Organizata e OKB-së për kulturë dhe shkencë do të mblidhet këtë muaj në Paris, dhe në axhendë është edhe pranimi i Kosovës në UNESCO. Një prej deklaratave kryesore të Kosovës është premtimi se do të mbrojnë trashëgiminë kulturore serbe. Kjo është një çështje e komplikuar pasi guerilët shqiptarë luftuan me ushtrinë serbe në luftën e tyre për pavarësi më 1998-1999.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hasim Thaçi, i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështesë kërkesën e Kosovës për në UNESCO dhe “të shikojë kah një e ardhme e paqes, e pajtimit dhe respektimit të vlerave kulturore historike”.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të mbrojë më mirë dhe do të rikonfirmojë trashëgiminë kulturore dhe historike serbe”, ka thënë ai për “The Associated Press”, shkruan “Koha.net”.

Ndërkaq, Ati Sava Janjiç, lider i serbëve ortodoksë të Kosovës, është kundër Kosovës në UNESCO. Ai përmend kishat dhe objektet tjera serbe që u shkatërruan gjatë trazuirave të vitit 2004, ndërsa shton se legjislacioni i Kosovës nuk ofron garanci që prona e tyre, apo identiteti i tyre, nuk do të mbrohet sa duhet.

Liderët e Kosovës, kundërshtimet e Beogradit ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO i konsiderojnë “të pamatura, të motivuara politikisht… agresive”.

“Të mundohemi së bashku t’i tejkalojmë dallimet, të mos përdorim gjuhë që do të krijonte ndarje edhe më të mëdha këtu në Ballkan”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: