TIRANE- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë një deklarate i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve nëse ai ka menduar të japë dorëheqjen për shkak të vëllait të tij që sipas PD rezulton i dënuar me 7 vite e 2 muaj burg në Itali për trafik droge. Xhafaj tha se kryeministri Rama nuk i ka kërkuar asnjëherë të japë dorëheqjen dhe ai nuk e ka menduar.

Pyetjet:
Pyetje: Z.Xhafaj sapo thatë që interesa të caktuara ju kanë shantazhuar? Në një vend ku shantazhohet Ministri i Brendshëm, si mund të jetë siguria për qytetarët, dhe deklaruat që ajo është gjithçka një sajesë, keni bërë ndonjë ekspertizë të paktën qoftë edhe me ekspertët më të mirë që ka policia e vendit deri në këto momente?
Ministri Xhafaj: Policia si institucion, në asnjë moment nuk janë përfshirë prej meje në këtë histori, në asnjë moment. Është e vërtetë që kanë bërë një vlerësim të asaj audio, në Agjenci shumë të njohura ndërkombëtare, me përgjigjen e të cilës jam njohur dje, dhe sot jam këtu për ta thënë këtë.

Pyetje: Z.Xhafaj, a keni menduar ndonjëherë gjatë këtyre ditëve për dorëheqjen për të lënë organet e drejtësisë që të hetojnë të pandikuara nga pozicioni juaj si Ministër i Brendshëm? Dhe pyetja e dytë, unë në fakt futem tek ajo kategori njerëzish që mendojnë që nuk keni përgjegjësi morale për të afërmit tuaj, por çfarë përgjegjësie morale mund të kenë policët të cilët në formularin e Vetting-ut janë pyetur edhe për të afërmit e tyre të lidhur me krimin?

Ministri Xhafaj: Në asnjë rast nuk kam menduar të jap dorëheqjen për këtë shkak. Do të jepja dorëheqjen për çdo shkak tjetër që të kishte lidhje me mua dhe me përgjegjësitë e mia në zbatim të ligjit dhe përballë qytetarëve. Për sa i përket përgjegjësive të policisë, ose më saktë asaj që spekulohet lidhur me Vettingun, të gjithë ata që bëjnë këtë deklarim, tregojnë një të dhënë të caktuar, Komisionit i duhet të provojë që kjo marrëdhënie, kjo lidhje ka ndikuar në mënyrën, në figurën e tij, në veprimin e tij, që të jetë shkak për përgjegjësi.
Pyetje: Në fakt ju dhatë shumë informacione, deri diku bëtë edhe një ‘mea culpa’ të atyre çfarë është thënë deri tani. Ne të parët kemi qenë shumë të interesuar të investigojmë dhe të shikojmë se çfarë fshihet përtej këtyre akuzave dhe të shkohet deri tek e vërteta. Pyetja e parë do ishte, këto dokumente që ju sapo na thatë, dhe i bëtë publike dhe për opinionin publik, a i keni dorëzuar më parë në Prokurori, sepse dihet që Prokuroria e Përgjithshme ka nisur tashmë nga ana e saj një hetim, në lidhje me këto akuza dhe insistoj sërish tek pyetja e Eljas. Ju thatë vetë që unë nuk kam as frikë në shantazhet dhe as në sulmet politike. Atëherë pse nuk jepni dorëheqjen për të vënë përpara hetimit dhe për të qenë më transparent dhe më imun dhe imuniteti juaj si Ministër dhe mendoni që e gjithë kjo histori është një farsë apo ka dhe informacione të tjera, keni hulumtuar deri-diku. Flitet që ju nuk keni pranuar që në fillim të jepni dorëheqjen pavarësisht se Kryeministri ua ka kërkuar. Mund të na zbardhni pak a shumë të vërtetën rreth kësaj? Faleminderit!

Ministri Xhafaj: Së pari nuk ka një çështje për të cilën unë duhet të çoj një dokument në Prokurori. Ata që kanë një çështje kanë çuar dokumente në Prokurori. Im vëlla, në rastin konkret, ka shkuar në Prokurori, ka bërë kallëzim, ka dhënë dhe deponim dhe ka bërë gjithë veprimet e nevojshme sipas ligjit. Lidhur me dorëheqjen, Kryeministri nuk më ka kërkuar asnjëherë dorëheqjen, për kërshërinë tuaj. Dhe nuk shoh që në asnjë gjë, asnjë shkak, asnjë arsye për dorëheqjen time në këtë rast.
Pyetje: Pyetja ime është, siç e thatë edhe ju vëllai juaj ka qenë i mbrojtur nga një avokat dhe ka ndjekur gjithë procesin e tij në Itali. Pse duhej kjo zhurmë mediatike që t’ju përfshinte ju që ai të dorëzohej në autoritetet italiane dhe të kryente dënimin që pavarësisht se e ka bërë në një moshë të re sërish është një veprë penale e kryer prej tij?

Ministri Xhafaj: Besoj se i ka dhënë ai shpjegimet në deklaratën publike që ka bërë. Është çështje e tij dhe ai i ka dhënë shpjegimet.

Pyetje: Se nuk është një situatë shumë e zakonshme që dy vëllezër njëri të jetë Ministër i Brendshëm dhe tjetri në burg…
Ministri Xhafaj: Sigurisht, për pjesën e tij i ka dhënë ai.

Pyetje: Në lidhje me akuzat ndaj vëllait tuaj, gjatë kësaj kohe, a ka qenë në kërkim ndërkombëtar dhe pse nuk është zbatuar një urdhër arresti ndërkombëtar lidhur me akuzat që ka bërë kryesisht opozita. Dhe a mendoni që hetimet për ekspertizën, që kanë nisur tashmë nga prokuroria, do të ndikohen nga pozicioni juaj si Ministër i Brendshëm?
Ministri Xhafaj: Së pari, sipas të gjitha të dhënave që kam, zyrtare, nuk ka pasur kurrë një kërkim ndërkombëtar nga pala italiane dhe nga asnjë shtet tjetër në ngarkim të vëllait tim që ta vinte në lëvizje Policinë e Shtetit, Prokurorinë dhe organet e tjera. Sa i përket hetimit, unë nuk jam pjesë e çështjes penale që të pengoj hetimin.

Pyetje: Z. Xhafaj, a keni ju informacion se cili është statusi aktual i shtetasit Agron Xhafaj në Itali, a është marrë ai në pyetje, kur pritet që të dalë para gjykatës për ndoshta një riverifikim? Dhe, së dyti, në kohën që keni qenë Ministër Drejtësie, ju jeni autor i një prej ligjeve më të rëndësishëm, atij “Antimafia”, sipas të cilit, në momentin që një person dënohet, familjarët e tij, pasuria e tyre, kalon në sitën e sekuestros dhe të barrës së provës. Ju, a do ta zbatoni ligjin që e keni hartuar e miratuar vetë?
Ministri Xhafaj: Unë besoj se duhet të jeni kaq në dijeni që ai është një proces penal i mbyllur, thjesht është në ekzekutim dhe ai ka shkuar atje, vullnetarisht, për ta ekzekutuar vendimin. Për sa i përket ligjit antimafia, godet pasurinë e personave të dyshuar. Që ligji të veprojë duhet të ketë të dhëna të besueshme që pasuria të jetë produkt i veprimtarisë kriminale dhe jo në çdo rast. Së pari, nuk ka një çështje konkrete të hapur për këtë gjë dhe së dyti në dijeninë time, im vëlla nuk ka pasuri të kësaj natyre. Mbetet që ta investigojnë organet përgjegjëse.

Pyetje: Opozita paralajmëroi se do të vijojë protestën deri në dorëheqjen tuaj. Si do ta kaloni këtë situatë z.Xhafaj?
Ministri Xhafaj: Duke bërë detyrën time me përgjegjësi të plotë në raport me kushtetutën dhe me ligjin.

Pyetje: Ju jeni subjekt i ligjit antimafia, si person që keni njohuri juridike, a jeni pjesë e këtij subjekti?
Ministri Xhafaj: Në kuptim teorik të ligjit po, në kuptim praktik jo. Përsa kohë që nuk ka ende një çështje të tillë dhe nuk ka një akuzë të tillë.

Pyetje: Opozita deklaron se nuk është ekzekutuar një urdhër arresti ndërkombëtar për vëllain tuaj, pasi ai kishte ndryshuar emrin në gjendjen civile. Sa qëndron kjo?
Ministri Xhafaj: Mund t’i bëni kërkesë Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Republikës që t’ju japi të gjithë informacionin e nevojshëm. Në asnjë rast në asnjë formë nuk ekziston një kërkesë ndërkombëtare ndaj vëllait tim.
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: