Dy persona kanë humbur jetën në një aksident fatal në autostradën Tiranë-Durrës, pas mesnatës së kaluar pasi taksia me të cilën udhëtonin është goditur nga pas nga një automjet tjetër tip “Benz”.

Megjithëse policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, shoferi i “Benz”-it që shkaktoi aksidentin është zhdukur, raportoi për “BalkanWeb” gazetarja Klodjana Haxhiaj. Nga policia nuk ka ende një njoftim të dytë për aksidentin dhe identitetin e drejtuesit të “Benz”-it me targa AA 060 SP.

aksidenti2

 

Bujar Agalliu, 60 vjeç, banues në Durrës dhe pasagjerja e tij, Elena Abdillari, 23 vjeçe, banuese në Tiranë gjetën vdekjen pasi taksia nga përplasja e fortë përfundoi në një karburant duke pësuar një goditje të dytë. Të pranishëm në vendin e ngjarjes kanë qenë shumë dëshmitarë por asnjë prej tyre nuk e ka parë drejtuesin e makinës së dytë, edhe policia pohon të njëjtën gjë.

“Në mjetin tip ‘Benz’ nuk është gjetur asnjë shtetas. Në vendngjarje ndodhen Efektivet e Policisë, të cilët po punojnë për gjetjen e drejtuesit të mjetit tip “Benz” dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”- thuhet në njoftimin e policisë.

Një dëshmitar i ngjarjes tha për “BalkanWeb” se taksia është përplasur me barrierat e jashtme të karburantit. “Aq e fortë ka qenë përplasja saqë taksia është futur brenda në karburant duke shkaktuar panik edhe te punonjësit e karburantit”, tha dëshmitari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb