TIRANE- Aleati i Lulzim Bashës, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi teksa komentoi sot situatën politike brenda PD-së tha se një pjesë e përgjegjësisë për hartimin e listave e kishte edhe ish-lideri Sali Berisha.

I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ të gazetares Nisida Tufa në “News24” Shehi tha se Berisha ka bashkëudhëhequr Partinë Demokratike për 4 vite me radhë me Bashën, ndaj dhe sipas tij ai duhet të reagonte me herët, raporton ‘BalkanWeb’.

“Zoti Berisha i ka të drejta komentet për listat. Por është në moment të vonuar. Berisha nuk mund të dali asaj përgjegjësie, sepse ka ‘bashkëqeverisur’ me Bashën për këto 4 vite. Ai duhet t’i hapte këto debate dhe të bëhej pjesë e këtij debati. E quaj konsenguencë të një morali të gabuar që kryetari merr dhe vendos çdo gjë. Këtë gjë e bëri edhe Berisha, por ai kishte qëndruar në pushtet më gjatë. Basha ka përdorur të njëjtin model, por pa pasur armët e Berishës dhe ka krijuar kontradiksion. Kur erdhën europianët që të hynim në zgjedhje, miqtë tanë të vjetër na ofruan një marrëveshje më të mirë sesa ajo e Bashës me Ramën. Dhe PD, Basha dhe Berisha bënë një gabim të madh, i humbën nja 10 % të PD. Mendoj se Berisha duhet të reagonte. Ne reaguam disa herë njëherazi, por ne s’kemi peshën e tyre. I ramë me shkelm marrëveshjes me ndërkombëtarët dhe humbëm zgjedhjet me marrëveshjen me Ramën. Mirë se të vijë dhe zoti Berisha me kritikat e veta, është në shtëpinë e vet. Ai ka të drejtë t’i thotë të gjitha. Por nuk shmanget njeri nga përgjegjësia”, – tha Shehi.

Mes të tjerash ai shtoi se PD me marrëveshjen me Ramën braktisi linjën ideologjike të së djathtës.

“Çdo lloj materiali ka nevojë për një telajo politike, pastaj hajde ti vëmë sipër ato kompensata. Pa një shef, pa një lider nuk shkojnë punët si duan. Zoti Basha nuk është se ishte shkëlqim, por ka një avantazh në krahasim me të tjetër. Kam qejf t’ja them; ka kohën, moshën. Por duhet ta provojë. Ne braktisëm linjën ideologjike të së djathtës, kemi përpara një të majtë. Kur të djeg qulli, i fryn kosit. Kjo nuk ka më vlerë. Gjysma e këtyre shqiptarëve qëndruan në shtëpi. Se nuk votojnë të majtën. E majtas mbajti të vetët, ne humbën tonët”, theksoi ai.

Po ashtu, ai bëri të ditur se janë pranuar kushtet e zotit Basha për reformën zgjedhore për votim dhe numërim elektronik dhe se për këtë janë dakord të gjithë aleatët e koalicionit opozitar. “Ky proces është vazhdimi i asaj që ishte beteja parazgjedhore, për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku ishte numërimi elektronik. Zoti Basha bëri mirë që e rifilloi aty ku e kemi lënë. Tani kohë kemi, plot ndoshta jo, por mjaftueshëm. Para do gjenden, se këtu janë gjetur për sheshe. Këto faktor nuk janë më. Le ta fillojmë me këtë. Ky ka qenë debati që kemi bërë dhe për këto jemi dakord. Ne kemi rënë dakord për këtë pjesë të parë. Për pjesën e dytë them që t’i nënshtrohet një debati të thjesht publik. Gjykoj se sot askush nuk ka një formulë të artë për sistemin e zgjedhjeve” pohoi Dashamir Shehi.

Ai nënvizoi faktin se votimi dhe numërimi elektronik do të shmangin vjedhjen e votës. “Numërimi elektronik dhe votimi elektronik shmang shumë gjëra. Procesi do jetë i gjatë, hapat do jenë të vogla. Por kërcimi më i madh bëhet me numërim elektronik, dhe pjesa tjetër duhet sensibilizim. Tema është më e thjesht sesa votimi”, tha Shehi.

Teksa u ndal tek debati në kryesinë e PD-së mes Jemin Gjanës dhe Valbona Mezinit, Shehi tha se ka ardhur dita që partia të hapet, të bëhet e debatueshme dhe të ringrejë institucionet.

“I përkasin një partie tjetër dhe s’do ishte korrekte që t’i komentoja. Meqë kemi hipur në një barkë opozitare dhe ndajmë të njëjtat përgjegjësi, gjykoj se na lind e drejta që të flasim. PD është e madhe dhe ka flamurin dhe timonin e kësaj barke. Unë gjykoj se në ndryshim nga të tjerët që e kanë traumatizuar, se po ndodh kulmi botës, për herë të parë po ndodh një debat brenda PD. Ndaj them se duhet të shpërthejë. Ne të gjithë kemi rrjedhur nga kjo lloj politike. Ka ardhur dita që partia të hapet, të bëhet e debatueshme dhe të ringrejë institucionet. PD ka bërë një kryesi që janë 50 vet, që s’ka kryesi. Nuk mund të marrin 50 vet vendime, duhen një grup më i vogël njerëzish. Merr kot garrum dhe futi në kryesi dhe s’prodhojnë produktivitet”, tha Dashamir Shehi, përcjell ‘BalkanWeb’.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: