Me ftesë të Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Dhomën e Lordëve të Parlamentit britanik, Ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe Z.Qirjako Qirko adresoi në seancën dëgjimore mbi temën ‘Beyond Brexit, The UK and the Balkans’.

Kjo është hera e parë që Dhoma e Lordëve (Komisioni i Jashtëm) fton në një dëgjesë një Ambasador shqiptar, për të diskutuar marrëdhëniet midis dy vendeve, sidomos pas periudhës Brexit. Pas rritjes së vëmendjes për një diplomaci ekonomike nga Kryeministri para dy javësh, ambasadori Qirko i dha shumë rëndësi kësaj pjese duke përmendur të gjitha lehtësirat e legjislacionit shqiptar për të gjithë bizneset angleze të interesuara, moshën mesatare të re të popullsisë, njohjen e anglishtes në masë nga brezi i ri, etj, etj.

Gjatë zhvillimit të seancës, anëtarët e Komitetit shprehën interes të njiheshin me: rolin e Mbretërisë së Bashkuar në një qasje më efektive ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri, masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit; peshën e turizmit në ekonominë shqiptare, pozicionin e Shqipërisë lidhur me dialogun Kosovë – Serbi dhe çfarë roli mund të luajë Mbretëria e Bashkuar në këtë drejtim; perceptimin e popullit shqiptar mbi integrimin evropian të vendit, qasja e vendeve anëtare të BE-së lidhur me këtë çështje; mbi kontributin e MB pas Brexit në Shqipëri dhe vlerësimi i këtij kontributi; rolin e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, etj.

Ishin pyetje disa herë delikate, por ambasadori Qirjako Qirko iu përgjigj me shumë diplomaci dhe pa i dhënë shkas keqkuptimeve.

Por, ndërkohë në faqen e turizmit në Shqipëri të FCO (Ministria e Jashtme Britanike) në muajin shtator, është hartuar një tekst mjaft dekurajues (ku thuhet që në Shqipëri ka edhe ndonjë vrasje të turistëve, përgatituni edhe për ndonjë vjedhje, ndonëse natyra dhe njerëzit janë shumë bujarë dhe mikpritës)…

Ambasadori Qirko këtë tekst ua lexoi Lordëve pjesërisht (duke u shprehur: I feel embarrased..) pasi ishte e qartë për ta që nuk ishte realist. Ata u ndjenë vërtet keq, dhe madje kryetari që drejtonte takimin gati i kërkoi ndjesë.

Qirko tha se vetëm 7 muajt e parë të vitit 2017 statistikat tregojnë se jo më pak se 70 mijë turistë angleze “të guximshëm” kanë vizituar Shqipërinë, që shkaktoi jo pak të qeshura për humorin. Drejtuesi i tha se ‘të kuptojmë shumë mirë, dhe ndonjëherë burokracia mbetet mbrapa realitetit’.
Në konkluzion, takimi u përshëndet nga te gjithë. Diplomati Qirko mbuloi edhe Kosovën, duke dhënë qëndrime edhe për këtë vend.

Për më tepër, në përgjigje të interesimit së Komitetit, Ambasadori Qirko nënvizoi se niveli i shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve tona nuk është në nivelin e pritshmërive dhe mundësive që aktualisht ekzistojnë, dhe se në këtë këndvështrim forcimi i rolit të diplomacisë ekonomike dhe promovimi i potencialeve ekonomike të Shqipërisë janë ndër objektivat kryesore të Ambasadës shqiptare në Britaninë e Madhe.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit, u informua me sistemin e masave të ndërmarra nga qeveria vitet e fundit në këtë drejtim, duke u ndalur veçanërisht në luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Ambasadori Qirko, pasqyroi qëndrimin e qeverisë shqiptare për disa nga zhvillimet më të rëndësishmë në Ballkanin Perëndimor, si dhe dëshmoi për angazhimin dhe rolin e saj kontribues në drejtim të paqes e stabilitetit të rajonit. Po ashtu, ai informoi pjesmarrësit mbi pozicionin e qeverisë shqiptare ndaj dialogut Kosovë – Serbi, si dhe nevojën e një qasje realiste të Serbisë në këtë proces.

Përsa i përket integrimit evropian të vendit, u evidentua mbi mbështetjen e gjerë që gjen në Shqipëri ky objektiv, si një gur themeli në politikën tonë të jashtme.

Ndërsa, lidhur me rolin e SHBA-ve në rajon dhe angazhimin e administratës Trump, Ambasadori vuri në dukje mbështetjen dhe simpatinë që gëzon politika amerikane në Shqipëri dhe në disa vende të rajonit. Në vijim, u evidentua roli përcaktues që kjo politikë ka patur në 20 vitet e fundit në drejtim të stabilitetit të rajonit, si dhe interesi i administratës Trump në drejtim të integrimit euroatlantik të këtyre vendeve, apo kontributin e kësaj administrate në drejtim të zgjidhjes së krizave politike në disa prej tyre.

(Minuta: 11:36 e ne vazhdim ambasadori Qirko)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb