NGA ARJAN KORPA*

Akreditimi është instrumenti që mundëson dhe garanton cilësi të besueshme të shërbimeve, produkteve dhe
proceseve. Akreditimi është përgjigja e besueshme për pyetje të tilla si, sa cilësore dhe të sigurta janë produktet ushqimore që konsumojmë, sa të përshtatshme dhe cilësore janë pajisjet që përdorim, materialet që ndërtojmë, sa të shëndetshme janë banesat ku jetojmë, sa komforte dhe të sigurta janë mjetet që udhëtojmë, sa të besueshme janë rezultatet e analizave shëndetësore, sa është niveli i ndotjes, etj., etj. Akreditimi është një instrument i gjithëpranuar globalisht për vlerësimin e kompetencës së organeve të vlerësimit të konformitetit (organeve inspektuese, certifikuese, kalibruese, testuese).

Akreditimi vlerëson dhe demonstron kompetencën teknike dhe integritetin e aktorëve që ofrojnë shërbime të vlerësimit të konformitetit (organeve të vlerësimit të konformitetit) të tilla si testimi, certifikimi, inspektimi dhe kalibrimi bazuar në standarde kombëtare dhe ndërkombëtare. Akreditimi nënkupton vlerësimin e pavarur të organeve të vlerësimit të konformitetit përkundrejt standardeve të harmonizuara për kryerjen e aktiviteteve specifike për të siguruar paanësinë dhe kompetencën e tyre. Akreditimi është proces objektiv dhe i paanshëm që ofrohet nga palët e treta; ai ofron rrugën më ekonomike, më transparente dhe më të gjithëpranuar për përftimin e rezultateve të besueshme të vlerësimit të konformitetit.

Vlerësimi i konformitetit përkufizohet si “demonstrim që kërkesat e specifikuara për një produkt, proces, sistem, person, etj. janë përmbushur”. Akreditimi mund të përdoret në këtë mënyrë për të verifikuar përmbushjen e një standardi ose disa standardeve. Standardet nënkuptojnë një mënyrë të rënë dakord për të bërë diçka; ato janë dokumente që përdorin praktikat më të mira të kohës me anë të proceseve të besueshme dhe transparente që përfshijnë të gjitha palët e interesuara në procesin e hartimit të tyre.

Nëpërmjet aplikimit të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare, klientët dhe konsumatorët mund të kenë siguri në rezultatet e testimit, raportet e inspektimit, certifikimit dhe kalibrimit. Akreditimi siguron njohje zyrtare që laboratorët testues janë kompetentë, të paanshëm dhe të pavarur, duke ofruar një mundësi për klientët dhe palët e interesuara të identifikojnë dhe përzgjedhin testim të besueshëm dhe shërbime që plotësojnë nevojat e tyre.

Trupat e vlerësimit të konformitetit mbikëqyren dhe rivlerësohen rregullisht prej një organi kompetent akreditimi (në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, DPA) për të siguruar përputhjen e vazhdueshme të tyre me kërkesat dhe për të verifikuar që operimi i tyre në përputhje me standardet ruhet. Autoriteti akreditues (DPA) iu njeh kompetencat organeve të vlerësimit të konformitetit për të kryer aktivitete në përputhje me kërkesat e përcaktuara në standardet e pranuara ndërkombëtarisht. Vetë programet e DPA operojnë në përputhshmëri me praktikat ndërkombëtare.

Bashkëpunimi Evropian për Akreditimin (EA), misioni i të cilit është promovimi i një sistemi transparent dhe të drejtuar nga cilësia për vlerësimin e kompetencës së organeve të vlerësimit të konformitetit në vendet evropiane menaxhon një sistem ekspert vlerësimi midis organeve kombëtare akredituese. Organet akredituese që janë vlerësuar si kompetente prej EA nënshkruajnë marrëveshje që provon dhe demonstron kompetencën e tyre. Këto organe akredituese kanë akses dhe akreditojnë organet e vlerësimit të konformitetit mbi bazën e standardeve relevante.

Akreditimi bazuar edhe në Rregulloren e re Evropiane No. 765/2008 “Vendosja e rregullave për akreditim dhe mbikëqyrjen e tregut në lidhje me tregtimin e produkteve” vendos rregullat për organizimin dhe operimin e akreditimit të organeve të vlerësimit të konformitetit dhe krijon një sistem për mbikëqyrjen e produkteve në treg për të siguruar që këto produkte përmbushin kërkesat për ofrimin e një niveli të lartë mbrojtjeje të interesave publike.

Akreditimi i ndihmon qeveritë që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në kuadrin e Marrëveshjes së OBT, për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare dhe përftimin e regjimit të lëvizjes së lirë të mallrave. Marrëveshja synon të garantojë që rregullat teknike, standardet dhe procedurat e vlerësimit të konformitetit janë jodiskriminuese dhe nuk krijojnë pengesa të panevojshme për tregtinë. Ajo u njeh anëtarëve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) të drejtën për të implementuar masa për të përmbushur objektiva legjitimë politikë si mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së njeriut dhe mbrojtja e mjedisit.

Akreditimi mund të përdoret për të mbështetur politikat publike në mënyra të ndryshme. Sistemi akreditimit ka legjitimitetin e duhur dhe shkallën e pranueshmërisë nga tregu për t’u përdorur si instrument i politikave publike. Nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare për njohje reciproke të akreditimit, ato po bëhen më të përdorura si instrumente për autoritetet rregullatore si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.

Vlerësimi i akredituar i konformitetit është një instrument fleksibël, që mund të aplikohet në të gjithë sektorët publikë dhe privatë dhe për çdo lloj procesi shqyrtimi, vlerësimi dhe miratimi. Vlerësimi i konformitetit mund të përdoret për të adresuar një gamë të gjerë të kërkesave rregullatore në sektorë si ekonomia, shëndeti publik, mbrojtja e mjedisit, energjia, industria ushqimore, ndërtimi, kriminalistika, rendi dhe siguria publike, siguria kombëtare, etj., etj.

Vlerësimi i akredituar i konformitetit bazohet në treg dhe financohet nga tarifat që aktorët e involvuar paguajnë, duke eliminuar nevojën që qeveria të operojë dhe financojë laboratorët dhe inspektoratet e veta. Organet rregullatore mund të bashkëpunojë me sektorin privat për të hartuar standarde ose kode, ose ndonjë praktikë tjetër për qëllime rregullatorë, që kërkojnë edhe përfshirjen e palëve të treta të vlerësimit të konformitetit (përputhshmëri) me standardet.

Në mënyrë alternative, bizneset që demonstrojnë konformitet me standardet nëpërmjet akreditimit mund të përfitojnë “njohjen” e autoriteteve rregullatore, çka provon besim ndaj bizneseve dhe përshtatshmërinë e tyre me detyrimet ligjore. Kjo i lejon autoritetet rregullatore të reduktojnë mbikëqyrjen dhe inspektimet duke iu kursyer taksapaguesve para. Edhe vetë departamentet dhe drejtoritë politikëbërëse mund të përmirësojnë performancën e tyre nëpërmjet sistemeve të vlerësimit të konformitetit.

Në vijim ilustrohen raste të aplikimit të akreditimit në mbështetje të politikave publike. Në sektorin e transportit, Direktiva 2008/37 e Parlamentit Europian mbi ndërveprimin në sistemin hekurudhor brenda BE-së, e cila po transpozohet në legjislacionin tonë aktualisht kërkon përdorimin e organeve të notifikuara (njohura), të cilat janë përgjegjëse për vlerësimin e konformitetit dhe të përshtatshmërisë për përdorim të komponentëve të sistemit hekurudhor për të bërë të mundur lëvizjen e sigurt dhe të pandërprerë të trenave.

Pavarësisht se aneksi VIII i kësaj direktive jep kërkesat që duhet të plotësojnë organet e notifikuara për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesave të kësaj direktive, Bashkëpunimi Evropian i Akreditimit (EA) në koordinim me Agjencinë Evropiane të Transportit Hekurudhor (ERA) kanë hartuar së fundmi një draft-skemë akreditimi, e cila bazohet në standardin ISO/IEC 17065 për të vlerësuar kompetencën teknike të organeve të notifikuara.

Vlerësimi i kompetencës teknike të organeve të notifikuara nëpërmjet akreditimit siguron përshtatshmërinë dhe konformitetin e sistemeve dhe nënsistemeve të transportit hekurudhor. Për më tej, kjo draft-skemë është menduar të jetë e detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e EA-së, ku përfshihet edhe DPA, në mënyrë që të kemi një unifikim të procedurave të vlerësimit të konformitetit për të realizuar një sistem hekurudhor të unifikuar brenda BE-së.

E njëjta situatë ëshë edhe për rastin e implementimit të Rregullores Evropiane 1177/2010 në lidhje me të drejtat e pasagjerëve kur udhëtojnë në dete dhe në ujëra të brendshme. Organizmi Europian i Akreditimit (EA) në bashkëpunim me DG Clima po hartojnë një skemë akreditimi për të mbështetur implementimin e kësaj rregulloreje. Edhe në sektorë të tjerë akreditimi po mbështet politikat publike. Në mjekësi po aplikohet skema e akreditimit të shërbimit të kujdesit ndaj kancerit. Akreditimi po mbështet më së miri edhe implementimin e direktivave të tjera, të cilat hap pas hapi po transpozohen në legjislacionin shqiptar.

Në nivel kombëtar, në ligjin nr. 10489 datë 15.12.2011, akreditimi është vendosur si parakusht për organet e miratuara të vlerësimit të konformitetit, psh., për markën CE ose për inspektimin periodik të produkteve apo shërbimeve të vëna në përdorim. Ky ligj horizontal zbatohet nëpërmjet akteve nënligjore të tilla si Vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM-të) të miratuara në fund të vitit 2015 në lidhje me enët nën presion, ashensorët dhe pajisjet ngritëse, përputhshmërinë elektromagnetike, etj., të cilat kërkojnë kryerjen e veprimtarisë së vlerësimit të konformitetit nga organe të akredituara.

Në sektorin e ndërtimit, ligji nr. 8402 i datës 10.09.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në ndërtim” i ndryshuar, në nenin 14 të tij kërkon që materialet e importit si edhe ato të prodhuara në vend të jenë të shoqëruara me certifikatë cilësie të lëshuar nga një laborator i akredituar. Në sektorin e produkteve ushqimore, ligji nr. Nr.9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, në nenet 45 dhe 46 të tij kërkon që laboratorët e autorizuar të kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe laboratori i referencës duhet të jenë të akredituar.

Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e kontrollit falas të së gjithë popullatës nga mosha 40-65 po implementohet edhe me ndihmën e akreditimit dhe konkretisht të DPA-së, i cili ka akredituar një nga laboratorët e fituesit të këtij projekti. Akreditimi i laboratorit, i cili kryen testet e kontrollit falas nënkupton që rezultatet e këtij laboratori janë të besueshme dhe se projekti po implementohet me besueshmëri. Në sektorin e shkëmbimit të mallrave, njohja ndërkombëtare në fushën e testimit e arritur nga DPA ka bërë të mundur mosritestimin e produkteve të prodhuara dhe testuara në Shqipëri, kur ato janë të destinuara për eksport.

Realizimi i një eksporti me sa më pak kosto, të lirshëm dhe të ndershëm është një tjetër politikë publike. Mbrojtja e konsumatorit, garantimi i cilësisë së produkteve dhe shërbimeve në tregun shqiptar nuk është detyrë vetëm e kompanive që prodhojnë apo i ofrojnë ato, por edhe i një rrjeti institucionesh, që i kontrollojnë, monitorojnë, i mbështesin në mënyrë të vazhdueshme dhe vendosin sanksione në rastet e shkeljes së rregullave dhe ligjeve. Akreditimi ka një ndikim pozitiv të përgjithshëm në të gjithë zinxhirin ekonomik e social, duke kontribuar në këtë mënyrë në rritjen e ligjshmërisë, sigurisë dhe mirëqenies. Ai është një instrument i besueshëm mbështetës i politikave publike në rrugën e integrimit evropian të vendit.

* Kryetar i Bordit Shqiptar të Akreditimit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb