Nga: Shaban MURATI
Rrënjët folklorike me sa duket i pengojnë qeveritë dhe diplomacitë e vendeve ballkanike të ndjekin dhe të kuptojnë tendencat dhe prirjet negative të zhvillimeve rajonale. Të indoktrinuar nga lavazhet ideologjike të kozmopolitizmit dhe të internacionalizmit nuk vërejnë se poshtë dyshemesë së ahengjeve diplomatike ballkanike një kazan zien ngadalë. Është kazani i armatosjes së shpejtë dhe në rritje të Serbisë nga Rusia. Ngrohtësia e rrezikshme e këtij kazani ndezi llambat e alarmit në SHBA, por jo në “Ballkanin Perëndimor”, kur duhej të ishte e kundërta dhe ballkaniko-perëndimorët të jepnin të parët alarmin e rrezikut, që e kanë te dera.

Në 14 korrik Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi një rezolutë, në të cilën i kërkon Departamentit Amerikan të Mbrojtjes që të raportojë për bashkëpunimin ushtarak ruso-serb. Kongresisti i mirënjohur amerikan Eliot Engel deklaroi se rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve është pjesë e Aktit Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2018. Kongresisti paraqiti një tablo të shpejtë të armatosjes së ethshme të Serbisë nga Rusia dhe tha se Rusia kohët e fundit i ka dhuruar Serbisë armatime me vlerë 600 milionë dollarë, përfshirë 6 avionë gjuajtës MIG-29, 30 tanke T-72, 30 autoblinda, etj. si dhe po përgatitet të marrë sistemet e raketave ruse S-300.

Se sa i drejtë është shqetësimi i Kongresit amerikan e dëshmoi fakti që në datën 21 korrik agjencia ndërkombëtare ruse e informacionit “Sputnik” transmetoi deklaratën e drejtorit të Shërbimit Federal rus të bashkëpunimit ushtarako-shkencor, Dmitri Shugaev, që njoftoi se Rusia ka diskutuar me Serbinë furnizimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore me raketat ruse S-300. Furnizimi i Serbisë me sistemin e raketave ruse S-300 u diskutua konkretisht vitin e kaluar gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit rus Dmitri Rogozin, i cili i dhuroi presidentit të sotëm serb Aleksandër Vuçiç një model të raketave S-300.

Armatosja e ethshme e Serbisë nga Rusia është një zhvillim negativ, i cili mori hov sidomos pas krizës ukrainase dhe Moska nisi një strategji tensionesh në gadishullin e Ballkanit. Është një zhvillim negativ, i cili nuk është më i fshehtë dhe nuk ka nevojë për institucione të posaçme, që të dedektohet. Armatosja e Serbisë nga Rusia me armë të sofistikuara nuk është dhe nuk mund të jetë fakt vetëm i marrëdhënieve dypalëshe Rusi-Serbi. Ai është një lloj dhe një cilësi bashkëpunimi i aleancës strategjike Rusi-Serbi, që cenon interesat strategjike të secilit shtet ballkanik dhe, gjithashtu, edhe stabilitetin e rajonit.

Armatosja e Serbisë nga Rusia ka dhe do të ketë më shumë në të ardhmen efektet e saj negative në ekuilibrat rajonalë të Ballkanit. Kongresisti amerikan Eliot Engel, një nga njohësit më të mirë të çështjeve ballkanike, deklaroi me rastin e miratimit të rezolutës së mësipërme: ”Unë kam një shqetësim në rritje për zgjedhjet që po bën Beogradi në çështjet ushtarake dhe të sigurisë. SHBA duhet të ndjekin më nga afër lidhjet ushtarake ruso-serbe dhe të gjykojnë implikimet e tyre për sigurinë kombëtare të Amerikës dhe impaktin mbi fqinjët e saj”.

Nëse lidhjet ushtarake ruso-serbe dhe armatosja e Serbisë me raketat ruse kanë impakt në sigurinë kombëtare të Amerikës, si nuk paskan impakt në sigurinë kombëtare të shteteve të Ballkanit? Ndaj është e pakuptueshme dhe e papranueshme mungesa e reagimit të qeverive dhe të diplomacive ballkanike lidhur me këto zhvillime të rrezikshme. Shtetet e Ballkanit duhet të bëjnë pyetjen e thjeshtë se, përse po armatoset Serbia me kaq nxitim me raketa nga Rusia.

Është e qartë se Serbia nuk armatoset për të siguruar festivalet allasovjetike të rinisë, që propaganda kozmopolite ballkaniko-perëndimore po i paraqet si novacion i “mirëkuptimit ballkanik”. Serbia po armatoset që të bëhet fuqia më e madhe ushtarake në Ballkan, që të jetë në gjendje jo vetëm të ushtrojë presion dhe shantazh ushtarak mbi shtetet ballkanike, por edhe që të marrë një rol gardiani ushtarak për të mundur ta mbajë Ballkanin nën kontroll. Serbia po armatoset nga Rusia si kundërpeshë dhe si kërcënim ndaj vendeve anëtare të NATO-s në Ballkan. Është edhe një përpjekje ruse për të penguar anëtarësimin në NATO të atyre pak shteteve ballkanike, që janë ende jashtë NATO-s dhe që Moska kërkon t’i mbledhë rreth Serbisë, si Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Serbia po armatoset nga Rusia që të jetë në gjendje të bëhet një pol aktiv ushtarak në strategjinë ruse në Ballkan. Serbia është i vetmi shtet ballkanik që zyrtarisht është kundër NATO-s. Moska për të justifikuar dërgimin e raketave ruse në Serbi propagandon, siç deklaronte në 21 korrik drejtori i Akademisë Ruse të Çështjeve Gjeopolitike, Konstantin Sivkov, se Serbia po merr raketat që të mbrohet nga një agresion i mundshëm i NATO-s.
Shkrimin e plotë e gjeni në Gsh.al duke klikuar tek linku:  http://www.gsh.al/2017/07/24/alarm-i-shba-per-armatosjen-e-serbise-ballkani-hesht/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: