Nga Elda Menga

TIRANE-Më shumë se gjysma e njerëzve të drejtësisë rezulton të mos kalojnë Vettingun për shkak të fshehjes së pasurisë apo konfliktit të interesit. Kreu i ILDKPI, raportoi në Kuvend shifrën alarmante të konstatuar gjatë verifikimit të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve për vitin 2017.

“Rezulton që 50% e tyre të kenë probleme, qoftë për fshehje të pasurive, qoftë për deklarime të rremë, qoftë për raste të konfliktit të interesit. Është një numër shqetësues, jashtëzakonisht i lartë. Vetëm për pjesën e pasurisë, aq sa ne jemi të lejuar të bëjmë, shifra është arritur të 50.1%”, u shpreh Ganaj.

Nëse mbahet ky trend vitin e ardhshëm vendi mund të mbetet pa Gjykatë Apeli, parashikoi kryeinspektori Shkëlqim Ganaj.
“Pjesa e gjyqtarëve të Apelit është pjesa me përqindjen më të lartë të problematikës. Duke parë që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksioni, Gjykata e Lartë është me mangësi të mëdha, unë mendoj që vitin tjetër ne do të jemi edhe pa Gjykatë Apeli me këtë trend, që të paktën duket nga të dhënat e para”, paralajmëroi kryeinspektori i ILDKPI.

Deputete e pyetën kryeinspektorin se si ka mundësi se nga hetimi i komisioneve të Vettingut shifra e njerëzve me probleme rezulton të jetë më e ulët nga sa raporton ILDKPI.

“Inspektorati është i kufizuar në atë që bën, ata janë të pakufizuar. Ne mund të kontrollojmë vetëm në pak kohë, ata nuk kanë as kufi kohor”, u shpreh Ganaj.

Në raportin vjetor që Shkëlqim Ganaj dorëzoi ne Kuvend konstatohet se spiunët brenda kompanive shtetërore edhe private të njohur me ligj si sinjalizuesit kanë filluar të funksionojnë por numri i denoncimeve është shumë i ulët. Për vitin 2017 sinjalizuesit kanë denoncuar vetëm 8 raste të dyshimta për konflikt interesi apo falsifikim.

(BalkanWeb)