NGA EGLANTINA ALLIAJ*

TIRANË- Të gjithë ata persona që kanë bërë ndërtime pa leje para datës 10 prill 2014 dhe janë dënuar apo ndiqen penalisht, do të amnistohen. Kuvendi miratoi me 96 vota pro ndryshimet ligjore  për të liruar nga burgu apo ndjekja penale të dënuarit për “veprën e ndërtimit të paligjshëm”.

Sipas draftit, nga amnistia pritet që të përfitojnë ata persona që janë dënuar apo proceduar penalisht për ndërtime pa leje dhe që ndërtimin e kanë bërë para 10 prillit të vitit që lamë pas, dhe e kanë ngritur objektin në tokën e tjetrit apo atë publike. Sipas deputetëve, ligji aktual ju mundëson amnisti personave që janë proceduar kur kanë ndërtuar në tokën e tyre, por përjashtime bëhet në rastet kur objekti është ndërtuar në pronë shtetërore apo të dikujt tjetër. Prandaj, kanë kërkuar që edhe këta të fundit të mund të amnistohen.

“Në një formë të thjeshtëzuar mundet të thuhet se, nëse civilisht ndërtimin pa leje e “amnistojmë” pavarësisht se kush është pronari i tokës ku është bërë ndërtimi, penalisht ne e amnistojmë këtë ndërtim vetëm kur ai është bërë në tokën e personit që e ka bërë ndërtimin e paligjshëm. Nuk e amnistojmë penalisht ndërtimin pa leje (me ligjin aktual) në rastin kur ai është bërë në, tokë të tjetrit, apo në tokë publike”, shprehen deputetët në relacionin e draftit.

ARGUMENTAT
Për këto shtesa në ligj janë dhënë dhe argumentet përkatëse të tij. Kështu sipas të dhënave që disponon ALUIZN-i vetëm rreth 30 për qind e ndërtimeve të paligjshme janë bërë në pronë të vetë subjektit që ka bërë ndërtimin. Pjesa tjetër e ndërtimeve të paligjshme, pra rreth 70 për qind, janë bërë në tokë të tjetrit, ose në toke publike. Duke i qëndruar kësaj logjike në krijimin e nonsensit por dhe problem nga pikëpamja praktike, u kërkua nga deputetët nismëtarë shtesa në ligj për heqje dënimi për këtë kategori personash.

RELACIONI
Në relacionin shpjegues të nismës së disa deputetëve të Kuvendit, referuar në Kodin Penal thuhet se sipas paragrafit të parë të nenit 199/a të këtij Kodi, vepra penale konsiston në një ndërtim të paligjshëm të bërë në tokën e vetë subjektit të veprës penale. Por sipas paragrafit të dytë të këtij neni, vepra penale konsiston në një ndërtim të paligjshëm të bërë në tokën e tjetrit ose në një tokë pronë publike. Por ligji nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, i bën një adresim të njëjtë ndërtimit të paligjshëm, pavarësisht nëse ai (ndërtimi) është bërë në tokë, pronë e subjektit që ka bërë ndërtimin e paligjshëm, apo në tokë të tjetrit, apo në tokë publike. Pra sipas këtij ligji, pavarësisht se cili është pronari i tokës ku është bërë ndërtimi, subjekti që ka bërë ndërtimin e paligjshëm mundet ta legalizojë atë (ndërtimin) sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga ky ligj. Pronësia mbi tokën, saktësohet në relacion nuk është kriter përjashtues për të përfituar nga legalizimi i një ndërtimi të paligjshëm.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb