NGA: BRIKENA METAJ*
TEPELENE – Në një operacion të gjerë kundër kultivimit të bimëve narkotike, Policia e Tepelenës ka asgjësuar në zonën e Kalivaçit 6 parcela me bimë narkotike kanabis, ku ishin mbjellë rreth 14 mijë bimë. Që prej fillimit të sezonit vetëm në Tepelenë janë asgjësuar rreth 160 parcela me rreth 250 mijë rrënjë.

60 efektivë policie kanë përshkuar një terren të vështirë për të dokumentuar dhe asgjësuar rreth 14 mijë bimë kanabis sativa të mbjella në 6 parcela në zonën e thellë kodrinore mbi Kalivac të Tepelenës.

Efektivë të FNSH dhe përfaqësues të Guardia di Finanza kanë qenë pjesë e operacionit. Koordinatat ishin përcaktuar më parë përmes monitorimit nga ajri dhe informacioneve në rrugë operative.

Emiljan Pashaj, shef i komisariatit të Policisë në Tepelenë bën me dije se sasia e përgjithshme e asgjësuar vetëm në Tepelenë që prej fillimit të kultivimit shkon në 250 mijë bimë të mbjella në 160 parcela.

Vetëm dy ditët e fundit policia ka asgjësuar në zonën e Kalivacit në Tepelenë rreth 28 000 rrënjë bimë narkotike, ndërsa po punohet për gjetjen e kultivuesve. Mbi 350 mijë rrënjë kanabis janë asgjësuar prej fillimit të operacioneve policore në muajin qershor në Qarkun e Gjirokastrës ku numrin më të madh të bimëve e regjistron Tepelena dhe Memaliaj.

Deri tanë gjatë këtyre operacioneve kanë rënë në pranga 18 persona,ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas informacioneve policore regjistrohen 94 raste të referuara në prokurori. Gjirokastra është qarku me numrin më të madh të të arrestuarve, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar numri I bimëve narkotike të asgjësuara është pesëfishuar.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb