TIRANE- Avokati Spartak Ngjela përmes një statusi në ‘Facebook’ ka reaguar lidhur me akuzat që po bëhen në drejtim të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke i dalë në mbrojtje.

Ngjela tha gjithçka ndodh në Tiranë është komedi, ndërsa shtoi se: “Hajdutët në Tiranë po bërtasin me thirrmë çjerrëse : “kapni hajdutin”. Kurse amerikanët kam përshtypjen se po qeshin”.

Kujtojmë se prej disa ditësh PD ka akuzuar ministrin Xhafaj se ky i fundit po mbron vëllain e tij Agron Xhafaj, pasi pretendohet se është i përfshirë në trafik droge. Po ashtu dje PD publikoi një audiopërgjim ku thuhet se fliste vëllai i Xhafajt me trafikantë droge. Ndërkohë opozita kërkon dorëheqjen e Xhafajt.

REAGIMI I NGJELËS
Të korruptuar të lartë të Shqipërisë!
Po lodheni kot se është e pamundur që me një logjikë fëminore të mund të bindini politikën amerikane.
Sot i gjithë korrupsioni kryeministror shqiptar: edhe ky Rama edhe ai Berisha shihet se janë hedhur në sulm kundër ministrit të Brendshëm Xhafaj.
Po pse?
Sepse atë e mbështet Uashingtoni në luftë kundër korrupsionit shqiptar aktual.
Po mirë: nuk e kuptojnë këta fakirë të kapur në abuzim se këtë gjë e kuptojnë edhe amerikanët?
Po mirë: Pse, ministri Xhafaj do prishë marrëveshjen me politikën e lartë amerikanë kundër korrupsionit shqiptar, për “mustaqet e Çelos”?

Asgjë… ai është ministri anti korrupsion i aleatit të madh të Shqipërisë. Po nuk besoj se mund të bindet politika amerikane nga psherëtimat dëshpëruese të korrupsionit të lartë shqiptar, kur të gjithë këtë korrupsion, individualisht, ai e ka tashmë të skeduar në analet e tij në Uashington.

Kjo është një komedi… hajdutët në Tiranë po bërtasin me thirrmë çjerrëse : “kapni hajdutin”. Kurse amerikanët kam përshtypjen se po qeshin.
Po pse po qeshin?
Do të vijë koha të shpjegohet edhe kjo…
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: