NGA: ERMELINDA HOXHAJ* TIRANE – Numri i personave të prekur nga alergjitë çdo ditë po vjen në rritje, duke prekur edhe moshat pediatrike. Tezat e ngritura nga specialistët në mbarë botën janë të ndryshme, por ato që mbizotërojnë janë: higjiena dhe ndotja. Alergjitë janë më të shpeshta dhe më të përhapura, pasi u shtohen edhe pacientët sezonalë që kanë alergji nga polenet. Sipas mjekes alergologe Gjustina Loloçi, një problem në vendin tonë është dhe trajtimi i gabuar i alergjive, pasi shpesh ato trajtohen nga persona që nuk janë specialistë për alergjitë, duke sjellë kështu agravimin e situatës së një pacienti, deri dhe në astmë bronkiale. “Shpesh bëhet diagnostikim i gabuar i rinitit alergjik, duke i ngatërruar si viroza”, – tha alergologia Loloçi. Sipas saj, duke iu referuar statistikave botërore, rezulton se në popullsinë e një vendi rreth 25% e popullsisë vuan nga një lloj alergjie, por edhe në botë problemet me alergjitë janë në rritje. Më të rrezikshme janë alergjitë nga pickimi i insekteve të cilat mund të jenë deri vdekjeprurëse. Ndërsa riniti alergjik është sëmundja më e shpeshtë alergjike.

Doktoreshë Loloçi, cilët janë shkaktarët e alergjive dhe sa lloje janë alergjitë, pasi shpesh kujtohemi në periudhën e pranverës për shkak të alergjive nga poleni?

Është e vërtetë që në këtë periudhë të vitit ka një dyfishim të rasteve, për arsye se, veç atyre që vuajnë nga alergjitë vjetore, shtohen edhe personat që vuajnë nga alergjitë sezonale, për shkak të poleneve. Duke qenë se periudha e prillit është piku i polenizimit, numri i pacientëve është shumë herë më i lartë se periudhat e tjera të vitit. Për sa u përket llojeve të alergjive, ato janë disa. Janë alergjitë që kanë shkaktarë alergenët ajrorë dhe vijnë në kontakt nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, alergenët ushqimorë, medikamentet dhe alergjitë nga pickimi i insekteve. Këto të fundit janë edhe më të rrezikshmet, pasi mund të shkaktojnë edhe vdekjen e pacientit nëse nuk ndërhyhet në kohë.

Po për sa i përket përhapjes, kush është më i shpeshti prej llojeve të alergjive?
Riniti alergjik është sëmundja më e shpeshtë alergjike, shkaktohet nga grupi i aeroalergeneve, si akerienet, polenet. Shkaktari më i shpeshtë është grupi i poleneve. Riniti alergjik i shkaktuar nga akerient (pluhurat e shtëpisë) është gjithëvjetor, ndërsa riniti i shkaktuar nga polenet është sezonal.
Po për sa u përket grupmoshave, cilat janë më të prekura dhe më të rriskuara nga alergjitë?
Adultët e rinj janë më të prekur nga alergjia. Moshat pediatrike janë më të prekur nga alergjitë ushqimore.

A ka një numër të saktë për pacientë që vuajnë në vendin tonë nga alergjia?
Të dhëna të sakta në Shqipëri nuk ka. Por, nëse u referohemi të dhënave dhe studimeve botërore, përcaktohet se 25% e popullsisë europiane vuajnë nga alergjia. Ajo që ne mund të themi për Shqipërinë, është se vihet re një rritje e rasteve vit pas viti. Janë me mijëra pacientë që sot trajtohen me Imunoterapi alergen specifike, apo vaksina për alergjitë, që është një trajtim definitiv pasi ndryshon imunitetin.
Para se të flasim për këtë lloj trajtimi definitiv, do doja të dija se cilat janë masat që duhet të marrin pacientëtnë rastet kur vuajnë nga alergjia…
Pacientët duhet të evitojnë qëndrimin në ambiente ku ka përqendrim të lartë të alergenit që i shkakton alergjinë. Në rastet kur një pacient është i ndjeshëm nga polenet, duhet të bëjë kujdes qëndrimin në ambiente ku ka pemë apo shkurre. Nuk duhet të hapë dritaret në kohën e polenizimit, që polenet të mos hyjnë në shtëpi nëpërmjet ajrit. Duhet të përdorin ajrin e kondicionuar dhe në rastet kur dalin jashtë, sidomos në këtë periudhë, duhet të përdorin maska nazale. Ndërsa për pacientët që janë të ndjeshëm nga akarienet, pluhurat e shtëpisë, duhet që për fëmijët të bëhet evitimi i pellushave lodër, tapeteve të trasha, rrobave të leshta, duhet të ajroset mirë shtëpia dhe duhet të bëhet një kujdes më i madh me higjienën dhe pastërtinë e shtëpisë. Ndërsa ata pacientë që kanë alergji nga epiteli i kafshëve nuk duhet të jenë në kontakt me kafshën. Nëse ka raste kur i kanë në shtëpi, duhet patjetër që të largohet kafsha (qen, mace, lepur etj.).

Nëse merren këto masa, a ka përmirësime deri në shërim të pacientit, apo duhet patjetër trajtim medikamentoz?
Përmirësime, pa diskutim që ka, por jo shërim. Sepse, asnjëherë nuk është i mundur evitimi total i një alergeni. Sado që ta pastrosh shtëpinë, alergeni është i pranishëm dhe gjendet kudo: në veshjet tona, në jastëk, dyshek. Edhe polenizimi nuk është totalisht i evitueshëm. Trajtimi medikamentoz dhe sidomos trajtimi definitiv, që është Imunoterapia alegen specifike, janë ato që sjellin përmirësimin, deri dhe zhdukjen e simptomave. Ndryshe quhet “Terapia e sistemit imunitar”, pasi ky lloj vaksinimi ndryshon sistemin imunitar të pacientit.
Sa zgjat ky lloj vaksinimi?
Ky është një lloj sistemi vaksinimi i cili mund të zgjasë 3 deri në 5 vite, në mënyrë që, personi që vuan nga një lloj alergjie të arrijë të bëhet imun, pra i pandjeshëm ndaj atij alergeni. Kjo lloj vaksine është me injeksion, por edhe me pika nën gjuhë.

A ka efikasitet trajtimi me këtë lloj terapie?
Nga të dhënat rezulton se 80% e pacientëve që vuajnë nga alergjitë e shkaktuara nga alergenët ajrorë, kanë një përmirësim të dukshëm që në vitin e parë të trajtimit me Imunoterapinë alergen specifike. Pas përfundimit të terapisë, e cila, siç përmendem më sipër zgjat 3-5 vjet, pacientët kanë reduktim të simptomave, deri në zhdukje të tyre. Trajtimi me këtë vaksinë ka një anë tjetër pozitive, pasi nuk lejon që situata e një pacienti të rëndohet më tej, duke prekur edhe rrugët e poshtme të frymëmarrjes, duke shkuar në instalimin e një astme bronkiale.

Po për sa u përket kostove që ka trajtimi i një pacienti që vuan nga alergjia me këtë lloj vaksine, a janë ato të larta?
Një trajtim definitiv si ky është i kushtueshëm. Por, nëse do bëjmë një përllogaritje mujore të kostove të medikamenteve që i duhen një pacienti, ato janë shumë më shumë të shtrenjta. Veç të tjerash, kjo lloj terapie parandalon astmën, por përmirëson edhe cilësinë e jetës, pasi minimizon simptomat që përmenda më sipër, si bllokim hundësh, kruajtje
fyti, hundësh, veshësh.

Shpesh ndodh të ngatërrohen simptomat e virozave me alergjitë; cili është ndryshimi mes tyre?
Ndryshimi kryesor mes tyre është kohëzgjatja e simptomatikës. Pasi, për një virozë të thjeshtë kohëzgjatja varion nga 5-7 ditë dhe në rastin më kritik mund të shkojë deri në 15 ditë, ndërsa riniti alergjik, i cili është më i ngjashëm me virozën, varet në varësi të shkaktarit. Për rinitin nga akarienet, pluhurat e shtëpisë, simptomat mund të zgjasin gjithë vitin, ndërsa për rinitin nga polenet simptomat zgjasin vetëm në periudhën e polenizimit.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: