TIRANË – Katër drejtues dhe specialistë të firmës së ndërtimit “Triss” janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës sot për shkak të aksidentit të ndodhur në Unazën e Re në kryeqytet mbrëmjen e 29 dhjetorit,  ku gjeti vdekjen 11-vjeçari R.Peka dhe u plagos vëllai dhe nëna e tij, Enkelejda Peka, dy ditë më parë.

Burimet nga Policia thanë se të arrestuar janë: Ismail Ahmeti, 62 vjeç,  administrator në firmën “Triss“; Shpëtim Emiri, drejtues teknik i punimeve; Gëzim Bimbli, administrator dhe drejtues teknik si dhe Ylber Koçi, specialist. Ata akuzohen për mosvendosjen e sinjalistës në rrugën ku ende kryheshin punime.

Për aksidentin në fjalë, Policia arrestoi në flagrancë 28-vjeçaren Uarda Eduart Çota, banuese në Tiranë, si shkaktare të tij, pasi duke ngarë makinën e dehur, ka shkaktuar aksidentin në të cilin gjeti vdekjen i mituri R.Peka dhe u plagos vëllai dhe nëna e tij.

AKSIDENTI ME 29 DHJETOR

Enkelejda Peka, bashkëshortja e ish-zv.ministrit Avenir Peka, ka qenë duke drejtuar makinën tip ”Chrysler” me targë AA 200 AR, mbrëmjen e së hënës. Ajo kishte edhe dy djemtë në makinë, Rubinin 11 vjeç dhe djalin tjetër 8 vjeç. Bashkë me ta, edhe nipin e saj 11 vjeç, A.Bylykbashi. Gjatë lëvizjes në rrugë, në një pjesë të aksit ku po bëhen punime, mjeti i saj “Chrysler” është goditur nga pas në mënyrë të papritur nga një “Benz” me targa angleze EN07XNR.

Si pasojë e përplasjes së fortë, të dyja makinat kanë dalë nga rruga dhe kanë rënë në një gropë të madhe të gjerë, në anë të aksit ku ndodhi aksidenti. Makina ku ndodheshin viktima dhe të plagosurit ka rënë poshtë në tabanin e gropës së hapur nga një firmë ndërtimi për vazhdimin e punimeve në Unazën e Re, ndërsa Benzi ka mbetur pjerrët në anë të saj, ngjitur pas makinës ”Chrysler”.

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb