TIRANE- “Jam e vetëdijshme se shqiptarët kanë shumë pak besim te gjyqësori i tyre dhe shpresoj shumë që kjo do të ndryshojë sepse Shqipëria është një demokraci dhe një vend demokratik duhet të ketë edhe një gjyqësor të pavarur dhe aktualisht mendoj se janë vërtet shumë gjëra që nuk po shkojnë mirë në sektorin gjyqësor”. Deklarata vjen nga ambasadorja e Holandes në Shqipëri, zonja Dewi van de Weerd gjatë një interviste për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24.

Ambasadorja e Holandes shtron pyetjen se në Shqipëri ka shumë prokurorë, por a janë ata vërtet të ngarkuar me punë? A po merren me shumë ceshtje? “Mendoj se ajo që Shqipëria meriton është një sistem gjyqësor i pavarur dhe llogaridhënës që është transparent, ku qytetarët të mund të shikojnë se sa shumë çështje trajtohen. Pra mendoj se është e mundur, mendoj se do të kërkojë kohë dhe se nuk mund të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, por nevojitet që të bëhet sa më tërësore. Sepse nëse një qytetar ka një problem dhe shkon në gjykatë, duhet të sigurohet se çështja e tij do të trajtohet në mënyrë të pavarur dhe se nuk do të ketë nevojë t’i japë dikujt ryshfet apo t’i mungojë besimi në gjyqësor” deklaron ambasadorja Dewi van de Weerd.

Sipas ambasadores së Holandes në vendin tonë reforma në gjyqësor do të ndihmojë edhe ekonominë sepse do të krijojë një sistem ku kompanitë do ta dinë se çfarë duhet të presin. “Ata do ta dinë se cilat janë mënyrat për të marrë një leje në një mënyrë objektive. Reforma në drejtësi do të ndihmojë shumë edhe lulëzimin e sektorit privat, por shumë duhet të bëhet gjithashtu për të ndihmuar të rinjtë që të kenë mundësinë të studiojnë, të marrin trajnim profesional”. Duke u ndalur te procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, ambasadorja Dewi van de Weerd shprehet se Holanda mendon se ballkani perëndimor vërtet i përket bashkimit europian. “Mendoj se politika e Holandës është strikte dhe e bazuar në ndershmëri. Pjesa strikte është ku reformat që nevojiten për të hyrë në Bashkimin Europian nuk janë reforma për të cilat ne duhet të vendosim një notë. Ne mendojme se është një reformë që duhet të bëhet në një mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike. Dhe mendoj se kjo vërtet kërkon kohë dhe nuk është kaq e lehtë. Dhe këtu do të doja të theksoja politikat strikte dhe të bazuara në ndershmëri dhe për të qenë të sinqertë, ne nuk mendojme se kjo është diçka që ju mund ta bëni të vetëm. Ne qëndrojmë të gatshëm si partnerë të Shqipërisë për të dhënë ndihmën tonë” shprehet ambasadorja e Holandës në Tiranë.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: