Nga: KLODJANA HAXHIAJ*

TIRANE – Të afërmit e gruas që ndërroi jetë në aksident patën mbrëmë një takim të gjatë në ambientet e policisë për të deklaruar pretendimet e tyre për zhdukjen e 100 mijë eurove pas ngjarjes. Ata pretendojnë se policia ka tentuar ta fshehë aksidentin, nuk u ka dhënë detaje për mënyrën se si ndodhi si dhe kanë deklaruar se Bujanës i janë zhdukur të gjitha sendet personale. Xhaxhai i saj, Selim Bushi tha dje për “Gazetën Shqiptare” se anëtarë të kabinetit të presidentit Bujar Nishani i kanë kontaktuar për të fiksuar një takim sot në ambientet e Presidencës, të cilin ata e kanë pranuar.
Aksidentin, familjarët e viktimës e konsiderojnë të qëllimshëm dhe akuzojnë policinë për fshehjen e ngjarjes. Ata ngrenë akuza ndaj rrugorëve të Kavajës për fshehje të rrethanave të aksidentit, vjedhje të parave si dhe të sendeve personale që vajza kishte me vete.
Vëllai, xhaxhai dhe dajat e Bujana Bushit pohuan për “GSH” se “kemi tri ditë që po sorollatemi në Komisariatin e Policisë së Kavajës për të mësuar se çfarë ka ndodhur. Po kërkojmë sendet personale, që sipas traditës, vajza do t’i merrte me vete në arkivol, por nuk po gjejmë asgjë”. Ata u shprehën se dyshojnë se vajza mund të jetë grabitur dhe vrarë.
Tri ditë pas fletë-arrestit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, gjykata e Kavajës ka lënë jashtë dyerve të qelisë dy personat e arrestuar për aksidentin me pasojë vdekjen e 32-vjeçares Bujana Bushi nga Vlora. Në seancën e masës së sigurisë, gjykata vendosi për biznesmenin Kosta Taçi “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për Fatmir Bekshiun, drejtuesin e motorit, “arrest shtëpie”. Biznesmeni para trupit gjykues mësohet të ketë thënë se Bujana Bushi ka qenë financierja e biznesit të tij dhe paguhej për punën që kryente. ”Bujana ka pasur mbi 100 mijë euro në çantë. Ishin paratë e kursyera nga gjaku e sakrifica jonë, e gjithë jeta jonë. Ishin ato kursime me të cilat do të blinim një shtëpi së bashku. Paratë diku ka kanë shkuar dhe për këtë duhet të hetohet dhe të zbulohet e vërteta”, deklaroi gjatë një interviste për “GSH”, Vullnet Troka, 45 vjeç, bashkëshorti i 32-vjeçares Bujana Bushi, mbetur viktimë e një aksidenti rrugor në Lekaj të Kavajës mesditën e 30 qershorit. Troka sqaron marrëdhëniet me ulje-ngritje të çiftit, si e mori vesh lajmin dhe pse sipas tij, diçka e mistershme fshihet në gjithë këtë histori.
Ai pohoi se 3 ditë para ngjarjes i kishin tërhequr paratë bashkë në një bankë.
Ndërkohë, burime nga policia e Kavajës bënë me dije se vajza ka qenë pasagjere në automjetin e biznesmenit K.T. nga Vlora, i cili njihet si R.A. Blutë pohuan se biznesmeni ka qenë shoferi i mjetit dhe se ai ka mbetur i plagosur (pra rezulton se në aksident janë plagosur dy persona dhe jo një, siç u deklarua në fillim). Ai kurohet në spitalin e Durrësit, ku u dërgua së bashku me 32-vjeçaren pas aksidentit të ndodhur. Gjithashtu, burimet policore pohuan se K.T. është arrestuar për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Për të njëjtën akuzë është arrestuar edhe drejtuesi i motoçikletës, i cili thuhet se i preu rrugën mjetit, me të cilin udhëtonte 32-vjeçarja. Ndërkaq, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, vëllai i viktimës, 27-vjeçari Fisnik Bushi, akuzoi drejtpërdrejt për fshehje të krimit, segmente të caktuara të Policisë së Qarkullimit Rrugor.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: