SHKUP-Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka tregon se çfarë ka biseduar me zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë, në një takim me kërkesën e palës së dytë dhe thekson qëndrimin e Tiranës se Shqipëria nuk po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë dhe se deklarata/platforma e 7 Janarit është në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit (MO).

“Aktorët politikë dhe autoritetet maqedonase janë shprehur më shumë se një herë gjatë muajve të fundit lidhur me atë që ata e konsiderojnë si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, nga përfaqësues të vendeve të ndryshme, përfshirë, siç thonë, edhe nga rajoni. Është një analizë dhe qëndrim me të cilin ne nuk biem dakord, por si gjithnjë e mbajmë shënim dhe pikërisht këtë kam bërë, duke theksuar gjithsesi se Shqipëria as ka ndërhyrë e as ndërhyn në punët e vendeve të tjera, se ajo ka treguar konkretisht e në mënyrë të vazhduar se gjithnjë dëshiron e punon për të ndërtuar marrëdhënie të mira bashkëpunimi, të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë mes popujve. Ky është investimi ynë në marrëdhëniet me Maqedoninë,” tha Reka për Zhurnal.mk.

Ambasadori sqaron më tej se çfarë i tha zyrtarëve në Ministrinë së Jashtme të Maqedonisë, të udhëhequr nga Nikolla Poposki, për deklaratën/platformën e partive shqiptare.

“Nga ana ime theksova në takim  dy elemente themelore: Së pari faktin se përmbajtja e platformës së partive shqiptare në Maqedoni është tërësisht në pajtim dhe rrjedh nga programet politike të atyre partive dhe nga  Marrëveshja e Ohrit, zbatimi i të cilës përbënë gurin themelor të stabilitetit në vend; dhe së dyti, atë që është theksuar në mënyrë të përsëritur nga autoritetet në Shqipëri e qe nuk duhet harruar asnjëherë: Shqipëria është një nga vendet e para që e ka njohur Maqedoninë, se nuk e ka vënë në dyshim integritetin, apo identitetin e saj dhe ka qenë e mbetet një mbështetëse e fuqishme e aspiratave euroatlantike të Maqedonisë”, sqaroi Reka.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: