TIRANË- Analisti Andi Bushati ka komentuar në studion e News24 situatën politike pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kërkesës për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe se si ndikon kjo çështje për qeverinë “Rama 2”.

Bushati tha se kjo çështje është për Ramën, si 21 janari për Berishën. Ai u shpreh se të dy prodhuan alibi pas këtyre ngjarjeve. Sipas tij, nëse në përgjime del që trafikantët kanë në kontroll radarët e ushtrisë, kjo e kalon tagrin e Tahirit.

Duke lënë mënjanë këtë dhe duke folur për atë që ka gëluar, përfshirja e ministrave të tjerë në dosjen Habilaj. A pëson një tronditje qeveria Rama nga e gjithë kjo situatë?
Ju keni të drejtë kur thoni kanë qarkulluar jashtëzakonisht thashetheme këto ditë. Ne jemi mësuar. Sa herë ka një skandal, hija e thashethemnajës është më e madhe se fakti vetë. Është e vërtetë, ky skandal edhe nëse nuk vërtetohet kurrë nga drejtësia i ka dhënë një njollë të padiskutueshme me këtë qeveri. Kjo që po ndodh Ramës me Tahirit është si Berisha pas 21 janarit. Kjo po i ndodh Edi Ramës.

Në fund del nga përgjimet as të opozitës dhe as të medias së kazanit që ministra të qeverisë Rama janë të përfshirë. Nëse në përgjime del që trafikantët kanë në kontroll radarët e ushtrisë, kjo e kalon tagrin e Tahirit. Rama u soll si Berisha në 21 janar, që në fillim prodhoi alibi. Jetojmë paradoksin e liderëve tanë që sa herë kapen me duart në krim, fillojnë jo të pranojnë fajin e tyre por ta shohin të keqen tek të tjerët.

Kush ka më shumë rëndësi, si do e luajë lojën qeveria apo opozita?
Mendoj se më shumë rëndësi ka si do e luajnë lojën të huajt. Po të ishte për opozitën e qeverinë ato i kanë prej 4 vitesh konstante qëndrimet e tyre. E reja është këtu që na serviret një dosje nga jashtë që trondit politikën shqiptare. Rama është kaq i pakuptimtë sepse ai ka ankthin se çfarë dinë akoma të huajt për qeverinë tonë.

A mendoni se ka më shumë materiale përveç asaj që është folur?
Në gjykatën e Katanias, përgjuesit italianë kanë çuar aq sa u duhet për të arritur nga gjykata e tyre masën e arrestit, por ata janë mjaftuar me aq sa i çohen një gjykate, padyshim që 3 apo 4 vite përgjime kanë shumë më tepër. Flitet që kanë përgjuar dhe prokuroria dhe anti-mafia e Leces. Hetimi mund të zgjerohet. Kemi të bëjmë me fakte gjyqësore. Besoj se situata është më se e qartë. Katër vite më parë kemi pasur disa denoncime se Saimir Tahiri është i lidhur me Habilajn, faktet tregojnë këtë.

Presidenti i Komisionit të Venecias, Buquicchio shprehet se korrupsioni në Shqipëri është në nivele alarmante. Çfarë mendoni për këtë deklaratë?
Vlerën e merr vetëm se është prapë një deklaratë që thuhet nga jashtë. Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë. I është bërë presion politikës të ndryshojë, por është e paaftë të shkëpusë lidhjet me krimin. Kemi deklaratën e Donald Lu pas ngjarjeve në Elbasan. Edi Rama nuk mund të bëjë shenjtin është i lidhur me një qeveri që është e lidhur me trafikantët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb