Aksioni për “Pastrimin e Shqipërisë që duam” do të nisë nga guroret. Kështu deklaroi sot i ftuar në studion e lajmeve në News 24, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Ai foli për kritere të reja dhe të qarta që duhet të zbatohen nga të gjithë ata që do marrin leje mjedisore, ndërsa paralajmëroi prerë se s’do ketë më 1 mijë të tilla.

“Duhet të ketë disa kritere se ku nuk do gërmohet, se kriteret që kanë qenë nuk janë zbatuar deri më tani. Përgjegjësinë e mbajmë mbi vete. Do të jetë një sistem konkurrent me pagesa më të larta. Në fund të fundit s,do lejojmë që për të bërë biznes, ai që ka gurore të shesë mjedisin që përfaqëson jetën e përditshme të qytetarëve të këtij vendi. Kemi 1 mijë leje mjedisore nuk do jenë më kaq shumë”,- tha ai

Klosi tha se pritshmëria është që më 1 qershor të vitit që vjen, vendi të jetë shumë më i pastër, pasi ndotja ka qenë një nga problematikat më të mëdha të paraqitur nga turistët.

Me rëndësi, sipas Klosit, është që ky operacion të mos ndodhë vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në komuna, ku të goditen faktorët që shkaktojnë papastërtitë.

“E quajmë aksion, por është operacion, i cili kërkon që në 1 qershor 2018 Shqipëria të jetë shumë më e pastër pasi nuk mund të jetojmë me këtë situatë ambjentale që është vendi ynë. Pretendojmë të kemi numër shumë më të lartë turistësh vitin që vjen, dhe konstatojmë që shqetësimi i madh është papastërtia. Shumë aksione të ngjashme janë bërë, rezultatet nuk kanë qenë të këqija por pas disa muajsh ndodh e njëjta situatë.

Unë jam nga mbështetësit më të mëdhenj të reformës territorale, është bërë e shkëlqyer, dhe biseda për mjedisin shkon në të njëjtën linjë. Shërbimet që kemi në qytete të mëdha duhet ta kemi edhe në komuna. Ky aksion kërkon që aksioni të shkojë kudo. Unë kam bindjen që është një proces që s’bëhet në 1 vit as 10 vite, por në një minutë, mjafton të kemi dëshirën për të ndryshuar situatën.

Unë si ministër kam përgjegjësi, duhet të godasim faktorët që shkaktojnë papastërti. Mungon një legjislacion përkatës. Një problem i madh janë qeset e pariciklueshme, që mbeten kudo e nuk riciklohen. Ato janë ndotësit kryesorë. Në vitin 2012, kishte një ligj që ndalonte prodhimin dhe importimin e saj, akoma prodhohet e importohet sot. Duhet një ndërhyrje më  e centralizuar,” tha Klosi.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: