TIRANE– Zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës të cilat do të mbahen më 7 maj, kanë ngjallur debate mes forcave politikë në vend. Edhe pse PD menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti Nishani, deklaroi se nuk do merrte pjesë në proces, ka hedhur akuza mbi kandidaturën e PS për këto zgjedhje.

Edhe pse deri më tani nuk ka një emër zyrtar, kandidate e PS në këto zgjedhje u përfol gruaja e kryetarit të PS në Kavajë. Ky i fundit u dorëhoq, në mënyrë që t’i hapte rrugë bashkëshortes për të kandiduar në zgjedhjet lokale.

Fill pas kësaj kanë nisur edhe akuzat nga opozita për përfshirje të këtij të funti në aktivitete kriminale, duke e cilësuar edhe si mik të Elvis Rroshit, ish-kryetar i Bashkisë Kavajë.

Në studionin e emisionit “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në “News 24”, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se pas reagimit publike të opozitës për këtë rast, edhe kryeministri Rama duhet të japë një përgjigje publike.

“PD ka bërë një denoncim konkret, dhe duhet përgjigje konkrete në këtë rast. Unë nuk e njoh rastin konkret. Kjo përgjigje i takon kryeministrit, që ka gjithë autoritetin për të verifikuar rastin. Për sa kohë ka një qëndrim publik të opozitës në raport me këtë çështje, ka nevojë edhe për një qëndrim të kryeministrit. Opozita pretendon se kryeministri vazhdon lojën me persona të inkriminuar për të fituar zgjedhjet”, tha Mediu.

Sakaq, gazetari Artan Hoxha tha se është bashkëshortja e kryetarit të PS në Kavajë është një nga 6 kandidatët që janë përzgjedhur për të kandiduar, por ende nuk është vendosur.

“Është e vërtetë që është bashkëshortja e kryetarit të PS në Kavajë, tashmë i dorëhequr. Është e vërtetë që ai është mik i Rroshit, por ajo është një nga 6 kandidatët që janë përzgjedhur dhe ende nuk është vendosur nëse do jetë ajo e kandiduar apo jo. Fakti që opozita po bën zhurmë, do të thotë se kryeministri ka mundësinë që të reagojë nëse vërtet bëhet fjalë për rekorde kriminale. Pra nëse ka vendime gjyqësore për raste të tilla, siç është denoncuar”, tha Hoxha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb