Gazetari Mustafa Nano ka bërë një analizë të situatës aktuale politike në vend. Në shkrimin e tij ai thotë se në selinë blu, të gjithë po bëjnë garë për t’u dukur sa më shumë si ish-kryeministri Sali Berisha duke e krahasuar dhe me Kim Jong-Un në Korenë e Veriut.

“Kundërshtarët e Bashës brenda partisë kërkojnë ta kompleksojnë, duke e sulmuar me tezën se ai nuk i afrohet Berishës  Të gjithë atje kanë veç një garë me njëri-tjetrin: Si t’i ngjajnë Berishës sa më shumë, si ta lartësojnë sa më shumë atë, si t’i hyjnë sa më shumë në zemër. Diçka e ngjashme ndodh sot në Korenë e Veriut. Me Kim Jong-un-in.

Sipas tij, askush nuk e sheh Berishën si problemin kryesor të PD, por e shohin si zgjidhje. Nano thotë se ky është problemi kryesor i demokratëve.

Analiza e plotë e Mustafa Nanos

“Edi Rama ta harrojë që me opozitën dhe me Partinë Demokratike do të ketë diçka tjetër përveç përballjes totale; ai e ka zgjedhur kompromisin; kompromisin e ka me krimin e organizuar, e ka me Sejdinët jo vetëm në Elbasan, por anembanë Shqipërisë; me Sejdinët e krimit; dhe me këtë rreshtim është e qartë se Edi Rama e ka vënë Partinë Socialiste dhe qeverinë në funksion të aleancës me krimin; … Edi Ramën e sollën në pushtet bandat, e solli në pushtet krimi, e sollën në pushtet droga e paratë e drogës; …. kjo qeveri bashkëqeveris me krimin dhe është rob i një marrëdhënie korruptive me oligarkët; nuk ka konsensus të PD-së me këtë qeveri, me këtë mazhorancë dhe me Edi Ramën; opozita është totalisht kundër kësaj qeverie për jetë a vdekje”.

Quiz: Nga goja e kujt kanë dalë fjalët e mësipërme? Besoj se të gjithë bini në një mendje se këto fjalë janë të Sali Berishës. Është stili i tij, në fakt: aleanca me krimin, kompromisi me krimin, Sejdinët, përballje totale, për jetë a vdekje, oligarkët, bandat, droga, paratë e drogës. Mirëpo, jo, nuk janë të Sali Berishës. Mund të ishin të tijat, por nuk janë të tijat. Janë të Lulzim Bashës. Janë thënë në parlament më 9 tetor. U befasuat nga kjo gjë? Nuk besoj. Që Basha është një papagall i Berishës, është marrë vesh prej kohësh. Vetëm ata që aftësinë për të vëzhguar e kanë në nivele minimale nuk kanë mundur ta vënë re. Më e para gjë që na ka dëshmuar Lulzim Basha qysh prej momentit që mori në duar drejtimin e Partisë Demokratike ka qenë këmbëngulja për të imituar mentorin e vet. Dhe kjo është për të ardhur keq. Kurrë nuk ka pasur në historinë politike shqiptare një politikan si Basha të cilit rrethanat, koha, fati i kanë lënë në duar një këmborë të madhe, dhe ai as që e ka idenë se si tundet. As ka dëshirën më të vogël për ta tundur. Kundërshtarët e Bashës brenda partisë kërkojnë ta kompleksojnë, duke e sulmuar me tezën se ai nuk i afrohet Berishës as deri te gishtat e këmbëve, dhe si kundërpërgjigje, Basha shton përpjekjet që t’i ngjajë sa më shumë Berishës. Kjo është loja e vetme që bëhet në PD. Të gjithë atje kanë veç një garë me njëri-tjetrin: Si t’i ngjajnë Berishës sa më shumë, si ta lartësojnë sa më shumë atë, si t’i hyjnë sa më shumë në zemër. Diçka e ngjashme ndodh sot në Korenë e Veriut. Me Kim Jong-un-in.

PD-ja është identifikuar gjithë kohën si një parti e Berishës. Dhe puna më e mirë që mund të bënte Basha momentalisht do të ishte që t’i jepte asaj partie një pamje tjetër, që të shënonte me këtë përurimin e një epoke tjetër. E bukura është se ai është me mendjen që e ka bërë këtë punë, pasi ka zgjedhur një skuadër të tijën, dhe një grup parlamentar. Mirëpo, kaq sa ka bërë Basha (nëse e ka bërë Basha), vlen sa për fillim. Në mos, nuk vlen fare. Për sa kohë që Basha e ka mendjen veç të dëshmojë se i është mirënjohës Berishës për gjithçka ky i fundit ka bërë për të, atëherë kanakarët e vet kanë për ta braktisur në rastin më të parë. Udhëheqës të tillë, pa pikë personaliteti, janë gjëja më e lehtë për t’u braktisur. Madje, unë kam përshtypjen se atë e kanë braktisur tanimë. Dhe në këtë mes nuk e kam fjalën për ata që votuan për Gramoz Ruçin. Ata 2-3 vetë ishin. E kam fjalën për të tjerët që shkojnë e falen fare pa të keq në zyrën e Berishës. Ata thellë-thellë janë me Berishën, jo me Bashën. Jo sepse mes këtyre të dyve ka ndonjë konflikt, por sepse gjithçka është në dorë të të parit. Siç është edhe vetë Basha (që jo më kot fitoi 90% të votave të partisë pas një humbjeje kolosale në zgjedhjet parlamentare!!!!). Këtij të fundit edhe mund t’i kthehen kundër një ditë, ndoshta qysh sot nëse nevoja e kërkon, ndërsa Berishës nuk mund t’i kthehen kundër asnjëherë. Por Basha nuk e bën qejfin qeder për këtë gjë. Pasi ai vetë është i pari që është me Berishën. Dhe Basha është i lumtur që është kështu. Ai nuk lë gjë pa bërë që të tjerët, sidomos Berisha, ta marrin vesh se ai është i lumtur të jetë në krye të partisë së Berishës. Është i lumtur që është një vegël në duart e tij. Nuk ka fund mirënjohja e tij për të. Ai të jep përshtypjen se nuk di ç’të bëjë për ta konkretizuar këtë mirënjohje.

Ishte domethënës reagimi i tij pas lajmit se Berisha do thirrej në gjyqin e Shullazit. Berisha është shprehur disa herë mbi Shullazin, e mbi bëmat të tij, dhe është gjëja më logjike që ai të thirret për të dëshmuar në gjyqin e tij. Dhe kështu u vendos. E vendosi gjyqtari i çështjes. Berisha vetë nuk tha asnjë fjalë pas këtij vendimi. As të tjerët. E nuk kish se çfarë të thoshin, pasi nuk ka ndodhur asgjë e çuditshme. Nuk ka asnjë problem në këtë mes. Nuk ka pse të ketë. Thjesht është kërkuar të dëshmojë në gjyq një person që ka treguar se ka informacion mbi të pandehurin. Mirëpo Bashës nuk iu durua. Foli. Ja reagimi i tij (vini re sërish stilin e Bashës; ai është tamam një kukull e kurdisur berishiane): “Saimir Shullazi e Emiliano Tahiri në sintoni të plotë me njëri-tjetrin kërkojnë dëshminë e Sali Berishës; kjo sigurisht nuk është rastësi, por një përpjekje e koordinuar mes dy ortakëve me urdhër të Edi Ramës për të larguar vëmendjen nga krimet e trafiqet ku janë përfshirë së bashku; t’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar është njësoj si t’i kërkosh të luftojë vetveten”. Këtë e ka shkruar në facebook. Unë nuk besoj se ka marrë në telefon Berisha dhe i ka thënë se duhet një reagim. Aq më pak besoj që ai mund t’i ketë dërguar ndonjë tekst që Basha ta publikojë si të vetin. Unë besoj se ka qenë Basha që është në lartësinë e “detyrës”. Nuk ka nevojë t’i pëshpërisë dikush në vesh se çfarë duhet bërë për t’i dalë në mbrojtje Berishës. Kjo bën pjesë në atë që quhet job description. Dhe prandaj ai nuk mund të mos e dijë mirë këtë gjë.

Po pse Basha sillet kështu? Së pari, sepse ai nuk është asgjë pa Berishën, dhe së dyti, sepse ky është pakti: Basha do të bëjë çmos që partinë ta mbajë në funksion të interesave, frikërave, paranojave të Berishës e të familjes së tij, dhe Berisha do bëjë çfarë ka në dorë që Basha të jetë në krye të PD-së. Dhe kaq i lipset Bashës. Pasi dihet që Berisha ka në dorë gjithçka. Në një mënyrë a në një tjetër, ka në dorë edhe kundërshtarët e Bashës. Siç e thashë më sipër, të gjithë në PD janë në garë për t’u dukur njëri më berishian se tjetri, dhe me këtë tregojnë se askujt nuk i shkon mendja ta shohë Berishën si problemin kryesor të PD-së. Përkundrazi, e shohin si zgjidhjen e të gjitha problemeve, e shohin si shpëtimtarin e partisë, që “po ua shkatërron Basha”. Ky është një keqkuptim i madh në këtë parti, por ja që gjërat kështu janë: Të gjithë aty ngatërrojnë problemin me zgjidhjen./ Mapo

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb