooperativë bujqësore ose ish-ndërmarrjeve shtetërore do të kryhet nga një komision i posaçëm. Burime nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, bëjnë të ditur se ngritja e komisioneve të veçanta dhe nxjerrja e akteve ligjore dhe nënligjore për zgjidhjen përfundimtare të pronësisë së tokës bujqësore, të marrë në përdorim nga subjektet përfituese si ish-punonjës të kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore, është pjesë e procedurave të përcaktuara në ligjin nr.57/ 2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ishndërmarrjeve bujqësore”.

Në këtë ligj përcaktohen procedurat ligjore të kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, përfituesve sipas ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar, të cilët nuk kanë bërë kalimin në pronësi, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.

KUSH PËRFITON TAPINË
Do të marrin tokën në pronësi familjet bujqësore apo individët, që janë përfitues të tokës bujqësore, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë banorë të komunës apo bashkisë dhe në asnjë rast që nga data 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre, sipas regjistrit të gjendjes civile. Një tjetër kusht për të përfituar është edhe fakti se e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë. Një tjetër kategori që do të përfitojë janë familjet bujqësore apo individët, të cilët janë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave, ata janë përfitues të tokës bujqësore në përdorim apo në pronësi dhe e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.

Ndërkohë që përjashtohen nga ky ligj tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore kur është regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private ose kur është përfshirë në procesin e legalizimeve, sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Një tjetër rast që përjashtohet nga pajisja me certifikatë pronësie është atëherë kur me vendim të Këshillit të Ministrave ka kaluar në fondin e kompensimit fizik dhe është vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Gjithashtu përjashtohet në rastin kur toka është objekt kërkese, e cila po shqyrtohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por nuk është dhënë ende vendim, dhe në rastin kur është objekt i një konflikti gjyqësor, për të cilin komuna apo bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.

Sipas ligjit, familjet bujqësore apo individët, të cilët janë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ishndërmarrjeve bujqësore, pajisen me akte pronësie, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj, nëse me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave janë përfitues të tokës në pronësi apo në përdorim dhe nëse nga hyrja në fuqi e këtyre vendimeve, e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, pavarësisht se nuk janë të pajisur me aktin e përdorimit apo të pronësisë. Sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet në pronësi, do të jetë e barabartë me tokën që familjet bujqësore apo individët përdorin për veprimtari bujqësore. Aktet e marrjes së tokës në pronësi, të përfituara nga familjet bujqësore apo individët, pa pasur më parë akt të marrjes së tokës në përdorim, apo duke pasur akt të marrjes së tokës në përdorim, të lëshuar pas shkurtit të vitit 1996, si dhe që plotësojnë të gjitha kushtet e tjera të legjislacionit të kohës, konsiderohen të vlefshme.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: