NGA FATMIRA NIKOLLI

“NË EMËR TË POPULLIT” qe titulluar konferenca mbi dokumentet e reja, që hedhin dritë mbi diktaturën komuniste në Shqipëri. Ajo u mbajt të martën, më 20 dhjetor, në Muzeun Historik Kombëtar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Duke përdorur në mënyrë simbolike formulën paradoksale “Në emër të popullit!” me të cilën arrestoheshin njerëz të pafajshëm dikur, kjo konferencë synoi të tërheqë vëmendjen drejt aspekteve më të rëndësishme të shtetit komunist në Shqipëri, siç qe eliminimi i sistemit të drejtësisë dhe trajtimi barbar në burgje dhe kampe, të cilat përbëjnë edhe tematikën bazë të këtyre botimeve të reja. Agron Tufa tha se këtë vit kemi dyfishin e botimeve.

Sipas tij, “rëndësia më e madhe u është dhënë monografive të mbështetura mbi dokumentet e persekutimit dhe gjenocidit në periudha të ndryshme të diktaturës. Ka botime atipike, siç është një novelë e Dostojevskit ‘Net të bardha’ e përkthyer në burg dhe që ka qenë pjesë e aktakuzës së përkthyesit, që ka qenë ish-i burgosur politik Luan Muftiu”. Ai shtoi se ka zhanre të ndryshme si ese meditative, kronika familjare siç është “Saga e Merdanëve”, romane autobiografike si “Kohë për qiri” e Luftar Pepmarku dhe një varg veprash, studime dhe libra që përmbledhin terrorin e Sigurimit të Shtetit mbi territore të caktuara si “Mirdita nën terrorin komunist” i Prengë Gjomarkaj, etj”.

Në këtë vazhdë, Tufa tha se ka libra për likuidimin e grupit të të rinjve, luftën e ashpër brenda llojit si gjyqi i Tuk Jakovës, është libri i Vasfi Barutit për flamurin dhe manipulimin e simboleve kombëtare, e aktit të pavarësisë që janë transformuar dhe shpërfytyruar nga ndërhyrjet e shpeshta ideologjike”. Ndërsa në tërësi janë 21 vepra të botuara nga ky institut, nisma e ISKPK-së, për dhënien mësim në shkolla të moduleve mbi regjimin komunist, ka treguar se gjimnazistët nuk e njohin fare këtë pjesë të historisë së Shqipërisë.

“Është një projekt pilot që kemi ne me Ministrinë e Arsimit për të informuar nxënësit mbi regjimin komunist. Jemi entuziastë nga përfshirja e gjimnazistëve në këtë narrativë e kjo i ka kaluar parashikimet tona. Gjimnazistët s’kanë asnjë informacion. Kjo është thembra e Akilit, nuk ka asnjë informacion – pa ditur gjë që do të dilte një sondazh si ai i OSBE-së, që do të jepte gjendjen katastrofike, ne kemi nisur punën për të informuar të rinjtë se çka ndodhur në Shqipëri gjatë regjimit”. Sipas Tufës, të rinjtë jo vetëm “që s’ia kanë idenë fare, por thonë se kurrë nuk u është folur për këtë pjesë të historisë. Në kurrikulën mësimore nuk ka asnjë informacion, periudha e diktaturës kalon me gjysmë faqe dhe për terrorin komunist nuk flitet fare. Interesi është jashtëzakonisht i dukshëm”.

Ai tha se në “leksionet” që jep ky institut në gjimnaze, kombinohen materialet audovizuale, me filma dokumentarë, intervista të të mbijetuarve nga kampet e shfarorëse, etj., fotografi, dokumente, letra denoncuese. “Jemi munduar që informacioni të jetë sa më neutral për vitet 1943-1991. E shmangim subjektvizmin a propagandën. Duam që nxënësit të reflektojnë, të meditojnë e të kërkojnë më tej. Kjo, sepse ne nuk kemi një tekst që përfshihet në kurrikulën mësimore të detyrueshme. Vetëm kjo do e zgjidhte një herë e mirë. Synojmë të përfshihet e gjithë Shqipëria në këtë projekt tonin me mësime mbi komunizmin”.

POEZITË E KASORUHOS

Mes 21 titujve të rinj që ka botuar Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, është edhe një botim me poezi nga Amik Kasoruho “Shkëndijëzat mes errësirës”. Tufa tha se është një libër i lënë prej përkthyesit e shkrimtarit në dorëshkrim. “Janë poezitë e burgut të Amik Kasoruhos. Botohen për herë të parë botohen”. Në parathënie të këtij libri, Meri Lalaj shkruan se ishte befasi e këndshme kur një ditë Xhovana Kasoruho i dha një dosje të mbushur plot me fletë të shkruara me dorë dhe me makinë shkrimi.

“Nuk prisja të gjeja poezi kaq të fuqishme, në mendim dhe ndjenjë, poezi të shkruara në moshë fare të re, 18- 19 vjeç”. Poezitë e para zënë fill në burgun e Burrelit, në vitin 1953 dhe më tej, ato janë shkruar gjatë viteve deri më 1955. Ndërsa, Amiku gjatë jetës nuk ka botuar asnjë poezi, ai ka përkthyer “Lartësitë e stuhishme” të Emili Brontesë, pesë botime nga Harold Robbins, Pirandellon, “Damka e Turpit” e Nathaniel Hawthorne, etj., ai ka botuar edhe esenë dokumentare “Një ankth gjysmëshekullor. Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Drita e Zotit dhe terri i njeriut”, romanin “Ikje nga trilli i perëndive”, “Pa mëri, publicistika e jetës sime”, etj.

Disa prej poezive janë shkruar në gjuhë letrare e të tjera janë shkruar në dialektin gegë. “Më bëri përshtypje”, thotë Lalaj, – “gjirokastriti që shkruan në gegërishte të mirëfilltë duke iu përmbajtur drejtshkrimit të para vitit 1972 dhe më vonë sipas normave të drejtshkrimit standard”. Ajo shënon se pjesa e parë u përket poezive të burgut dhe ashtu siç kishte shkruar Amiku tek një fletë, janë lënë me titullin “Shkëndijëzat përmes errësirës”. Aty, ai u shkruan shokëve të tij, bashkëvuajtës si Tefik Gabrani, Lorenc Vat Dedës, miqve S.A. dhe K.K po ashtu edhe “Nji malcueri qi i njoh veç zanin”. Në një poezi ai shkruan: “… natën, në terr, un hekrat s’i paç shque/ E as të zbem’t qi f’tyrat na i mblon;/ E tash, o mik, qe tash qi agu u çue,/ Un prap mednon se jash përtrihet jeta/”.

Te poezia me të cilën hapet libri, nën titullin “Kushtim” ai shkruan për njerëzit:
“Më lindi jeta./ I këndova rrugëve të fatit/ Le të jehojnë zërat e njerëzve/ Atyne u kushtohen: njerëzve qi i kam dasht aq fort sa t’harroj edhe se më kanë ba me vuejtë”(1956, e nënshkruar si Amik Qemal) Te pjesa e dytë janë renditur poezitë për nënën dhe babain. I ati i Amikut, Qemal Kasoruho u pushkatua për shkak të atij që njihet si incidenti i bombës në ambasadën sovjetike, në kohën kur vetë Amiku ishte i burgosur.

Në poezinë “Atit tem” ai shkruan:
“Tash srish fëmi e ndiej un vedin prore/ kur mundi m’fal at jetë qi ti bore/ o Ati im qi u trete/ e rri mendon e nis e flas me vete./ Si, kur kërthi, mbërthye më kish kllapija; deh kthen e bjena gazin prap t’u shpija!/ A s’lodhe tue kundrue/ ndër qjeje amshimi at hir që nuk u shue?” O kish ta dishe lotin qi s’loton/ si sytë verbue i a pati nan’s, si vlon/ kjo zemër e tyt biri/ kah rri e vron si nalt ndër qieje hiri/.

Në një tjetër poezi me titullin “Atit tem”, ai thotë:
Ti shkove: larg t’u tret hovi yt i dlirtë;/ ndër qiej të tretun pagjën e amshueme/, andjen e mbrame, ndieve, shpirti i flurtë…/ Ty jeta t’la: nji hije endacake/, me njolla gjaku të pluhnuem mbi tokën e tmerrueme brodhi heshtas/…

Viset e largta ku qeton prendimi/ për ne, mortar’t, për ty janë ag pa mort./ E ti kundron se jeta urdhnin tand, me e dashtë të mirën, ruen ndër stina t’reja/ e ti lumnon: në t’kthjelltën pafundsi/ po gjen nj’at pagjë që qi t’iku, pse të vranë!/ (Tiranë Fruer 1956)

Veç të atit, ai i shkruan edhe së ëmës.

Ti qan për dhimba t’mia?/
Unë qeshem, nanë, me jetën/
Unë qeshem pse dashnija
Të dashtun ma bjen tretën
Kur lumturi s’andrroj

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: