TIRANE-Ne e dimë që për Shqipërinë dielli lind në Perëndim, deklaroi ambasadori kroat në Tiranë, Aleksander Stipetiç, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, me rastin e festës kombëtare të Kroacisë, ku një rëndësi të madhe diplomati kroat i kushton marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-kroate dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Zoti ambasador, duke Ju uruar për Festën Kombëtare, na lejoni t’ju shprehim urimet dhe komplimentet për punën dhe misionin Tuaj në Shqipëri.

Ambasadori Stipetiç: Faleminderit shumë. Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende në gadishullin Ballkanik dhe kanë marrëdhënie miqësore, bazuar mbi një traditë të gjatë bashkëpunimi. Afërsia gjeografike dhe pikat e përbashkëta historike sugjerojnë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një dimension.

Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende që i përkasin Gadishullit Ballkanik dhe kanë një komunikim të hershëm mes tyre. Afërsia gjeografike dhe shumë pika takimi në histori bëjnë të mendosh që marrëdhënia mes dy vendeve të ketë një dimension. Si e vlerësoni ju komunikimin mes dy vendeve dhe perspektivat në të ardhmen?

Ambasadori Stipetiç: Kroacia dhe Shqipëria janë vende mike dhe tradicionalisht kanë patur respekt të vërtetë për njëra-tjetrën. Miqësia dhe respekti reciprok mes popujve të Shqipërisë dhe Kroacisë daton nga Mesjeta dhe më pas. Ka dy figura historike kroate që e dëshmojnë qartë këtë – murgu françeskan kroat Andrija Kaçiç Mioshiç dhe shkencëtari dhe historiani kroat, Milan Shuflaj.

Andrija Kaçiç Mioshiç ishte një poet dhe historian. Në shekullin VXIII ai shkruajti një libër historik në vargje me titull ‘’Biseda të këndshme të popujve sllavë’’ që u bë më popullori mes njerëzve të thjeshtë. Me një total prej 37 faqesh në prozë dhe vargje, ai tregoi edhe historinë e jashtëzakonshme të figurës së madhe historike shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroizmin e tij dhe mbrojtjen e fuqishme të Shqipërisë kundër Perandorisë Osmane. Kjo histori ishte një kontribut i madh për popullaritetin e liderit të famshëm historik shqiptar dhe natyrisht që gjeneroi mes kroatëve një simpati të madhe për popullin shqiptar.

Milan Shuflaj ishte një shkrimtar dhe historian i fillimit të shekullit XX. Ai ishte një nga themeluesit e studimeve albanoligjike. Për shkak të kontributit të tij të madh në afirmimin e popullit shqiptar në spektrin e historisë së letërsisë, në vitin 2002 atij iu dha (post mortem) nga qeveria shqiptare çmimi prestigjioz shqiptar, Urdhëri “Naim Frashëri i Artë”. Një nga rrugët në qendër të Tiranës mban emrin e tij.

Ne jemi krenarë për arritjet e Shuflajit dhe shumë mirënjohës ndaj tij pasi demonstroi në mënyrë të guximshme se kurajoja shkencore dhe respekti i vërtetë ndaj një populli mund të sjellë një ndryshim të madh dhe mund të ketë një ndikim të gjerë në shumë fusha.

Kohët e fundit, mbështetja e Kroacisë për popullin shqiptar ka qenë specifikisht e dukshme lidhur me pavarësinë e Kosovës. Ne e kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi i betejës së saj për pavarësi. Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç ishte një nga mbështetësit më konsistentë dhe më të sinqertë për Kosovën. Pak kohë më parë ai u shpall Qytetar Nderi i Tiranës për avokatinë e tij më të veçantë dhe më të përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe për mbështetjen e popullit shqiptar. Edhe një rrugë në Lezhë ka marrë emrin e tij.

Cila është e ardhmja e marrëdhënieve tona dypalëshe? Cilat janë apektet e këtyre marrëdhënieve që ju sugjeroni se janë të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të tyre?

Ambasadori Stipetiç : Duke patur parasysh marrëdhëniet dypalëshe politike totalisht miqësore dhe të shkëlqyera, del absolutisht e nevojshme edhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik. Dhe, ekzistojnë potenciale të mëdha për këtë qëllim. Sa për fillim, kemi projekte të përbashkëta rajonale si ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane, që të dy qeveritë e mbështesin. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për projektin e madh energjetik të gazsjellësit Adriatiko-Jonian.
Të dyja projektet do të sigurojnë mundësi të reja biznesi si edhe do të rritin potencialin ekonomik të dy vendeve tona. E ashtuquajtura ‘’Autostrada Blu’’ do të shtojë lidhjet mes Kroacisë dhe Shqipërisë dhe do të sigurojë një akses më të mirë ndaj produkteve shqiptare në tregjet evropiane dhe kroate dhe anasjelltar, natyrisht. Pa dyshim që edhe përfitimet do të rriten.

Shtoj këtu se dy vendet mbështesin edhe projektin e hekurudhës Adriatiko-Joniane. Autoritetet detare të Kroacisë dhe Shqipërisë po shohin mundësitë për vendosjen e linjave të rregullta detare mes portit shqiptar të Durrësit dhe porteve kroate të Shibenikut apo Ploçes. Kostoja e transportit detar është eficente dhe do të shtonte lidhjet mes Shqipërisë dhe Evropës. Një fluturim direkt Zagreb-Tiranë do të ishte i domosdoshëm. Këto lidhje do të sjellin përfitime shtesë për dy palët dhe do të ndihmonin në krijimin e një mjedisi më tërheqës për bizneset e dy vendeve.

Cilat janë drejtimet që ju i gjykoni të arsyeshme që duhen intensifikuar në bashkëpunimin ekonomik? Cilat janë disa prej projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kroacisë sa i takon bashkëpunimit rajonal, ekonomik e tjerë?

Ambasadori Stipetiç : Mundësitë për biznes mes dy vendeve tona po rriten dita-ditës dhe kjo është si në interes të biznesit kroat ashtu edhe në interes të atij shqiptar. Në fillim të majit, në Tiranë, ne zhvilluam një takim të Komisionit të Përbashkët Kroato-Shqiptar për Bashkëpunimin Ekonomik si edhe një Forum Biznesi me qëllim njohjen e partnerëve të bizneseve të të njëjtave fusha. Ky komision zbuloi dhe përcaktoi shumë fusha të bashkëpunimit potencial ekonomik.
Kompanitë e njohura kroate si INA, Dalekovod dhe Konçar kanë qenë në Shqipëri prej një kohe të gjatë.

Përveç shfrytëzimit të naftës dhe gazit, linjave të transmetimit të energjisë dhe hidrocentraleve, ka patur më shumë diversitet në perspektivën e bizneseve tona dhe sipërmarrjeve. Kompani më të vogla kroate e kanë zbuluar më vonë tregun shqiptar dhe shumë prej tyre kanë vandosur bashkëpunim të suksesshëm, të themi rreth 50 prej tyre. Kompanitë kroate të teknologjisë së lartë duket se janë më të suksesshmet – sidomos kompanitë IT që sigurojnë software specifike për autoritetet shqiptare që lidhen me reformat në drejtësi, kujdesin shëndetësor, audit dhe reforma të tjera fiskale.

Përveç këtyre, autoritetet kroate janë shumë të përfshira në reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian në Shqipëri, sidomos në fushën e drejtësisë. Unë dua gjithashtu të theksoj bashkëpunimin mes autoriteteve policore kroate dhe shqiptare që ka rezultuar i shkëlqyer në shumë aspekte. Unë jam shumë i lumtur për faktin që ne kemi trajnuar ekspertët mjeko-ligjorë shqiptarë. Për shkak të luftës në vendin e saj, Kroacia ka zhvilluar aftësitë e saj mjeko-ligjore në standardet më të larta dhe ne jemi të lumtur që Shqipëria ka shansin të përfitojë nga kjo. Kroacia kërkon të sigurojë asistencë specifike në fushën e standardizimit, metrologjisë dhe në fushën e mbrojtjes së pronës intelektuale. Ekzistojnë shumë iniciativa dhe mundësi dhe ka një dëshirë të mirë nga të dyja palët për të bërë më të mirën e mundshme.

Cilët janë sektorët ku kompanitë kroate janë më të interesuara për të investuar në Shqipëri?

Ambasadori Stipetiç : Realisht, të gjithë sektorët. Unë shoh mundësi edhe në fushën e turizmit, bujqësisë madje edhe në industrinë farmaceutike për shembull. Ekonomitë kroate dhe shqiptare janë shumë të ngjashme. Që do të thotë se ne kemi njohuritë dhe përvojën, në ndërkohë që Shqipëria po shndërrohet në një treg në rritje me një ambient të favorshëm investimesh.

Pak vite më parë, kanë ekzistuar pengesa reale në Shqipëri si një destinacion për të investuar – si për shembull mungesa e energjisë elektrike dhe ujit, mungesat në infrastrukturë dhe në zbatimin e ligjit. Personalisht, vlerësoj shumë atë që populli shqiptar arriti në një periudhë kaq të shkurtër kohore – për vetëm dy dekada. Industria e ndërtimit ka lulëzuar, infrastruktura e transportit po merr formë dhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë nuk përbën më një problem. Shqipëria po ecën shpejt pasi ka njerëz të cilët kanë dëshirë të zjarrtë për mundësi. Ky është një vend premtues me shumë potenciale. Përsa i përket shtetit të së drejtës, procesi i integrimit në BE do të japë veçanërisht rezultate.

Jemi në sezonin turistik veror dhe pikërisht turizmi është një nga sektorët ku Kroacia është lider në rajon dhe ku Shqipëria ka ende potenciale të pashfrytëzuara. Cila mendoni se mund të jetë eksperienca që Kroacia mund t’i japë Shqipërisë në këtë sektor?

Ambasadori Stipetiç : Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe mund të krenohet me diversitetin e bukurive spektakolare natyrore. Siç dihet, turizmi është shumë i rëndësishëm për të dy vendet tona. Natyrisht që është një nga fushat më me perspektivë për bashkëpunim dhe investime. Ne mund të ndihmojmë institucionet shqiptare nëpërmjet transferimit të përvojës tonë për zhvillimin në fushën e turizmit, planifikimit urban dhe veçanërisht menaxhimit. Unë nuk kam dyshime se shumë shpejt Shqipëria do të shndërrohet në një nga destinacionet turistike më tërheqëse të rajonit.

Si e sheh Kroacia frymën e re të bashkëpunimit me projekte konkrete që vendet e Ballkanit Perëndimor vendosën të ndërmarrin në forumin Ekonomik të Vjenës të mbajur në Tiranë?

Ambasadori Stipetiç : Kroacia mbështet çdo projekt të përbashkët rajonal dhe çdo iniciativë rajonale që ka për qëllim stabilizimin dhe prosperitetin e vendeve tona fqinje. Një perspektivë e një paqeje të qëndrueshme dhe e një stabiliteti ekonomik është gjithçka që ne kërkojmë, të gjithë ne në rajon. Ballkani Perëndimor ka nevojë për transformim të qenësishëm për të lënë pas një të kaluar turbulente konfliktesh dhe për të zgjedhur në vend të kësaj një të ardhme të stabilitetit dhe të respektit reciprok. Qëllimisht unë theksoj respektin mes kombeve dhe popujve.

Unë me të vërtetë besoj se, duke mësuar të respektojmë njëri-tjetrin, vlerat dhe traditat e njëri-tjetrit ne do të bëjmë një rrugë të gjatë dhe do të fillojmë më në fund te vlerësojmë fqinjësinë tonë. Ne duam që fqinjët tanë të shndërrohen në Partnerët tanë – në të gjitha sferat e jetës sociale, ekonomike dhe madje edhe politike. Ne kemi nevojë të respektojmë reciprokisht Partnershipin. Kjo është e ardhmja për të cilën ne aspirojmë. Për vendet e rajonit, Bashkimi Evropian është faktori vlerë dhe modeli kryesor i respektimit të Partnershipit. Për të gjithë ne kjo është ajo që Bashkimi Evropian kërkon.

Bashkëpunimi rajonal dhe iniciativat për të cilat jemi dëshmitarë do të japin rezultate dhe do të ndihmojnë rajonin të fokusohet në transformimin e tij dhe në anëtarësimin në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Ne nuk kemi dyshime se rajoni ka nevojë për BE-në. Anëtarësimi në union është shans historik unik për vendet e Ballkanit Perëndimor. Padyshim edhe BE-ja ka nevojë për integrimin e Ballkanit Perëndimor për shumë e shumë arsye të qarta. Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar janë vetëm disa prej këtyre arsyeve.

Kroacia është një nga vendet për t’u marrë shembull nga vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor sa i takon rrugës së ndjekur për integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, çfarë këshillash do t’i jepnit klasës polItike, por edhe qytetarëve shqiptarë?

Ambasadori Stipetiç : Siç mund të jeni në dijeni, rruga e Kroacisë drejt Bashkimit Evropian ishte e gjatë dhe e vështirë. Kushtet për vendin tim ishin të shumta. Përpjekjet e jashtëzakonshme që ne bëmë për të kryer reformat e detyrueshme, sidoqoftë, rezultuan se ishin me mjaft përfitim për vendin tim. Negociatat tona paraprake me BE-në ne i konsideruam si proces të ndërtimit të shtetit pasi ristrukturimi i institucioneve dhe i shoqërisë si një e tërë rezultuan fondamentale dhe të plota. Të njëjtat reforma do të kërkohen edhe nga Shqipëria. Do të jetë dukshëm një process i gjatë dhe që do të ndryshojë jetën për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Këshilla kryesore që mund t’u japim autoriteteve shqiptare është që të punojnë shumë dhe seriozisht sa më shumë të jetë e mundur për reformat. Ato janë përfitimi kryesor. Përveç kësaj, është i një rëndësie të madhe edhe fakti që të gjithë factored politikë t’i mbështesin ato dhe të kontribuojnë sistematikisht në këtë proces me angazhim të plotë.
Të gjitha vendet në rajon kanë nevojë për këtë transformim. Ne të gjithë kemi nevojë për standarte evropiane dhe praktikat e Bashkimit Evropian për të lënë pas të kaluarën tonë të vështirë dhe për të punuar për një të ardhme në paqe dhe në begati.

Ku konsiston ndihma që Kroacia i ofron Shqipërisë sa i takon integrimit të vendit në BE?

Ambasadori Stipetiç : Ashtu siç ju e dini shumë mirë, Kroacia ka qenë një përkrahëse e forte e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian që nga fillimi dhe vazhdojmë të jemi ndërmjet avokatëve kryesorë të zgjerimit të këtij unioni. Deri tani, ne kemi mbështetur autoritetet shqiptare në shumë aspekte në raport me asistencën e nevojshme dhe të kërkuar.

Megjithatë, pjesën kryesore e kemi përpara. Në bisedimet përpara anëtarësimit Shqipëria do të ketë nevojë për asistencën tone teknike dhe për përvojën tonë. Siç edhe e thashë më lart negociatat tona për anëtarësimin në BE ishin një proces shtetformimi për ne. Në këtë proces u përfshinë rreth 2 000 ekspertë. Institucionet kroate do të bëjnë më të mirën e tyre për të ndihmuar autoritetet shqiptare në këtë periudhë shumë domethënëse në procesin e integrimit. Ne e duam Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Ne e dimë që Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Evropian. Ne e dimë që për Shqipërinë dielli lind në Perëndim. Kjo metaforë flet qartë. Shqiptarët kanë nevojë për këtë mundësi te jashtëzakonshme historike. Ata kanë nevojë dhe e meritojnë të gjithë mbështetjen tonë. Edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Shqipërinë. Tashmë, ne nuk kemi asnjë dyshim.

A mendoni se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur sa i takon ecurisë së saj në integrimin europian?

Ambasadori Stipetiç : Natyrisht që Shqipëria është në rrugën e duhur. Autoritetet shqiptare kanë punuar për reformat me vendosmërinë më të madhe. Si rezultat i kësaj, vitin e kaluar Shqipërisë iu dha statusi kandidat. Shqipëria ka punuar shumë mbi prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Evropian dhe mendoj se Shqipëria do t’ia arrijë qëllimit për t’iu bashkuar BE-së. Natyrisht që ka ende shumë për të bërë. Kroacisë iu deshën tetë vjet që të përfundonte negociatat me Bashkimin Evropian. Edhe Shqipëria do të testohet në shumë mënyra. Bashkimi Evropian nuk do të tregohet i butë me Shqipërinë. Kjo është ajo që shoqëria ka nevojë dhe që Shqipëria do të përfitojë prej kësaj.

Duke Ju falenderuar për intervistën, na lejoni t’Ju urojmë për Festën Kombëtare dhe për suksese në misionin tuaj!

Ambasadori Stipetiç : Ishte kënaqësi biseda me ju. Faleminderit.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb