PRISHTINE- Policia e Kosovës ka reaguar sot lidhur me deklaratën e zyrtarit serb Milovan Drecun-it të publikuara sot në disa portale të ndryshme, ku akuzoi se përgjatë hekurudhave të linjës Beograd-Mitrovicë ishin vendosur eksploziv.

Policia e Kosovës ka hedhur poshtë këto pretendime duke shtuar se është institucion i zbatimit të ligjit dhe në mandatin e saj ligjor ka për mision ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë e përgjithshme, ndër to duke përfshirë edhe kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve të shtetit.

“Lidhur me rastin e paralajmërimit të qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës (RKS) me datën 14.01.2017, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit operacional, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme, në rastin konkret për parandalimin e qarkullimit të trenit ilegal për në territorin e Republikës së Kosovës. Siç e kemi sqaruar edhe më parë, po e ritheksojmë dhe sqarojmë se referuar situatës së krijuar rreth qarkullimit të trenit, ka pasur deklarime dhe publikime të informacioneve të ndryshme në portalet dhe mediumet serbe, se është vendosur mjet shpërthyes (është minuar hekurudha) në territorin e RKS-së, ku për këtë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante policore, duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka ndërmarrë veprimet e saja, me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së”, thuhet në reagimin zyrtar.

Më tej policia shton se: “Policia e Kosovës edhe një herë hedh poshtë fuqishëm deklaratën e Milovan Drecun dhe të gjitha deklarimet e zyrtarëve politikë serbë, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes, me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë, deklarata këto të cilësuara si dezinformuese dhe të pavërteta. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese. Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm nuk duhet dezinformuar si në rastin konkret nga z. Drecun dhe disa mediume serbe”.

Ditën e shtunë një tren, me parulla nacionaliste pro serbe u nis nga Beogradi për në Mitrovicë, në një linjë e cila nuk funksiononte që pas luftës së Kosovës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb