TIRANE – Koço Kokëdhima iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Berisha, për lidhje me të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”, duke theksuar se nuk e ka takuar dhe nuk ka folur kurrë me Klement Balilin.

Në një reagim në faqen e tij në “Facebook”, Kokëdhima thekson se Balili nuk është propozuar as prej tij dhe as prej PS-së si drejtor i KSHA Sarandë.

“Shpifja e Saliut nr. 1004 për mua. Nga dita që unë hyra në politikë 3 vjet më parë, Saliu ka bërë 1004 shpifje për mua. Kam ngarkuar dy persona ti numërojnë, dokumentojnë dhe publikojnë në një botim të posaçëm shpifjet më të paimagjinueshme të këtij maskarai . Dje në Parlament Saliu tha, se Klemet Balili është emëruar nga Kokëdhima në detyrën e drejtorit të shfrytëzimit të automjeteve në Sarandë. Ai gjithashtu tha, se gjoja Klement Balili është i afërt me mua dhe se ka financuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e qershorit të 2013. Kjo përbën shpifjen e Saliut nr. 1004. Kurrë nuk e kam njohur Klement Balilin, kurrë nuk e kam takuar apo biseduar me këtë njeri. Jam parë me të vetëm në inaugurimin e Hotelit tek ish-Kampi I punëtorëve në Sarandë, ku kam qenë së bashku me Kryetarin e Parlamentit, Ministrin Ahmetaj dhe nje grup deputetësh, Kryetarë të Bashkive, drejtues të shtypit e gazetarë. Balili nuk është propozuar dhe as emëruar si drejtor i KSHA Sarandë as nga unë dhe as nga Partia Socialiste. Ai, në këtë detyrë është propozuar dhe vendosur nga LSI. Që nga maji i 2013, që unë jam në politikë dhe asnjëherë tjetër me parë, Balilajt nuk e kanë mbështetur Partinë Socialiste as financiarisht, as materialisht dhe në asnjë formë tjetër. Nga Balilajt, unë njoh prej një viti Rigels Balilin, qysh nga qershorit i 2015. Rigelsi u vendos nga LSI si kandidaturë për kryetar të bashkisë së Delvinës. Me Kryetarin e Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili, unë kam ruajtur kontakte dhe komunikim shumë të mirë, si me gjithë kryetarët e tjerë të Bashkive në Qarkun Vlorë-Gjirokastër, ku unë punoj. Kam takuar 3-4 herë edhe Bako Balilin, kordinatorin e LSI për rrethin e Delvinës, kryesisht gjatë fushatës elektorale të 2015. Përpara vitit 2013, Balilajt nuk kanë qenë kurrë me Partinë Socialiste. Ata kanë qenë mbështetës të shpallur të Partisë Demokratike të Sali Berishës. Shpifja nr. 1004 e Saliut ndaj meje dje në Parlament, fatkeqësisht nuk u demaskua nga qeveritarët e deputetët e Partisë Socialiste, që i njohin plotësisht të vërtetat, që unë shpjegova më lart, siç i dinë edhe të gjithë banorët në Sarandë dhe Delvinë.”- shkruan Kokëdhima në faqen e tij në “Facebook”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: