TIRANE– Edhe pse mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka përfunduar, mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në debate për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. I ftuar ne emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në News24, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj tha se mazhoranca kërkon të zgjedhë kryeprokurorin pa vetting, pasi do të mbrojë zyrtarët e inkriminuar.

“Prokurori i Përgjithshëm duhet të jetë produkt i paanësisë politike sipas Kushtetutës. Askush nuk e mendonte se do vinte një ditë ku Prokurori i Përgjithsëm jo vetëm të zgjidhej nga politika, por vetëm nga mazhoranca. Ata duan të zgjedhin kryeprokurorin pa vetting. Kjo nuk është çështje politike dhe pazari. Sfondi politik është i përshkruar nga dosja ‘Tahiri’ nga dosja e ‘3 policëve’ nga dosja e ‘Xibrakës’ nga dosja ‘Dako’ apo dosje të tjera. Motivi duhet analizuar. Çfarë e shtyn Ramën pra të ndërmarrë këtë iniciativë”- u shpreh Enkelejd Alibeaj.

Ndër të tjera deputeti i PD tha se Kushtetuta e përcakton qartë zgjedhjen e kryeprokurorit, i cili duhet të plotësojë dy kushte.

“Kushtetua e vendit thotë se për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm duhen dy kushte. E para të zgjidhet me 3/5 e votave pra me 84 vota. E dyta Prokurori i Përgjithshëm para se të vendosi këmbën në organin e drejtësisë duhet të kalojë përmes vettingut. Pa kaluar këto dy filtra askush nuk mund të ngrohë karrigen e posteve të drejtësisë”- tha Alibeaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: