TIRANE- Perlat e muzikës shqiptare nën tingujt e magjishëm të violinës së Shkëlzen Dolit, kanë përcjellë emocione të shumta në sheshin ‘Skëndërbej’.

Violinisti shqiptar i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, ka sjellë mbrëmjen e të shtunës në sheshin “Skënderbej” një show të mrekullueshëm muzikor unik.

I shoqëruar edhe nga instrumentistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Vjena, Doli performoi muzikë për të gjitha grupmoshat dhe të gjithë artdashësit në sheshin e tej mbushur të kryeqytetit.

Në pjesën e parë të këtij koncerti, violinisti Doli përcolli magjishëm muzikën e trevave shqiptare, si ‘Valsi i Lumturisë’, ‘Vajta kalova gjithë Kalabrinë + Tarantelë nga Kalabres’, ‘Pranvera në Prishtinë’, ‘ Rrisim jetën tonë’, ‘Këngët e rinisë’, ‘Potpuri Korçare’.

Ndërsa në pjesën e dytë të koncertit, u performuan pjesë klasike të njohura nga anëtarë të Filarmonisë së Vjenës si ‘Shostakovich: walzer nr. 2’, ‘Tango: Jalousie’, ‘Liszt: Ungarische rhapsodie’, ‘Debussy: Clair de Lune’, ‘Lara: Granada’, etj.

Me projektin e tij “Albanian Soul”, violinisti Doli synon të bëjë promovimin më të madh të muzikës shqiptare jashtë kufijve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb