Agjencia e lajmeve “Al Jazeera” ka shkruar një artikull rreth krizës së emigrantëve me titull “A është Shqipëria ndalesa e radhës e refugjatëve?” Shqipëria një vend që ka vetë një histori të ngjashme emigrimi, mund ta gjejë veten së shpejti në qendër të krizës së refugjatëve në Evropë. Sot, situata politike në Shqipëri është stabilizuar disi, megjithatë rreth 100 km larg kufirit Greqi-Maqedoni, dhjetëra mijëra refugjatë kryesisht sirianë dhe irakianë vazhdojnë të vijnë. Mbyllja së fundmi e rrugës ballkanike dhe përshkallëzimi i shpejtë i krizës humanitare në Greqi po i drejton shumë refugjatë të mendojnë nëse Shqipëria është e gatshme për një fluks emigrantësh në një tjetër kufi të Shqipërisë, shkruan Al Jazeera.

Duke hyrë në Shqipëri përmes Greqisë, terreni duket i vështirë, male, humnera, pyje të dendura dhe shenja që përgjatë autostradës paralajmërojnë për arinj dhe ujqër.

“Ata vijnë me mijëra çdo natë, të veshur me rroba të leckosura, disa me fëmijë në krah. Duke sfiduar temperaturat nën zero ata ngjiten më këmbë nëpër terrenin me dëborë në malet e thepisura shqiptare. Raportimet për anijet me refugjatë siç po ndodh aktualisht, ishin të zakonshme në vitet ’90 në Shqipëri, ku mijëra shqiptarë pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës kalonin ilegalisht Adriatikun, shkruan AJ.

Sakaq, vazhdojnë të diskutohet detaje rreth marrëveshjes së arritur mes BE-së dhe Turqisë, e cila parashikon se të gjithë refugjatët dhe emigrantët që arrijnë në ishujt grek do të kthehen në Turqi. Ndërkohë mbetet ende e paimagjinueshme që numri në rritje i refugjatëve në kufirin e Maqedonisë mund të kthehet në mbrapsht ose të mbetet thjesht një dëshirë e parealizuar për të arritur në vendet e dëshiruara të Evropës veriore.

Por edhe nëse refugjatët arrijnë të hyjnë në territorin shqiptar, pyetja shtrohet nëse ky vend kaq i varfër ka infrastrukturën e duhur për t’i akomoduar ata.

Al-Jazeera citon përfaqësuesen e UNHCR-së në Tiranë, Marie Verney e cila thotë se pavarësisht se janë disa baraka ushtrie gati për emigrantët, ka mungesë stafi dhe burimesh.

“Kanë disa baraka ushtrie në kufirin jugor – thonë që janë gati të përdoren për akomodim, por nuk janë gati. Ka mungesë stafi dhe burimesh. Ka një pikëpyetje të madhe këtu. Imagjinoni, ka mijëra njerëz në Greqi, po kur sheh Shqipërinë, pas disa pak qindrave kapaciteti tejkalohet shumë shpejt.

Çfarë ndodh pastaj? Qeveria shqiptare ka qenë jashtëzakonisht ngurruese të angazhohet publikisht me çfarëdo planifikimi sepse thonë ‘nëse flasim për këtë në media, refugjatët do nisen të vijnë’. Por ne u themi, ‘ata do të vijnë, bëni ose nuk bëni ju ndonjë plan’”, thotë Verney.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një deklarate në shkurt është shprehur se Shqipëria nuk ka as kushtet as fuqinë dhe as entuziazmin për të shpëtuar botën ndërkohë që vendet e tjera po mbyllin kufijtë e tyre, shkruan më tej Al Jazeera.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: