FATMIRA NIKOLLI

Andrea Cancellato është Drejtor i Përgjithshëm i “Triennale di Milano” që prej vitit 2002. Ka lindur në Itali më 1955-ën. Është konsulent biznesi dhe ka qenë kryetar i Bashkisë së Lodit. “Trienalja e Milanos”, është një institut italian për arkitekturë, planifikim urban, dizajn, arte dekorative, modë, vepra artizanale etj. “Trienalja e Milanos” rikthehet pas njëzet vjetësh. Eventi ka lindur në Monza në vitin 1923 dhe u transferua në Milano në vitin 1933, për të hetuar çështjet urgjente të shoqërisë. Selia e saj historike, Pallati i Artit, është sot një pikë referimi në jetën kulturore të Milanos. Mirëpret “Triennale Design Museum”, ekspozita të përkohshme të nivelit ndërkombëtar, një bibliotekë të specializuar, një teatër dhe hapësira argëtuese. Trienalja e shek. të XXI do të fokusohet në temën “21st Century. Design after design”, një temë që ngre shumë pyetje në lidhje me kuptimin e dizajnit dhe rolin e këtij të fundit në një botë në ndryshim të vazhdueshëm.

Qëllimi i Ekspozitës XXI Ndërkombëtare do të hetojë përhapjen e madhe të aftësive projektuese në vende të ndryshme të botës (Evropë, Amerikë, Azi dhe Afrikë), në të njëjtën kohë me zhvillimin e një tregu global, por edhe shumëllojshmërinë e disiplinave të dizajnit, dobësimin e kufijve disiplinore mes arkitekturës, planifikimit urban, dizajnit, arteve pamore, komunikimit etj., dhe marrëdhëniet e reja midis këtyre fushave të ndryshme. Për pesë muaj, nga prilli deri në shtator, “Trienalja e Milanos” do të bëhet epiqendra e ngjarjeve multidisiplinore që do të mbahen në vende publike dhe private nga Milano në Monza. Ekspozita Ndërkombëtare do të jetë një seminar rajonal që do të ofrojë mundësi për formimin e formave të reja të shprehjes, duke lejuar pjesëmarrësit të bashkëveprojnë. Andrea Canacellato rrëfen për “Gazeta Shqiptare” fokusin e saj.

– Është hera juaj e parë në Shqipëri?
Po, kam ardhur me ftesën e drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, për të prezantuar “Trienalen e Milanos”.

– Çfarë është “Trienalja e Milanos”, ku e ka fokusin e punës së saj?
Për kë nuk e njeh, është një mënyrë për të prezantuar disa prej institucioneve më të rëndësishme kulturore italiane kushtuar projektit, arkitekturës, dizajnit, urbanistikës, territorit, artit, modës e fotografisë. Trienalja është themeluar në vitin 1923 dhe eventi më i rëndësishëm është ekspozita ndërkombëtare, e cila vjen në edicionin e 21-të dhe ka titullin: Shekulli 21, “Desing after desing”.

– Sa vend ka për “Design after design” në shekullin që jetojmë?
Kjo temë është një pyetësor i madh. Lind nga një konsideratë, që në shekullin e 21-të ka shpërthyer fenomeni i dizajnit si një profesion krijues i frekuentuar nga të rinjtë, që ndërtojnë një ofertë të madhe e projekte për botën. Pavarësisht krizave të mëdha ndërkombëtare, bota është rritur dhe është zhvilluar sërish. E të gjitha vendet dhe territoret që zhvillohen pasi zgjidhin problemin e urisë e mbijetesës, shohin problemin e së ardhmes, dhe rrjedhimisht del problemi i projektimit të së ardhmes. Ndaj ka një nevojë të madhe për projektim. Duhet të kuptojmë si është oferta për projekte e të rinjve në botë që kanë përqafuar këtë profesion, dhe më tej, a ka kërkesë për projekte në një botë që rritet. Jo gjithnjë ndodh që kërkesa e oferta të jenë njësoj. Kriza e vitit 2008, kriza e globalizmit na ka treguar se pikërisht mungesa e projektimit në vendet ku shpërfillet prodhimi, dhe mungesa e prodhimit në vendet ku ka projekte, krijojnë këtë krizë, sepse si njëri, edhe tjetri, kanë mangësi thelbësore. Vendet kanë braktisur prodhimet me dorë, nuk arrijnë më të praktikojnë risitë, ndërkaq, vendet që nuk projektojnë nuk janë padronë të së ardhmes. Tashmë duhet të gjejmë paradigma të reja ku duhet të manifestohet dizajni.

-Si e shihni bashkëjetesën mes së ardhmes e trashëgimisë, mes projektimit dhe asaj që kemi?
Kjo është thelbësore. Më 1900-ën u mendua se zhvillimi ishte i pakufi, i padiskriminuar. Në fakt, shekulli 21 na thotë që zhvillimi ka probleme: me ambientin, me antropologjinë, me marrëdhënien me territorin. E marrëdhënia me kontekstin social e kulturor, është thelbësor për projektimin. Ky është një leksion dhe problem që po na jep për të zgjidhur ky shekull.

-Kush do të jetë në trienale?
Ne kemi parashikuar një modalitet ndryshe. Do jenë shtetet, por edhe qendra dizajni, universitete, të rinjtë, shoqëritë. Projektimi nuk është pronë e shteteve.

-Sa projekte do paraqiten?
Do ketë disa ekspozita në pesë muaj, mbase me qindra, mes të cilave edhe ‘summer school’, takime, leksione, koncerte e teatro. Projektimi nuk mblidhet në një vend. Ideja jonë është të krijohet një marrëdhënie e mirë mes pjesëmarrësve në trienalen tonë.

-Kufijtë e artit, arkitekturës, dizajnit, videos e filmit po zbehen dhe zhanret po shkrihen me njëri-tjetrin. A nuk është kështu?
Po, ndaj “Trienalja e Milanos” është e vetmja ekspozitë ndërkombëtare ku ka disa disiplina. Kemi një koncepti që është në themel të trienales, që është uniteti i arteve. Kufijtë që po zbehen vijnë aty.

-Cila do ishte këshilla juaj për të rinjtë e dizajnit, të projekteve?
Ne kemi disa fraza që prezantojnë konceptin tonë: kompjuteri është një mjet jo përfundimi, ndaj të mendosh se çdo gjë bëhet në kompjuter, do të thotë se s’ke kuptuar asgjë. Një tjetër frazë e jona është(të shkojmë): “Nga dizajni për te dizajni”. Ndërsa fraza tjetër që godet më shumë është: “Tani që dimë t’i bëjmë të gjitha, çfarë do bëjmë?”, që na thotë se tani duhet të reflektojnë mbi ç’do bëjmë dhe çfarë ndodh, dhe se duhet të fillojmë të projektojmë zgjidhje.

– Cilat janë diferencat mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe si kanë ndryshuar në këtë shekull; mbase edhe sepse, projektimet në Italinë që ruan gjurmët e Rilindjes janë ndryshe nga një shtet që nuk kishte dhe nuk ka gjurmë të Rilindjes?
Lindje-Perëndim është një farë diskriminimi, sepse Lindja u bë fabrikë e botës dhe vendi ku prodhohen shumica e mallrave që i përdorim ne pastaj në lindje, perëndim, veri dhe jug. Ndaj atje është kriza e parë, sepse atje prodhohet pa ditur të projektohet, por ka pasur disa investime për dizajne në ato vende. Ndërsa Perëndimi, bota amerikane ku po humbet manifaktura, ka një rikthim tek artizanët. Europa ndërkohë i ka ruajtur fabrikat e vogla, punët me dorë, dhe Europa ka një kapacitet për t’i menduar gjërat dhe për t’i bërë, jo vetëm për të bërë pa i menduar, ose për t’i menduar pasi bëhen.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb