Nga: KIÇO BLUSHI
Thuajse çdo mëngjes dal në rrugën që nis nga “Shkolla e Baletit” e deri te i quajturi “treg elektrik”; pastaj kthehem te rruga “Vath Koreshi” ku shiten fruta e zarzavate nga shitësit ambulantë që renditen buzë mureve të rrëgjuara të pallateve me tulla silikate, identitet ky i mbetur si relike arkitekturore nga koha e diktaturës.
Besoj se te prurjet “me pakicë” të katundarëve të periferive të Tiranës mund të gjej prodhime bio. Por ka raste që gabohem. Ndodh, kur shkoj në shtëpi, të zbuloj që edhe domatet, kumbullat apo rrushi i blerë te katundarët (ka sosh që hakaten të ngjajnë si tironsa autentikë), të jenë pa shije, njëlloj si ato që shiten nëpër tezgat e tregtarëve me licence…Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të pikasësh,(edhe po të veprosh si Kristoforidhi që u thyente vezët për të kuptuar nga nëndialekti origjinën dhe pasurinë leksikore), se cilët syresh furnizohen në tregun e shumicës me prodhime të tejngopura me kimikate, të importuara nga Maqedonia, ose nga Greqia dhe cilat janë frutat e zarzavatet e sjella me gomar a me furgon nga oborret vetjake, pa spërkatje, pa hile, bio, jo OMGJ, d.m.th. rritur me pleh organik e mbjellë me farë vendore.
I jemi nënshtruar edhe kësaj trysnie gjenetike. Shkencëtarët thonë se të ushqyerit me kimikate nuk dihet çfarë ndryshimesh do të sjellin në organizëm dhe në racën njerëzore. Sot jo vetëm ushqimet dhe ilaçet, po edhe marrëdhëniet njerëzore janë të pasigurta, me ONGJ mediatike, “prodhime” fallco që cilësi dhe vlerë kanë vetëm reklamën dhe ambalazhin. Ky nuk është globalizim, as ekonomi tregu, por një shoqëri që mbijeton duke ricikluar plehrat, duke u ushqyer me gënjeshtrën. Prandaj ka një muaj që politika prej më se një muaji është mbërthyer te çështja “madhore” e plehrave, a në daç, e mbetjeve prej nga u varka, siç po propagandohet nga qeveria, zhvillimi ekonomik dhe punësimi.
***
Burra e gra, të rinj e fëmijë, pleq e plaka, të ardhur në kryeqytet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë vetëpunësohen ose në kazanët e plehrave, ose “në tregun e trotuareve” dhe qosheve të pallateve për të shitur çikërrima, ose te firma Gabi, sepse nuk kanë asnjë mundësi të gjejnë punë, të marrin një dyqan me qira e të paguajnë taksat e siguracionet në shtet. Kjo është shtresa më e përvuajtur dhe më e përbuzur e shoqërisë.
Kuptohet, fitimet e tyre janë minimale, ndaj punojnë në të zezë, sa për siguruar bukën e gojës. Janë informalë, janë ilegalë, janë shumicë e pavetëdijshme, e pafuqishme, e paorganizuar, ky është kushti dhe zgjidhja e vetme e tyre për të mbijetuar si qytetaro-katundarë vetmitarë të kryeqytetit: ti nënshtrohen mendësisë sonë tradicionale: ja hodhëm edhe sot! Kujt ja hodhëm? Sigurisht, vetes.
Mbijetesa e tyre në metropol mund të sigurohet nga fitimi që vjen prej shmangies së qirasë e kuponit tatimor, përndjekjes së tatimorëve dhe kasave fiskale e sidomos, gjuetisë të policisë bashkiake. Nëse mbledhësit e kanoçeve nuk i përndjek kush, (pasi industria e riciklimit është e ligjëruar me ligj nga Kuvendi), “biznesmenët katundarë”, apo fermerët e vegjël, jetojnë si gjysmë refugjatë me frikën dhe ankthin e sulmeve të befta të makinave të policisë bashkiake “për ekstradim”.
Ka hyrë në kujtesën mediatike plaka që shiste majdanoz në një cep pallati e që u trajtua si kriminele nga policia. Më pas, edhe pse Veliaj shkoi dhe bëri foto prekëse me këtë nënë tironse, të vetëpunësuarit e trotuareve, kur dikush i lajmëron: erdhën!…., rrëmbejnë sakaq koshat, thasët, shishet e qumështit, qeset me gjizë, me ide, kunguj a kastravecë, tërheqin karrocat e kokoshkave dhe zhduken e fshihen për disa sekonda nga trotuaret, se mund ta pësojnë më zi se nëna e majdanozit. Loja si “macja me miun” e policisë bashkiake me “katundarët biznesmenë” vazhdon deri në drekë, me intervale e situata të paparashikuara. Ata janë të lumtur kur kthehen në shtëpi dhe psherëtijnë: Ja hodhëm dhe sot!
Fitimi i këtyre shitësve ambulantë me siguri që nuk shkon më shumë se pesë mijë lekë të vjetra, sigurisht po ju eci dita mbarë, d.m.th. pa llogaritur gjobën pesëdhjetë mijë lekëshe të policisë dhe sekuestrimin e mallit…E megjithatë, këta njerëz nuk heqin dorë nga lufta: “Bukën e përditshme falna, o Zot!”
Është e qartë se lufta e policisë kundër skamnorëve kërkon të pastrojë imazhin e katundarizuar të rrugëve tona si dhe të formalizojë atë që quhet “ekonomi tregu”. Ashtu si me të papunët e pensionistët, të cilët, kur nuk e paguajnë dot energjinë elektrike arrestohen e rrasen në burg, edhe beteja e pa tolerueshme dhe e përditshme e qeverisë me këtë shtresë të varfër shitësish trotuaresh kërkon të krijojë bindjen se edhe tek ne, më në fund!, po vendoset shteti ligjor, pra edhe ne “po ndërtojmë shtet”….
Në parim, kjo është e drejtë. Sigurisht, në asnjë vend normal të Evropës nuk lejohet të shiten prodhimet nëpër rrugë e trotuare, për më tepër, edhe të dyshimta higjenikisht. Në Evropë edhe qytetarët e ardhur nga Shqipëria detyrimin për të respektuar ligjin i bën të mos i hedhin plehrat nga ballkoni, madje as bishtin e cigares në trotuar.
Po a vendoset “shteti ligjor” duke vepruar si në përrallën e famshme “Princi dhe i varfëri”, ku e kur, për të trembur e bindur djalin e mbretit, (në rastin tonë, biznesin e madh), pra për ta detyruar atë të normalizohet, të mos gabojë, t’i stimulohet me hir e pahir oreksi që të hajë sa më shumë që të shëndoshet, rrihet kot më kot shoku i tij i varfër e i uritur? A nuk është kjo metoda dhe strategjia e rilindjes për të ndërtuar nga e para, si na thuhet përditë, shtetin e munguar ligjor?
***
Shteti ligjor nuk vendoset e nuk funksionon persëmbari kur ndëshkohen, kur dënohen e burgosen më të dobëtit, më të varfrit, më të pambrojturit për të trembur e për të detyruar të zbatojnë ligjet më të fuqishmit financiarisht e politikisht. Kjo po ndodh tek ne. Burgjet janë rrëmbushur vetëm me skamnorë, me fukarenj që nuk paguajnë dritat e nuk nxjerrin dot bukën e gojës, ndaj detyrohen të vjedhin e të shkelin ligjin… Avokati i Popullit u ankua këto ditë nëpër media se ka mbipopullim nëpër burgje, edhe pse janë ndërtuar gjithë ato burgje në këto 25 vjet. Ka gati në çdo qytet nga një burg, e megjithatë kërkohet të ndërtohen të tjera, që, së paku në burg ( jo si në liri… ) të dënuarit të jetojnë me standarde europiane…Me këtë ritëm burgosjesh, rrezik, pas disa vitesh të ketë më shumë shqiptarë të dënuar e të burgosur, se të lirë…
Por, nëse për një të burgosur shteti shpenzon 400 euro në muaj, më shumë se paga e një drejtori drejtorie në bashki, përse duhet ta kesh frikë e të të vijë turp nga burgosja? Tekefundit, përse të mos merresh me trafik droge e prostitucioni, që të jetosh ca kohë si zotëri, pasi, edhe po të kapën, a nuk do të jetosh më mirë në burg se po të gjallosh i papunë e i pashpresë në liri?
Kjo mënyrë të menduari e të jetuari, që po bëhet mbizotëruese në shoqëri, nuk mund të lejojë ndërtimin e shtetit ligjor, aq më pak shtetin e së drejtës. Mosbesimi i ndërsjellë qytetar-shtet, qytetar-katundar, biznesmen –punonjës, politikë-popull e shkërmoq një shtet, edhe kur është perandori. Andaj kapitalizmi me fytyrë ujku u zëvendësua me kapitalizmin human për të zbutur tensionet, konfliktet, pabarazinë, përmbysjet e përgjakta revolucionare. Para disa muajsh në Zvicër u krye një referendum sipas të cilit do të paguheshin njëlloj si të punësuarit edhe ata që nuk do të donin të punonin.
Në një shoqëri të tillë burgjet mbeten bosh dhe krimet e konfliktet sociale e familjare ulen në minimum. Sigurisht ne nuk jemi Zvicër, por së paku të tentohet të kryhet ajo detyrë që ka çdo qeveri normale: të stimulojë prodhimin vendor, të ndihë e financojë të varfrit, të vetëpunësuarit, artizanët, bujqit, njerëzit në nevojë për t’i larguar ata nga konfliktet e pashmangshme, nga dyert e burgut dhe ngasja e krimit.
Kështu, për t’ iu kthyer argumentit të fillimit, asnjë prej bashkive tona nuk i kushton të ndërtojë tregje me standarde për shitësit fshatarë e jo t’i persekutojë e përndjekë ata me gjoba e me burgim për të krijuar, me gjasë, fasadën e shtetit ligjor. Një qeveri e përgjegjshme dhe e mençur e stimulon prodhimin vendor, ul papunësinë duke stimuluar të vetëpunësuarit, qofshin këta edhe shitësit nëpër trotuare, krijon kushte lehtësuese për transportin dhe grumbullimin e prodhimit bujqësor e blegtoral, etj. etj…
Kurse te ne qeveria mburret përditë me kronikën e zezë: sa qytetarë janë arrestuar sot, sa janë gjobitur, sa janë burgosur dhe sa rrënjë kanabis ka asgjësuar policia…
Kjo quhet politikë e suksesshme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: