TIRANË- Ministria e Punëve të Brendshme, (MPB) ka reaguar në lidhje me akuzat për dhunën e policisë ndaj qytetarëve të ndryshëm. Pas rastit të biznesmenit Altin Bamllari, i cili denonconte policinë dhe një prej punonjësve të policisë me emër e mbiemër se e kishin dhunuar bashkë me të birin dhe pas akuzave të kreut të PD-së, për 2 raste të tjera në Korçë, MPB thotë se po bën verifikimet. Në përfundim të tyre, sipas MPB, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të marrë edhe masat përkatëse. Ndërkohë MPB tregon edhe arsyet e ndalimit të personave në fjalë.

DEKLARATA E PLOTË E MPB
Në lidhje me njoftimet në media, sipas të cilave Policia ka ushtruar dhunë ndaj dy qytetarëve në Tiranë e Korçë, informojmë se:

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka filluar verifikimet për të gjithë punonjësit dhe strukturat e Policisë të përfshira në këto dy ngjarje.

Paraprakisht, nga të dhënat paraprake rezulton se:
Në njërin prej rasteve, konkretisht në Korçë, ku shtetasi i arrestuar Jurxhin Kulla pretendon për dhunë nga ana e Policisë, sqarojmë se Policia i është përgjigjur kundërshtimit me dhunë ndaj forcave të rendit.

Shtetasi Jurxhin Kulla ishte shoqëruar në ambientet e Policisë nga Sektori për Narkotikët dhe Trafiqet dhe është arrestuar për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.

Ky person është me precedent kriminal, pasi ka qenë i dënuar disa herë më parë:

– Në datë 10.11.2005  me vendim nr 293 të Gjykatës së Korçë është dënuar me 7 muaj e gjysmë heqje lirie për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, pasi më datën 21.06.2005 ky shtetas ka plagosur me thikë shtetasin A.K.

– Në datën 02.11.2007 është arrestuar për veprën penale “Trafikimi i Narkotikëve”,  ku është dënuar me 8 vjet burg dhe është liruar me kusht në datën 19.03.2012.

– 3 muaj pas lirimit me kusht, në datën 22.06.2012 është arrestuar sërish për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, ku është dënuar me 5 vjet burg dhe ka dalë nga burgu në datën 28.04.2015.

Për sa i përket rastit në Tiranë, sqarojmë se në datën 26.06.2016, ka filluar procedimi penal për “Mosbindje të punonjësve të policisë” në ngarkim të shtetasve:

– A.B., 46 vjeç, banues në Tiranë
– A. B., 22 vjeç, banues në Tiranë,  djali i tij.

Këta dy shtetas në datën 26.06.2016, rreth orës 00.30 minuta në Bulevardin “Bajram Curri”, duke udhëtuar me mjetin me targë TR3884 U, nuk i janë bindur shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore për të çuar mjetin në pikën e bllokimit.

Masa administrative e pashlyer prej afro 1 viti, ishte në vlerën 15.000 L (të reja) për mungesë siguracioni dhe sipas Kodit Rrugor automjeti duhet të bllokohet në pikë bllokimi deri në përfundim të procedurave.

Pas kundërshtimit të urdhrit për shoqërim të dhënë nga punonjësit e policisë, këta shtetas kanë braktisur makinën përballë ambasadës ruse dhe janë larguar me vrap në drejtim të Piramidës.

Gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, shtetasi A.B. është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime të lehta.
Policia ka bërë të mundur kapjen e tyre afër Piramidës dhe i ka shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve, këta shtetas janë proceduar penalisht për “Mosbindje të urdhrit të punonjësit të policisë”, parashikuar nga neni 242 i K.Penal.

SHÇBA vijon me verifikimin e veprimeve të punonjësve të policisë, në përfundim të të cilit do të marrë masat përkatëse.

Policia e Shtetit është e angazhuar t’i shërbejë publikut, duke kërkuar kontributin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari për të respektuar ligjin dhe rregullat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb