TIRANË- Ambasada e SHBA-ve në Tiranë paralajmëron qytetarët e saj të kenë kujdes nesër gjatë protestës së opozitës në Tiranë, të shmangin zonat ku zhvillohet protesta dhe të rrisin sigurinë personale. Në njoftimin e saj ambasada shton se shpesh edhe protestat që paralajmërohen si paqësore mund të kthehen në konfrontuese.

“Partia Demokratike Shqiptare (PD) do të organizojë një protestëtë enjten, më 12 Mars, në orën 11:00. Protestuesit pritet të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit. Ka të ngjarjë që protestuesit të vazhdojnë rrugën për në sheshin “Skënderbej” dhe të marshojnë së bashku në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe drejt sheshit “Nënë Tereza””, sqaron ambasada USA.

Ambasada e SHBA-ve ndërkaq iu kujton qytetarëve amerikanë se edhe demonstratat që kanë për qëllim të jenë paqësore mund të kthehen në konfrontuese, prandaj iu këshillon atyre, “Shmangni zonat e demonstrimeve, dhe ushtroni kujdes nëse gjendeni përballë ndonjë tubimi, proteste, apo demonstrate. Tubimet e mëdha publike mund të përhapen në të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit në të cilën ato ndodhin, por edhe më gjerë. Rishikoni planet tuaja personale të sigurisë dhe monitoroni stacionet lokale të lajmeve për tu informuar mbi situatën. Jini vigjilentë dhe ndërmarrin hapat e duhura për të rritur sigurinë tuaj personale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

“Ne rekomandojmë fuqishëm që qytetarët e SHBA që udhëtojnë drejt Shqipërisë apo janë me banim në Shqipëri të regjistrohen në Programin e Departamentit të Shtetit Smart Traveler Enrollment Program(STEP). Regjistrimi ju jep mundësinë të merrni përditësimet më të fundit të sigurisë dhe e bën më të lehtë për ambasadën e SHBA apo Konsullatën amerikane të lidhet me ju në rast emergjence. Nëse ju nuk keni qasje në internet, regjistrohuni drejtpërdrejt në ambasadën më të afërt të SHBA”, thuhet në deklaratë ndërkohë që jepen edhe numrat për qytetarët amerikanë në raste emergjence”, thuhet ndër të tjera në rekomandimet e ambasadës.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: