Intervistoi Aleksandra Kola

TIRANË- Ambasadori i Kubës në Tiranë z. Pedro Pablo San Jorge pohoi në një intervistë për News24 se marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Kubës janë shumë të mira. Ai shprehu interesin që marrëdhëniet mes dy vendeve të forcohen në të gjitha nivelet

Diplomati kuban theksoi se në Shqipëri ekzistojnë ndërmarrje me potencialet e duhura dhe me konkurrueshmërinë e duhur për të hapur dhe investuar kapitalet e tyre në Kubë. Ndaj tha ai ne jemi duke bërë ftesa ndaj qeveritarëve të lartë si dhe biznesmenëve shqiptarë  që të vijnë për vizitë në Kubë. Në mënyrë të veçantë z. Pedro Pablo San Jorge vlerësoi afrimitetin mes dy popujve, atij shqiptar dhe kuban.

Ambasadori i Kubes (1)

Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale Kubë- Shqipëri?
Para së gjithash dua të falënderoj të gjithë ekipin e Neës24 për këtë intervistë. Për mua është një kënaqësi të vij përsëri në Tiranë. Kam 3 vjet që përfaqësoj Kubën si ambasador në Shqipëri dhe mund të pohoj se në këto momente marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Kubës janë shumë të mira. Ne jemi duke punuar për të forcuar dhe zgjeruar edhe më tej këto marrëdhënie dhe për këtë arsye ne sot kemi pasur takime me autoritetet me të larta të vendit.

Është në interesin tonë që ne të vendosim marrëdhënie në të gjitha sektorët e mundshëm si ne nivel presidence, në nivel qeverie, në nivel parlamentar. Gjithashtu për të punuar për disa marrëveshje që ne tashmë i kemi përgatitur, që të avancojmë edhe më tej në këtë bashkëpunim.

Deshëm ta shfrytëzonim këtë mundësi për të promovuar mundësitë që ekzistojnë në vendin tonë për biznesin shqiptar si pasojë e hapjes që ka pësuar politika e qeverisë tonë gjatë viteve të fundit ndaj investimeve të huaja. Sepse ne mendojmë që në Shqipëri ekzistojnë ndërmarrje me potencialet e duhura dhe me konkurrueshmërinë e duhur për të hapur dhe investuar kapitalet e tyre në Kubë. Gjithashtu ka edhe fusha të tjera ku ekzistojnë mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit siç është kultura, sporti, dhe në mënyrë shumë të veçantë sektori i shëndetësisë.

Shohim se ka një gatishmëri dhe disponibilitet të mirë nga ana e autoriteteve shqiptare për ta zgjeruar këtë lloj bashkëpunimi. Po kështu edhe autoritetet kubane e kanë këtë disponibilitet për të shtuar marrëdhëniet me Shqipërinë sepse këto marrëdhënie janë historike dhe tradicionale midis popullit kuban dhe popullit shqiptar.

A mendoni se këto marrëdhënie mund të thellohen më shumë?
Ne konsiderojmë se ekzistojnë shumë mundësi dhe shumë ide që të zgjerojmë fushat e bashkëpunimit duke pasur parasysh gjithë këto ndryshime të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 25 viteve të fundit dhe po kështu duke pasur parasysh  edhe ndryshimet që kanë ndodhur në vendin tonë. Këto ndryshime para se të ndodhnin na kanë mbajtur të distancuar për njëfarë kohe por në këto momente shohim se ekziston vullnet i mirë i të dy qeverive për t’i forcuar këto marrëdhënie. Dhe për këtë arsye në takimet që patëm sot pamë që koinçidojmë në mendime dhe ide midis të dy qeverive, ekzistojnë marrëdhënie të mira politike dhe diplomatike. Ekziston një bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash midis organeve më të larta të qeverive tona.

Ne jemi duke bërë ftesa ndaj qeveritarëve të lartë si dhe biznesmenëve shqiptarë  që të vijnë për vizitë në Kubë. Gjithashtu ekziston një vullnet i mirë i qeverisë shqiptare për t’i mbështetur këto iniciativa dhe unë mendoj se të gjitha këto përpjekje do të na çojnë në një rritje edhe më të madhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona.

Në Shqipëri po flitet shumë për reformën në drejtësi. A mendoni se kjo do të jetë një reformë e suksesshme?
Unë kam qenë në kontakt me temat që diskutohen dhe zhvillohen aktualisht në Shqipëri dhe unë mendoj që është një nga temat me shumë interes qoftë për popullsinë qoftë për aktualitetin në Shqipëri dhe si ambasador në këtë vend unë dëshiroj dhe uroj që të kalohet me sukses kjo lloj reforme dhe të bëhet për të mirën e popullit në radhë të parë, në mënyrë që të arrihen rezultate të kënaqshme në sektorin e drejtësisë.

Çfarë vlerësoni më shumë në Shqipëri?
Vërtet është një pyetje shumë interesante. Ka shumë gjëra pozitive që ne kemi parë në Shqipëri. Është një vend që na ka bërë shumë përshtypje, na ka impresionuar shumë, dhe kjo gjë për historinë e saj, për traditat, për kulturën e saj, por nëse ka diçka që duhet ta veçojmë, që mua më ka bërë shumë përshtypje, është dashuria dhe afrimiteti që ndjen populli shqiptar për popullin kuban dhe për Kubën.

Në të gjitha nivelet që kemi qenë, unë mendoj që ekziston kjo ndjenjë, dhe ne si parti politike kemi pritur në nivel ministrish delegacione dhe e kemi perceptuar dhe kemi parë këtë lloj dashurie dhe afrimiteti ndaj popullit kuban, sepse kemi të bëjmë me disa marrëdhënie që kanë ekzistuar prej shumë vitesh, kanë qenë marrëdhënie shumë të thella.

Shumë kubanë e kanë vizituar Shqipërinë, kanë vizituar Tiranën, dhe shumë shqiptarë kanë vizituar Kubën, dhe kjo gjë ka çuar në krijimin e një marrëdhënie shumë solide. Dhe është objektivi ynë thelbësor që unë si ambasador përpiqem që t’i promovoj, t’i mirëmbaj dhe t’i ruaj këto lloj marrëdhëniesh dashurie, simpatie, midis popujve tanë.

Sa ka ndikuar incidenti me diplomatët amerikanë në Kubë dhe dëbimi i diplomatëve kubanë nga Uashingtoni në marrëdhëniet Kubë-SHBA?
Është e qartë që kjo ngjarje është përhapur gjerësisht në plan ndërkombëtar dhe në shumë raste dëgjohet ose shihet vetëm versioni i palës amerikane. Por unë dua t’ju shpjegoj nga ana e vendit tonë duke u nisur nga fakti nga informacioni që morën autoritetet kubane për ekzistencën e një lloj sëmundje misterioze akustike që shkaktoi disa simptoma që preknin dëgjimin e një grupi diplomatik amerikan të akredituar në Havanë. Vendi ynë ofroi të gjithë bashkëpunimin  e tij dhe angazhimin për të hetuar se cilat ishin arsyet që shkaktuan këto probleme, madje ftoi edhe specialistë dhe funksionarë amerikanë që të vinin në vendin tonë dhe që të gjithë së bashku të hetonin se për çfarë bëhej fjalë. Në këto momente hetimet po vazhdojnë.

Duke u nisur nga informacionet e kufizuara që kanë dhënë organet e departamentit amerikan të shtetit, dua të sqaroj që Kuba është një nga vendet që përmbush në mënyrë strikte të gjitha marrëveshjet dhe të gjitha pikat e marrëveshjeve të Vjenës, dhe në mënyrë të veçantë për personelin diplomatik të akredituar në Havanë, dhe gjithmonë ka marrë të gjitha masat për mbrojtjen e të gjithë trupave diplomatike në Havanë.  Unë dua t’ju them që ne ende nuk kemi konkluzione përfundimtare në lidhje me këtë investigim që po bëhet, por edhe pse nuk kemi akoma konkluzionet, qeveria amerikane mori vendimin për të tërhequr një pjesë të diplomatëve të saj që ishin të akredituar në Havana, dhe gjithashtu mori vendimin për të përzënë 15 diplomatë kubanë nga Shtetet e Bashkuara.

Ne, nëpërmjet Ministrit të punëve të jashtme u shprehëm se është një vendim i nxituar, i pabazuar në konkluzione, është një vendim i njëanshëm nga ana e qeverisë amerikane dhe që sigurisht do të ketë pasoja apo ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe. Megjithatë qeveria kubane dhe ministria e jashtme e Kubës në shumë raste ka shfaqur mendimin apo gatishmërinë dhe vullnetin e saj për të vazhduar punën kërkimore me autoritetet amerikane që të bashkëpunojmë në sektorë të ndryshëm ku ekzistojnë interesa të përbashkëta. Sepse si vende fqinje që jemi, kemi shumë sektorë që janë me interes për të dy vendet dhe që gjatë viteve të fundit janë krijuar shumë grupe pune në lidhje me këto sektorë të interesit të përbashkët.

Janë rritur shumë marrëdhëniet apo shkëmbimet kulturore, sportive, akademike me SHBA, madje edhe gjatë këtyre dy viteve të fundit kanë qenë të vazhdueshme konsultat politike që kemi pasur me qeverinë amerikane, si në Havanë ashtu edhe në Uashington. Shumë ndërmarrje amerikane kanë shprehur interesin e tyre për të bërë investime në Kubë, janë firmosur projekte paraprake të cilat do të zbatohen pasi të eliminohet plotësisht bllokada amerikane ndaj Kubës, pra ekziston një potencial i madh në marrëdhëniet midis dy qeverive dhe vendeve tona, dhe sigurisht që ky vendim i fundit i njëanshëm do ketë një impakt negativ të themi në marrëdhëniet tona dypalëshe.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb