Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” thotë se pret që marrëveshja e arritur dje midis katër drejtuesve politikë, në bisedimet e ndihmuara nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian Johannes Hahn të respektohet nga të gjitha palët. Ai bën të ditur se kërkesa e tij kryesore ka qenë respektimi dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Ahmeti thotë se lagimi i partisë së tij nga qeveria, nuk do të zgjidhte krizën. Ai flet edhe për rastin e Kumanovës, si dhe për çështje që shqetësojnë shqiptarët e Maqedonisë.

Z.Ahmeti, çka nënkupton marrëveshja për zgjedhje deri në muajin prill të vitit të ardhshëm dhe a do të thotë “periudha e tranzicionit” se do të ketë një qeveri të përkohshme e cila do ta përgatiste kushtet për këto zgjedhje?
Pa dashur të paragjykoj të gjithë procesin, në këto zhvillime kanë dhënë një kontribut të madh Brukseli dhe Uashingtoni. Ky dialog ka filluar me inkurajim të ambasadorit të BE-së dhe të SHBA-së. Fillimet e këtij dialogu janë në Shkup, për të vazhduar në Strasburg me ndërmjetësimin e tre deputetëve të Parlamentit Evropian dhe gjithashtu me angazhimin shumë të fortë edhe të Komisonerit për Zgjerim Johanes Han. Tani, për t’u rrumbullakësuar të gjitha këto takime, është 2 qershori në prani të zotit Han. Të gjitha palët kemi pranuar një axhendë për dalje nga kriza dhe për t’i futur të gjitha dallimet në kuadër të normalitetit në binarë drejt zgjidhjeve të problemeve me të cilat ballafaqohet vendi. Me këtë marrëveshje detajohet që në prill të vitit 2016 do të kemi zgjedhje të parakohshme dhe në kuadër të kësaj marrëveshjeje, sigurisht që në Bruksel do të flitet për hollësitë dhe zbatimin e saj. Këtu kemi kodin zgjedhor, pastrimin e listave zgjedhore, funksionimin e organeve të jurisprudencës, marrëdhëniet me fqinjët, Marrëveshja e Ohrit, proceset euroatlantike. Partitë politike kanë marrë obligime nga takimi dhe për mendimin tim, kjo marrëveshje është obligative për të gjitha palët me qëllim që vendi ta kapërcejë krizën.

A do të thotë kjo se do të ketë një qeveri teknike apo të përkohshme deri para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme?
Të gjitha çështjet janë të hapura; me rëndësi është që ka vullnet të mirë tek të gjitha palët për kapërcimin e situatës. Besoj se asnjëra palë nuk do të luajë rolin e të mallkuarit, sepse nuk është mirë për vendin, as për proceset dhe axhendën e rëndësishme që kemi ne dhe të gjitha partitë politike. Shpresoj që palët të mos nxjerrin imtësira, por të merremi me gjërat për të cilat jemi marrë vesh në prani të Komisionerit Hahn dhe të ambasdorëve të SHBA-së dhe BE-së. Mendoj që kjo aspak nuk duhet të nënvlerësohet nga partitë politike, sepse nuk do të krijojë një imazh të mirë për vendin por as për vetë partitë politke, kështu që duhet t’i qëndrojnë fjalës së dhënë dhe ajo që kemi nënshkruar dje, të respektohet nga të gjitha palët.

A do të thotë se krizës disamujore po i afrohet fundi?
Mendoj se të gjithë kemi punuar dhe investuar për ta mbyllur këtë kapitull. Vendi po ballafaqohet me situata jo të mira, pas aferës së përgjimeve, ka protesta, procese gjyqësore ende të pahapura dhe të pambyllura; me shumë të panjohura dhe mendoj që të gjithë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që sa më shpejtë kjo situatë të kapërcehet sepse është një ngërç i madh në të gjitha institucionet e vendit duke filluar që nga qeveria deri te drejtoritë; nuk funksionon si duhet shteti, nuk ka vullnet nga administrata. Të gjithë janë në pritje se ç’do të ndodhë nesër, se si mund të tejkalohet kjo gjendje dhe vendi të hyjë në binarë dhe në rrugën e duhur.

Z.Ahmeti, si iu përgjigjeni kritikëve të cilët kërkojnë largimin e BDI-së nga qeveria?
Bashkimi Demokratik për Integrim ka përgjegjësi përpara shqiptarëve, përpara elektoratit të vet; ka përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve dhe jo për krijimin e tyre dhe ne e kemi vlerësuar si të dobishme pjesëmarrjen tonë në institucione, edhe pse sikur të braktisnim institucionet kohë më parë, sigurisht që mund të ndodhte efekti euforik, ja psh: “bravo, BDI braktisi institucionet e tash do të krijohet ndoshta një tjetër situatë…”. Unë nuk dua të merrem as me paragjykime dhe as nuk dua t’i mbush mendjen atyre të cilët nuk e dinë as strategjinë, as projektet e platformën e BDI-së, por vendimet që ne kemi marrë, i kemi bërë në mënyrë kolegjiale. Është diskutuar në Këshillin e Përgjithshëm, në Kryesinë e partisë dhe të gjithë veprimtarinë që e kemi bërë e kemi bërë duke analizuar të gjitha rrethanat dhe mbi bazë të tyre kemi vepruar. Nuk kemi vendosur në radhë të parë, interesin e Bashkimit Demokratik për Integrim, por interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe nuk kemi dashur të bëhemi pjesë e shtimit të problemeve, por kemi dashur të jemi pjesë konstruktive e zgjidhjes së problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi.

Cilat kanë qenë kërkesat tuaja, nëse mund t’i bëni publike, në bisedimet e lehtësuara nga komisioneri Hahn?
Sigurisht që në të ardhmen do të shpaloset e gjithë korniza për të cilën kemi biseduar, por qasjen më serioze ne e kemi pasur tek Marrëveshja e Ohrit, që palët duhet të marrin përgjegësi edhe më tej për këtë marrëveshje me peshë kombëtare e ndërkombëtare. Gjithashtu marrëdhëniet me fqinjët; kemi pasur parasysh edhe proceset euro-atlantike që janë me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Maqedoninë por dhe për të gjithë rajonin, si dhe probleme të tjera me të cilat ballafaqohet vendi, si Kodi zgjedhor, pastrimi i listave zgjedhore, media, gjyqësori, procesest gjyqësore kanë qenë me interes, por të gjitha një nga një do të marrin drejtim për zgjidhje deri në prill të vitit 2016, me çka vendi duhet të jetë i gatshëm për zgjedhje.

Çka fitojnë konrektisht shqiptarët, përveç kthimit të qëndrueshmërisë eventualisht, nga marrëveshja. A janë ngritur çështje të tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni?
Këtu fitojnë të gjithë. Edhe shqiptarët edhe maqedonasit. Paqja, siguria dhe stabiliteti dhe proceset euro-atlantike janë vlerë dhe dobi për të gjithë qytetarët e Repubikës; gjithashtu Kodi zgjedhor, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për anëtarësim të vendit, sigurisht që është në dobi të të gjithëve.

A besoni se kushtet që janë paraqitur ose që do të dalin gjatë procesit të bisedimeve do të plotësohen nga palët e përfshira?
Obligime për të respektuar fjalën e dhënë kemi që të gjithë. Obligim për paqe, stabilitet në vend kemi që të gjithë dhe jemi të detyruar t’i japim përparësi, në radhë të parë stabilitetit dhe që të mos shikojmë interesat e ngushta grupore apo partiake. Dhe unë u bëj thirrje të gjithë nënshkruesve të marrëveshjes në prani të miqve tanë ndërkombëtarë, që të jemi korrekt dhe t’i qëndrojmë fjalës së dhënë. Të mos i ndërlikojmë gjërat që edhe ashtu janë të ndërlikuara, por t’iu japim drejtim të gjitha problemeve për zgjidhje përfundimtare që vendi të hyjë në kuadër të normalitetit, sepse përndryshe ne do të humbasim imazhin dhe do të na e kthejë shpinën edhe Evropa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ballafaqohemi me vështirësi të jashtëzakonshme, sepse çdo pengesë dhe tendencë për ta anashkaluar këtë marrëveshje të arritur më 2 qershor, mund të reflektojë negativisht dhe të ketë pasoja në Republikën e Maqedonisë. Unë kërkoj që kjo marrëveshje të respektohet dhe të zbatohet me përkushtim.

Po çështja e emrit të Maqedonisë, a është pjesë e këtij procesi?
Përderisa në këtë marrëveshje përfshihet si pikë e veçantë procesi euro-atlantik, sigurisht që ka të bëjë edhe me zgjidhjen e çështjes së emrit, por pa u futur si problem i veçantë, sepse kuptohet që për arritjen e anëtarësimit të vendit tonë në Nato, ne duhet të kemi një zgjidhje të kësaj çështjeje.

Si i përgjigjeni kritikave në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, për mungesën e zbatimit të saj në praktikë, për mangësitë në lidhje me gjuhën shqipe dhe simbolet?
Marrëveshja e Ohrit ka qenë në qendër të debatit dhe të vëmendjes të të gjithë nënshkruesve, përfshirë Naton, Brukselin dhe Uashingtonin. Ne kemi punuar me përkushtim që kjo Marrëveshje të zbatohet dita ditës dhe të avansohet. Kemi dallime për sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, edhepse në këtë drejtim janë bërë disa hapa të vegjël. Ka interesim, si nga faktori i brendshëm, në veçanti ai shqiptar, por edhe në rajon, ndërsa kujdes të veçantë kanë treguar Brukseli dhe Uashingtoni. Këtyre ditëve në Shkup kemi njeriun më të thirrur, si njohësin më të mirë të Marrëveshjes së Ohrit, sepse ka qenë i përfshirë drejtpërsëdrejti në arritjen e kësaj marrëveshjeje, Z. Piter Fejth, i cili është këtu me nismën e institucioneve evropiane për një ekspertizë të hollësishme të marrëveshjes së Ohrit; për një raport të detajuar se sa është bërë, ç’ka mbetur për t’u realizuar nga kjo marrëveshje. Ai është njeriu i cili do ta bëjë këtë ekspertizë për t’i raportuar BE-së dhe institucioneve të tjera. Kjo është një punë e mirë që do të bëhet nga një institucion i pandikuar dhe një analizë për përgjegjësit kryesorë si BE-në, SHBA-të dhe Naton, sepse pikërisht ato janë garantues të kësaj marrëveshjeje.

Z.Ahmeti, në lidhje me Kumanovën, vazhdon të ketë mjaft paqartësi si për motivet e gjithë ngjarjes, poashtu edhe për mënyrën e reagimit dhe ndërhyrjes së forcave maqedonase. A ndjeni përgjegjësi, duke qenë pjesë e kësaj qeverie, për atë që ndodhi atje?
Nuk di çfarë përgjegjësie kërkohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim… përgjegjësi morale, apo përgjegjësi institucionale. Unë kam folur publikisht, shumë hapur, që kam qenë i angazhuar jashtëzakonisht shumë që të mos ndodhin gjëra të tilla, jo vetëm këtë vit por që nga viti 2002, në vazhdimësi kam kontaktuar me njerëz të pakënaqur, me grupe të caktuara, dhe kam bërë të pamundurën që këto gjëra të mos ndodhin. Por, kam kërkuar që për këto situata të komunikojmë dhe të vendosen kontakte të drejtpërdrejta në mes dy qeverive, institucioneve të Maqedonisë dhe të Kosovës, sepse është në interes të të dy shteteve, por edhe më gjerë, që kjo ngjarje të ndriçohet deri në fund dhe të mos u lihet hapsirë teorive të konspiracioneve të ndryshme. Ne jemi vende fqinje dhe të gjitha gjërat duhet të pastrohen deri në fund dhe këto probleme të mos ndikojnë për ftohjen dhe acarimin e raporteve. Uroj që sa më shpejtë dy qeveritë tona të takohen dhe besoj që veçmë këtë muaj kjo duhet të ndodhë. Jo vetëm me Kosovën, por të vazhdohet edhe me Shqipërinë dhe me vende të tjera të rajonit, sepse bashkëpunimi me fqinjët është mjaft me rëndësi për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, qoftë për proceset politike ose për zhvillimin ekonomik; gjërat janë të ndërvarura dhe duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që të gjitha energjitë pozitive t’i vëmë në funksion dhe në dobi të rajonit dhe të qytetarëve.

Sidoqoftë, atje pati, nëse pajtoheni, një përdorim të tepruar të forcës dhe ata banorë atje kanë pësuar vuajtje, padyshim edhe shpirtërore…
Unë nuk jam pjesë e operativës. Ne jemi parti politike dhe unë nuk kam bërë programin operativ për izolim të grupit. Dëme materiale ka. Mbi të gjitha duhet patur parasysh se nuk ka banorë civilë të vrarë dhe kjo duhet të theksohet. Dëmet materiale duhet të kompensohen. Tashmë qeveria ka formuar komisione dhe ato kanë qenë në vend për verifikimin e tërësishëm të gjendjes dhe kostos së dëmeve materiale. Të gjithë qytetarët e dëmtuar kanë marrë ndihmë nga shteti sa për të kaluar ditët në fillim dhe të shohim kur do të fillojë puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara në atë lagje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: