KAVAJE– Policia ka arrestuar një 28-vjeçar në Kavajë, pasi akuzohet se ka aksidentuar për vdekje një të ri që lëvizte me motoçikletë dhe ka fshehur provat në vendin e ngjarjes. Në pranga kanë përfunduar edhe dy miq të tij të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë.

Shërbimet e policisë Kavajë, arrestuan shtetasit Gentush Hoxha, 27 vjeç, banues në fshatin Kazie, Kavajë, Ervis Çurrumi, 34 vjeç, banues në fshatin Luz i Vogël, Kavajë, Gëzim Cila, 48 vjeç, banues në fshatin Hajdaraj, Kavajë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi Gentush Hoxha, duke drejtuar mjetin kamion tip “Mercedez Benz” (në pronësi të një firme), në mbikalimin e vorrezave në autostradë është përplasur me mjetin motoçikletë tip “Yamaha”, me drejtues shtetasin Z.G., 28 vjeç, i cili si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë. Më pas shtetasi Gentush Hoxha, në bashkëpunim me shtetasit Ervis Çurrumi dhe Gëzim Cila, kanë hequr nga vendi i ngjarjes mjetin kamion me të cilin u shkaktua aksidenti dhe kanë sjell një tjetër mjet kamion tip “Benz”, duke prishur dhe fshehur provat në vendngjarje.

Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Kavajë në ngarkim të shtetasit G.H., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Pengime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, parashikuar nga nenet 291 dhe 301 të Kodit Penal, ndërsa për shtetasit E.Ç., dhe G.C., për veprën penale “Pengime që zbulojnë zbulimin e të vërtetës”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb