NGA Dr. Brunilda Laboviti & Krisalda Sauli*

Qenia njerëzore evoluojë duke jetuar brenda natyrës, pranë lumenjve dhe në brendësi të pyjeve. Karakteristikë është fakti që kur fëmijët janë të lirë të vrapojnë, zgjedhja e parë instiktive është të drejtohen në mjedisin më të afërt natyrorë. Natyra ka një ndikim direktiv, pozitiv në zhvillimin psikologjik, fizik dhe social të fëmijës. Ndër vite, mjediset natyrore kanë qenë pika takimi të rëndësishme ku fëmijët argëtoheshin përmes lojës.

Ndërsa sot, konstatohen kufizime në aleancën mes natyrës dhe individit. Fëmijët sot kanë shumë më pak mundësi për të ndërvepruar me hapësira të gjelbra dhe të vinë në kontakt të vazhdueshëm me natyrën. “Shoqëria e frikës” ka krijuar tension te prindërit të cilët tentojnë të mbrojnë fëmijët nga rreziqet potenciale jashtë mureve të shtëpisë. Ndërsa, po kjo shoqëri e cilësuar si “shoqëria e betonit dhe e komercialitetit” tenton të mbushi qëndrimin në shtëpi me marrëdhënie virtuale dhe kontakte ikonike. Pasojat janë të shumta dhe ndikojnë në zhvillimin e shëndetshëm bio-psiko-emocional të fëmijëve.

Ndikimi i mjedisit natyrorë në zhvillimin e fëmijës
Zhvilllimi i referohet të gjitha ndryshimeve fizike, biologjike, konjitive, sociale, emocionale e të personalitetit që ndodhin gjatë gjithë hapësirës jetësore të njeriut. Zhvillimi shumëdimensional i individit, përfshinë një terësi procesesh, të cilat lidhen ngushtë me faktorin moshë. Ky faktor është i ndikuar nga stimuj të brendshëm, por dhe të jashtëm, mjedisorë e shoqëror. Një individ shfaq dëshirë për të eksploruar e ndërvepruar me mikromjedisin ku rritet,dhe shumë më tepër me makromjedisin, përtej mureve të shtëpisë. Fëmijës i duhet që të njohë strukturën mikro, ta përvetësojë me qëllim të ndjejë siguri dhe të vendosi bazat për një ndërveprim të suksesshëm në mjedisin makro.

a. Zhvillimi fizik
Natyra dhe gjelbërimi kanë ndikim direktiv në zhvillimin fizik të fëmijës. Studime të shumta tregojnë se qëndrimi në hapësira të gjelbra, lojërat, shëtitjet, ekskursionet, piknikët në natyrë rrisin aktivitetin fizik dhe shmangin obezitetin. Ajri i pastër dhe lëvizja janë aleat të fuqishëm të shëndetit të mirë. Fëmijët që luajnë në mjedise të hapura natyrore kanë oportunitetin të vrapojnë, të eksplorojnë, të nuhasin aromat, të dëgjojnë dhe të krahasojnë tingujt e natyrës.

b. Zhvillimi konjitiv dhe emocional
Mjedisi natyrorë stimulon tërësinë e elementëve konjitiv dhe krijon një impakt të fuqishëm emocional te fëmija. Natyra i mundëson fëmijës të argëtohet, të zhvillojë imagjinatën, të orientohet me lehtësi në kohë dhe në hapësirë, të eksplorojë sekrete e natyrës, të mësojë të kujdeset për vete, të fitojë pavarësinë e autonominë, të ketë humor të mirë, të ndjejë siguri, paqe, besim.

Gjithashtu, mjedisi natyror i krijon kushtet e favorshme fëmijës që të jetë aktiv, të ndihet i qetë, të mendojë konkretisht, të zhvillojë abstragimin, të nisi aktivitete nga fillimi kur kupton se gabon, të zhvillojë intuitën, të përvetësoje dije lehtësisht duke qenë më i vëmendshëm, të ketë zell për të punuar e për t’u ushtruar në veprimtari të larmishme, por kryesisht të ndjejë se po jeton fëmijërinë i lirë dhe i motivuar. Hulumtimet tregojnë se fëmijët që kanë një marrëdhënie të mire me natyrën ndihen të lumtur, duke qenë se mjedisi i gjelbër ka ndikim në minimizimin e emocioneve negative, qetësinë shpirtërore, rritjen e kreativitetit e krijimtarisë, shtimin e kuriozitetit, pakësimin e stresit dhe rritjen e përqendrimit te vetja.

c. Zhvillimi social
Natyra për fëmijën është largimi nga rutina e zakonshme dhe një mundësi për përjetime psikoemocionale të fuqishme. Mjediset natyrore ndihmojnë në krijimin dhe zhvillimin e respektit e përgjegjësisë ndaj tokës. Studiuesit kanë konstatuar se fëmijët të cilët kanë marrëdhënie direktive me natyrën, krijojnë lidhje më të forta ndërpersonale me individ të afërt e miq dhe kanë vetëvlerësim të lartë. Kjo mund të kuptohet lehtësisht, nëse i referohemi shembullit se miqësitë e ngushta ndërtohen në një park, dhe jo përballë një ekrani.

Për më tepër, loja në mjedise natyrore, eksplorimi i hapësirave, i mundëson fëmijës përballjen me personalitete të ndryshëm të cilët i përforcojnë konceptin e socializimit. Natyra është një mjedis aq sa i qetë e aspak frustrues për fëmijën aq dhe i sigurt, për faktin se ka rregulla e norma. Fëmija përmes eksplorimit zbulon se si duhet të sillet dhe çfarë pasojash mund të ketë një reagim jo adekuat me normat.

Domosdoshmëria e krijimit të aleancës fëmijë-natyrë
Fëmijëria e mesme është periudha kyç në ndërtimit e marrëdhënies mes fëmijës dhe natyrës. Kjo periudhë kohore, gjatë së cilës fëmijët përdorin eksplorimin e natyrës si një formë për të fituar autonominë e tyre, përkufizohet si stadi i “periudhës së tokës” (earth period) (Kellert, 2002).
Sobel, një studiues, zhvillojë eksperimente me fëmijë të moshave e aftësive konjitive të ndryshme, me qëllim analizën e marrëdhënieve ndërpersonale dhe emocionale që ata ndërtojnë. Rezultatet e tij mund të përmblidhen në disa pika (Sobel, 1993):

o Mosha 4-7 vjeç: Gjatë kësaj periudhe kohore, fëmijët fillojnë të eksplorojnë mjedisin, por deri në moshën 7 vjeç shtëpia është qendra e botës.
o Mosha 8-11 vjeç: Në këtë fazë moshore për fëmijët, shtëpitë e tyre bëhen më pak të rëndësishme dhe eksplorimi transferohet në mjediset jashtë atyre mureve. Në këtë mënyrë, fëmijët fillojnë të ekspolorojnë mjedise natyrore, parqe me gjelbërim dhe mjedise të tjera që janë në afërsi të shtëpisë së tyre.
o Mosha 12 vjeç: Mjedisi social-komercial i dyqaneve fillon të joshë fëmijët dhe stadi i “periudhës së tokës” po braktiset.
o Mosha 17 vjeç: Përkufizohet si “periudha e benzinës” (gasoline period) dhe iniciohet me makinën e teknologjinë në qendër të botës së fëmijës.

Fëmijët sot janë socializuar në mjedise të mbyllura, ku më shumë i korrespondojnë një eksperimentimi social sesa një zhvillimi të shëndetshëm. Një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve, kanë mungesë të përshtatjes në një mjedis natyrorë, të gjelbër me një hapësirë jo të kufizuar. Fëmijët tashmë, janë duke u aktivizuar në pjesën më të madhe të kohës vetëm, brenda apartamenteve e dhomave ose në rastet më të mira në lojëra për fëmijë në mjedise komode, por shumë larg nga gjelbërimi dhe natyra.

Është një “burgosje” e fëmijërisë, një “vjedhje” e së drejtës për të shijuar periudhën e fëmijërisë i lirë, i sigurt dhe i lumtur. Kjo lloj “vjedhje”, natyrisht ka dhe pasoja. Kur fëmijët nuk dalin mjaftueshëm jashtë, ata rrezikojnë të zhvillojnë një lloj pikëllimi që, në aspektin informal, konsiderohet si “sëmundja e mungesës së natyrës”, që haset zakonisht në vitet e zhvillimit më të vrullshëm të dikujt.

Për ta përmbyllur, natyra dhe aktivitetet në mjediset e gjelbra mund t’i edukojnë fëmijët për njohuri që nuk i nxënë në literaturën shkollore, në televizorë ose internet. Fëmijët do e duan natyrën nëse kalojnë mirë, ndaj duhet të motivohen të marrin pjesë në aktivitete jashtë katër mureve të shtëpisë. Këto aktivitete nuk kushtojnë, përkundrazi i japin shumë favore fëmijëve, i zhvillojnë drejtë të gjitha dimensioneve jetësore dhe i largojnë nga ngarkesa emocionale negative. Të gjithë fëmijët do të bëhen të rritur, por asnjë i rritur nuk do bëhet sërish fëmijë. Ndaj në jetë le të humbas gjithçka, por le mos të humbas fëmija që çdokush ka brenda vetes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: