TIRANE- Në një kohë kur situata politike në vend ‘zien’ ku në fokus është çështja ‘Tahiri’, por dhe për rastet kur në qendër të akuzave janë punonjës të Policisë së Shtetit si të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, vjen edhe një reagim i fortë nga kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë, në një takim me punonjës të Policisë së Shtetit, përkrah ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj i ka dalë në mbrojtje bluve, ndërsa renditi edhe me fakte rezultatet e punës së tyre deri më tani. Rama theksoi se nga aksioni i ndërmarrë pak kohë më parë nga policia kundër të ‘fortëve’ dhe aseteve të tyre kriminale shkon në vlerën e 35 milionë euro.

“Ka nisur edhe ky sulm konstant. Nuk besoj se duhet shumë inteligjencë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje? Çdo ditë, rëndom, në mëngjes e darkë, Policia e Shtetit është vënë në shënjestër të pandashme, baltosur, sakatuar me fjalë papushim. Kanë ndodhur shumë gjëra, por po ju them një. Deri tani, pa mbaruar muaji tetor i këtij viti Policia e Shtetit ka sekuestruar nga duart e rrjeteve kriminale 35 mln euro, të cilat në vitin e shkuar, ishin plot 47 mln euro. Para të sekuestruara nga krimi. Ndërkohë që në 2023-ën nuk bëheshin as 1 mln euro. Atëherë ka nevojë për koment? Ka nevojë për ndonjë mençuri për të kuptuar se në këto 3 vite Policia e Shtetit ka filluar një ndarje qartë me shumë interesa dhe influenca që e katandisën në një organizata juridike për punonjësit e vet. Në një organizatat pa asnjë mbështetje në burime njerëzore dhe ripërtëritëse. Akademia ka tre vjet që është hapur dhe presim me padurim që në fillim të vitit ë ardhshëm prurjet e para të shkolluara të vinë e të bëhen pjesë e kësaj organizate. Prurjet vinin nga partitë. Policia si të gjitha zyrat e shtetit u kthye në një zyrë punësimi për analfabetet, për njerëz me 8-vjeçare, të cilëve partitë në pushtet nuk i gjenin asnjë punë tjetër dhe thoshin; ‘ma merr dhe ma vish polic’. Kjo influencë dhe këto lidhje janë këputur. Jo rastësisht pavarësisht kësaj furie që ngrihet dhe ulet, por kurrë nuk bie, Policia e Shtetit nga institucioni më i pabesueshëm, bashkë me gjykatat dhe prokurorinë, për 2 vjet me radhë ka dalë nga anketimet e institucioneve të KE-së si institucioni më i besueshëm. Le të çohet një drejtues policie i këtyre 4 viteve që në këto kohë nuk ka mundur dot të ndalojë një ministër, një zyrtarë, një deputet, apo një njeri me influencë që deri para 4 vitesh pështynin në tokë dhe mbyllnin xhamin. Çfarë ka ndodhur?! Këto që po them janë aspektet të një suksesi me kosto por të vlerësuar lart nga publiku, që nuk ha as bar dhe nuk ushqehet me çorbën e politikës dhe të medias. Kanë ndodhur edhe gjëra negative, por ama le të marrim kanabisin dhe t’i referohemi fakteve dhe shifrave.”, tha Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: