TIRANE– Analisti Andi Bushati ka komentuar ditën e sotme vizitën e zyrtarit të DASH, Hoyt Brian Yee në Tiranë, ku në fokus është zgjidhja e krizës politike. Teksa ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Bushati u ndal dhe tek fakti se pse Yee zgjodhi të takojë dy deputetet kritike të PD-së, Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregut veç e veç, ndërsa theksoi se gjithçka i ngjan një propagande.

Kjo pasi sipas Bushatit, dihet që përveç ish-liderit të PD-së Sali Berisha, as Patozi, Bregu dhe Topalli, nuk mund të kthejnë qëndrimin e opozitës, raporton ‘BalkanWeb’.

“Janë takime propagandistike. Një sjellje perëndimore do të thotë se zgjedhjet do njihen edhe nëse PD nuk hyn në zgjedhje. Kjo tregon se edhe pasi zgjedhjet të bëhen, prapë do mbështesin këtë sjellje. Nuk e di nëse ka një ndërkombëtar që mendon se Topalli, Patozi, Bregu, do kthejë qëndrimin e PD, atë mund ta bëjë Berisha. Ndaj i quaj propagandistike. PD ka pas vitit 97 një nga marrëdhëniet më të vështira me ndërkombëtarët. Kjo nuk është asnjë gjëmë, as tragjedi. Dy vite, para se të vinte në pushtet, Rama ka pasur marrëdhënie të këqija me ndërkombëtarët. Në Shqipëri pa qenë njëherë antiamerikan, nuk vjen në pushtet. Ne si shqiptar e kemi parë një lloj vakumi që kanë lënë amerikanët”, tha Bushati, raporton ‘BalkanWeb’.

Nga ana tjetër Bushati theksoi se nëse PD futet në zgjedhje dhe arrin të mbajë votuesit e 2013-ës, do të thotë se ata nuk i janë bindur propagandës së Ramës.

“Nëse PD arrin të mbajë votuesit e 2013-ës ajo tregon se elektorati i saj nuk i është bindur propagandës së Ramës. Nëse arrihet të ruhet uniteti i bojkotit, në një farë mënyrë PD delegjitimon zgjedhjet e 18 qershorit. Po të shohim sot gjithë rekomandimet e ndërkombëtarëve, dhe aleatët e djathtë të PD kanë lënë të kuptohen se nëse Rama fiton i vetëm, zgjedhjet do njihen. Por sa do jetë e aftë kjo qeveri që të bëjë zgjedhje të ndershme. Nëse do shohim elemente jo të ndershme dhe në 18 qershor, zgjedhjet do delegjitimohen. Por PD ka marrë një risk”, pohoi ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb