TIRANË- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj që pasoi në këtë detyrë Saimir Tahirin ka reaguar pas akuzave dhe një kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e këtij të fundit. I pyetur nga gazetarët Xhafaj deklaroi se provat që ka parë nuk e fajësojnë Tahirin.

Ai sulmoi Prokurorinë duke u shprehur se segmentë të caktuar po përdoren politikisht në një situatë të nxehtë politike.
“Me sa shoh thjesht po duan ta përdorin. Për sa i përket asaj çfarë më pyetët, nëse do më pyesnit nga pikëpamja ligjore, ajo çfarë është shkruar nga Prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe bazueshmërinë në prova. Jemi në rastin kur segmentë të prokurorisë po vetpërdoren politikisht në një situatë të nxehtë politike. Flas për aq sa kam parë dhe për aq sa janë bërë publik. Nëse prokuroria ka prova të tjera le të presim dhe t’i shohim. Para se të jem ministër, jam ligjvënës, jam jurist dhe nga ky këndvështrim po jap opinionin tim. Precedentë të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë por dhe vetë marrëdhënien parlamentare për aq sa kam lexuar. Nëse prokuroria ka prova të tjera, mbetet për t’u parë. Jam i shqetësuar dhe druaj që të mos ndodh ajo që ndodhi në operacionin e pak ditëve në Vlorë, ku para se prokurori të merrte provat në vendngjarje, mendoi si të mund të vetpërdorej politikisht për një çështje thellësisht hetimore. Gjë që është e përsëritur dhe është e dëmshme për autoritetin e organit të akuzës”, tha Xhafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: