NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE– Aparatura më bashkëkohore për trajtimin e kancerit e vendosur në Shërbimin Onkologjik në QSUT, akseleratori linear, qëndron i prishur që prej ditës së martë të kësaj jave. Arsyet nuk dihet, por mësohet se shumë prej pacientëve janë dërguar në shtëpi derisa kjo aparaturë të riparohet.

Jo zyrtarisht burime nga ky shërbim i thanë gazetarit të “News 24” se para defektit, akseleratori linear po punonte me dyfish ngarkesë pune për shkak të mosfunksionimit të aparaturës së kobaltit, që qëndron i prishur prej më shumë se dy muajsh.

Teknologjia e vjetër e kobaltit përdoret kryesisht për trajtimin e metastazave tek të sëmurët paliativ, që në mungesë të këtij shërbimi janë orientuar drejt radioterapisë ku një akselerator i vetëm i inauguruar në shkurt të vitit 2016, duhet të mbajë peshën e të gjithë të sëmurëve me kancer, të shtruar dhe ambulatorë.

Më të humburit nga mosfunksionimi i akseleratorit linear, për të cilin qeveria ka paguar jo pak po 2 milionë euro, janë të sëmurët me kancer në faza të hershme, sëmundja e të cilëve avancon pas çdo dite të humbur pa kurim. Në vend të trajtimit me prioritet, kjo kategori pacientësh u duhet të qëndrojnë në radhë të gjata bashkë me të sëmurët paliativ, radhë që sipas mjekëve të këtij shërbimi zgjasin deri në dy muaj kohë pritje.

Në kthim përgjigjen për problemin e ngritur nga “News 24” drejtoria e spitalit “Nënë Tereza” pranon ekzistencën e defektit të akseleratorit linear për të cilin thotë se janë marrë masat dhe është njoftuar menjëherë kompania e mirëmbajtjes që ka detyrimin e riparimit të pjesës së defektuar brenda afatit të përcaktuar në kontratë.

Drejtoria e spitalit nuk jep një datë fikse se kur do të rinisë puna në shërbimin e radioterapisë, por premton se pjesa e re do të vijë ditën e hënë.

Sa I përket prishjes së aparaturës së kobaltit në të njëjtin shërbim, QSUT thotë është njoftuar IAEA (Agjencia Atomike Bërthamore) për suport, pasi në vendin tonë nuk ka kompani të autorizuar nga prodhuesi Best Theratronics (Kanada) për mirëmbajtën dhe furnizimin me pjesë këmbimi të kësaj pajisje mjekësore.

Sipas komunikatës zyrtare, QSUT pranon se për shkak të defektit pacientët e trajtuar historikisht me aparaturën e kobaltit nuk janë lënë pa shërbim, por i janë kaluar radioterapisë përmes akseleratorit linear. Në të njëjtën kohë njoftohet se në të njëjtin shërbim ka nisur edhe montimi i akseleratorit numër 2.

Por në zyrtar të QSUT nuk shkruhet në asnjë rresht se si po trajtohen ndërkohë me dhjetëra pacientë të prekur nga kanceri, kura e të cilëve u ndërpre në mes për shkak të defektit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb