TIRANE- Pas akuzave se ajo ishte përgjuesja e debatit që ndodhi brenda mbledhjes së kryesisë së PD-së, ish-kryetarja e AMA-s, aktualisht anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike, Endira Bushati, ka reaguar duke thyer heshtjen.

Në një status në faqen e saj të ‘Facebook’-ut, Bushati ka mohuar kategorikisht këtë lajm, ndërsa e cilësoi këtë version të pavërtetë.

Mes të tjerash Bushati i është përveshur portalit që ka publikuar lajmin se ajo është autorja e përgjimit, ndërsa shprehet se nëse ky lajm nuk përgënjeshtrohet dhe hiqet, ajo do të bëjë padi për shkaktim dëmi në gjykatë. Bushati shkon edhe më tej, ndërsa i drejtohet gazetarit Alfred Lela në gjininë femërore, duke shkruar: ‘O servil dhe zar i Lulit’.

REAGIMI I ENDIRA BUSHATIT
“Sqarim:
Po lexoj që një portal i quajtur “Politiko” paska shkruar se unë kam përgjuar mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë.
Ky soj portali u drejtoka nga njëri me emrin Alfred Lela…
Së pari: Kur unë flas në media, në kryesi, në facebook, flas vetëm në emrin tim dhe nuk i shërbej asnjërit që tenton të përdorë qëndrimin tim publik ndaj Bashës për emocionet e veta të protagonizmit politik!
Së dyti: Unë nuk kam përgjuar e as regjistruar mbledhjen e Kryesisë, dhe as më shkon mendja ta bej një gjë të tillë, sepse unë qëndrimin tim e kam të qartë të prerë në lidhje me çështjen!

Madje, madje dhe fjalën time e pashë të qarkullonte në media sot në mëngjes

Ndaj, i bëj thirrje urgjentisht këtij portali të japë menjëherë përgënjështrimin tim, siç e deryron ligji, përndryshe do të depozitoj që të hënën padi për shkaktim dëmi në gjykatë!

Ky lajm, ka 2 mundësi si mund të jetë prodhuar:

1.Shpifës profesionistë e injorantë që nuk dinë pasojat ligjore!

2.Urdhër nga zyrat e PD, që vetë duket se kanë nxjerrë përgjimin me qëllimin për të denigruar kritikët e (medemek) Kryetarit!

Duhet të shpëtojmë Partinë Demokratike nga ky soj servilësh që opozitën e konsiderojnë biznes!

Në radhë të parë, për vendin!

(P.S. I kujtoj kësaj Lelës që unë nuk kam “përtuar” të merrem me Top Channelin e Klanin bashkë, edhe atëherë kur shefi i tij kishte frikë të merrej!)”, shkruan Bushati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: