SHKODER– Tre anëtarë të një familje kanë humbur tragjikisht jetën mbrëmjen e djeshme në Velipojë, si pasojë e një aksidenti rrugor, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë. Makina me të cilën udhëtonin burrë e grua së bashku me tre fëmijët e tyre është përplasur me një Fuoristradë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00 në Velipojë, në zonën e plazhit. Si pasojë e përplasjes së fortë ka humbur jetën kryefamiljari Preka, dhe dy fëmijët e tij, 9 muajsh dhe 5 vjeç, ndërsa vajza tjetër e çiftit ndodhen në gjendje të rëndë në spital. “BalkanWeb” mëson se gruaja Evisa ndodhet në spitalin e Shkodrës jashtë rrezikut për jetën.

Të plagosur në aksident kanë mbetur edhe dy të rinjtë që udhëtonin me automjetin tip “Fuoristradë” me targa AA292OL.

Sipas mjekëve të Shkodrës, vajza 10-vjeçare ndodhet në koma, dhe për shkak të gjendjes në të cilën ajo ndodhet, transporti i saj drejt Tiranës për mjekim më të specializuar është i vështirë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia dhe mungesa e ndriçimit në rrugë, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb