TIRANE- Ndërsa Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, (ILDKPKI) nisi sot hetimin për pasurinë e ish-gazetarit sot deputet i Partisë Socialiste, Alfred Peza, vetë ai u shfaq i nervozuar para medias teksa sqaroi se po i bëhet një padrejtësi, të cilën e quan betejë, të nisur ndaj tij nga ziliqarët.

“Çfarë nuk do dëgjon, kur e ke bishtin ta heqin, kur nuk e ke ta vënë. Kjo ka ndodhur edhe me historinë time, nuk është një betejë me të vërtetën”, tha ai ndërsa sqaroi se i gjithë sulmi bëhet për arsye politike, duke shtuar se, “Alfred Peza kur ishte në media ishte nga më të adhuruarit, gazetar nga më të kërkuarit, analist i njohur, më i miri, ndërsa tani që hyra në politikë më etiketojnë si delja e zezë”, – u shpreh Peza duke iu referuar edhe ish-kolegëve të tij gazetarë.

“Në 4 ditë vetëm foli politika, nuk tha asgjë, nuk tregoi asnjë letër, asnjë dokument, asgjë. Nuk ishte vetëm një betejë politike është më shumë se politike, nuk ishte asnjë betejë morale. Se po të ishte kështu ju gazetarët shkoni të paktën tek zyra e drejtorit tuaj dhe pyesnit pse e ka pasur 10 milion lekë rrogën në ‘Vizion Plus’, pse fitonte mijëra euro kur ishte tek ‘Ora News’, pse fitonte kur punonte tek ‘Klan’, tek ‘Shekulli’ apo në ‘Top Media’ sa e kishte rrogën. Kjo qenka betaje e ziliqarëve për lekët e mia”,- sqaroi ai.

Peza iu është drejtuar gazetarëve si ish-kolegë duke i kritikuar se përse nuk e kishin pyetur drejtpërdrejt as atë dhe as bashkëshorten e tij, Mirela Ndini. Deputeti socialist ka treguar edhe dokumentet e pasurisë para dhe pas vitit 2013. Ai theksoi se gjithçka e ka nga puna e tij dhe e bashkëshortes pasi kanë punuar 51 vjet të dy bashkë. Nuk ka munguar as akuza e Pezës për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe pasurinë e vendosur sipas tij në një moshë më të vogël se sa është ai tani.

“Do doja t’i justifikoja por nuk i justifikoj dot sepse është bërë një betejë e paprinciptë. Nëse do donit, do kishit ardhur të më kontaktonit mua, ish-kolegun tuaj. Unë si gazetar i vjetër do ju kisha mirëpritur se i kisha bërë gati dokumentet. Deklarata e pasurisë 2015-2014-2013 e më parë. Deklarata e pasurisë së bashkëshortes sime, Mirela Ndini, miliarderja më e madhe këtij vendi që nga viti 2004. Pse nuk erdhi asnjë gazetar, asnjë analist nga ata të shquarit që iu është ngrënë haku?

Do doja shumë t’jua jepja këto dokumente sot, por ILDKP ka vendosur të nisë sot hetimet. Do doja t’ju tërhiqja vëmendjen për diçka. Jam një burrë 50 vjeç, kam që në vitin 1988 që punoj, bashkë me gruan kemi 51 vite që punojmë. Do doja t’ju sillja deklaratën e zotit Lulzim Basha. 300 mijë dollarë më shumë se unë se kur hyri në politikë dhe ishte 30 vjeç pa punuar asnjë ditë. Alfred Peza kur ishte në media ishte nga më të adhuruarit, gazetar nga më të kërkuarit, analist. Pasuria e familjes së Alfred Pezës, pas 2013-ës kur Alfred Peza ka hyrë në politikë, është shtuar me zero lekë. Përveç të ardhurave nga interesat bankare. Çfarë beteje qenka kjo që nuk është as morale por as për të vërtetën. Është beteja përtej politikës”, deklaroi Peza.

Reagimi i tij erdhi pak orë pasi ILDKPI njoftoi në media nisjen e hetimit për burimin e parave të çiftit Peza, për blerjen e aksioneve në një bankë të nivelit të dytë, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë.

“Kontrolli bëhet bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të subjektit Alfred Peza”, – thuhej në njoftimin e ILDKP.

Mësohet se objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e deputetit të PS-së por do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur me të.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: