TIRANE- Aktorja Ornela Kapedani, e cila u vlerësua me çmimin si aktorja më e mirë protagoniste në Festivalin e Filmit në Sarajevë për filmin ‘Daybreak’ ose ndryshe ‘Dita zë fill’, vjen sot me një rrëfim për veten, ku tregon më shumë detaje nga jeta e saj artistike. E ftuar në emisionin ‘Chic’ përballë moderatores Fjodora Fjora, Ornela Kapedani, vajza nga Saranda tregon se si e nisi rrugëtimin e saj.

“Genti (regjisori) më ka kontaktuar në një periudhë kur unë kam qenë shtatzënë dhe më kërkoi që të bëja një provë. Me skenën që më dërgoi më tronditi, për shkak të gjendjes që kisha. Më pas më kontaktoi. Më dërgoi skenarin, ku u befasova. Mu desh që ta mendoja shumë se si mund t’i jepja jetë asaj historie. Një dramë që duhej të mbahej në ekuilibër që mos të bëhej melodramë. U përpoqa ta sillja ‘Letën’ (personazhin) në ambientin e shoqërisë shqiptare, që ka një përçmim. ‘Leta’ (Emri i personazhit) është një personazh i komplikuar dhe që ta gjeja këtë vërtetësi, duhet të ecja në këpucët e saj dhe të ecja në rrugët e saj. Kur erdha në Tiranë u ndesha me realitetin shqiptar, u ndesha me pjesë të vetvetes. Këtu detyrova që të zhytem në pjesë të vetvetes, por që i kisha harruar.”, tha aktorja Ornela Kapedani. Mes të tjerash ajo thekson se ka qenë me fat nga ana profesionale. “Kam qenë me fat. Kam punuar shumë në teatër, por në kinema kam gjetur diçka që është imja. Kamera nuk të fal. Teatri të jep mundësi që të kesh ritëm në skenë. Kurse në kinema ndjenja është aty. Ti jeton me rolin për sa kohë je me xhirime. Këtë gjë e dua shumë, jam tip që i përjetoj gjërat shumë”, tha aktorja, shkruan ‘BalkanWeb’.

Po ashtu, aktorja ndau me publikun një episod aspak të këndshëm, ku ishte ndjerë e paragjykuar se ishte shqiptare, pavarësisht se jetonte prej shumë vitesh në Greqi. Gjithçka lidhet me një çmim ‘aktorja më e mirë’, pasi sipas ligjit grek nuk e lejonte që t’i jepej një shtetase që nuk ishte greke. Kapedani tha se në fillim refuzonte që të merrte pasaportën greke, por kur iku në Londër, e ndjeu nevojën e saj.

“Ishte një nga momentet ku unë filloja dhe gjeja vetveten në shoqërinë greke. Ndjeva jo racizëm, por mohim. Kisha dhe një shpërthim të brendshëm dhe refuzove të flisja në konferencën për shtyp dhe thash vetëm: “Më vjen turp”. E ndjeja që të gjithë kishin nevojë që të komunikonin dhe të gjenin se çfarë është ky personazh që nuk flet. Kisha një protestë të brendshme. Nuk doja që të jepja asgjë nga vetja tek ky forum që më mënjanon. Por pas këtij debati ndryshoi ligji. Karafil Shena ishte pas meje, me rolin tek ‘Amnistia’. Dhe mediat nisën të luftonin që ky ligj hiqej. Përderisa ne jetojmë në Greqi dhe jemi pjesë e shoqërisë, nuk mund të mënjanohemi. E kisha marrë me inat, nuk dua. Në atë periudhë isha me atë idenë; unë jam shqiptare. Pasi shkova në Londër, e kuptova se më duhej pasaporta greke. Londra më ndihmoi që të krijoja këtë urë lidhëse, që unë të pranoj edhe jetën time në Greqi”, pohoi aktorja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb